SUEDI- Familja e Admir Tafilit, ka humbur azilin në Suedi dhe rrezikon të riatdhesohet në Shqipëri. Me anë të një reportazhi gazetarët suedezë të gazetës “Expressen.se” kanë rikthyer edhe njëherë faktet rrëqethëse të vrasjeve që pasuan hasmërinë mes familjes Tafili dhe Pjetrushi.
 
Djali 12-vjeçar i vëllait të Admir Tafilit ka treguar për gazetarët e “Expressen.se” sulmin me pistoletë dhe thikë ndaj tij dhe kushëririt, në qytetin e Boras në Suedi, ku mbeti i plagosur rëndë dhe që shpëtoi falë mjekëve të spitalit.
 
Në trupin e tij duken qartë shenjat e plagëve të marra, ndërsa shton se në rast rikthimi në Atdhe i rrezikohet jeta.
nipi i admir tafilit
 
Familja Tafili pret edhe gjyqin në Apel për Emigrimin.
 
Hasmëria mes Tafilëve dhe Pjetrushit e ka zanafillën në operacionin e policisë për arrestimin e Bahri Tafilit dhe të birit Admir në vitin 2000. Në operacion pati shkëmbim zjarri ku mbeti i vrarë kryepolici i Shkodrës Arben Zylyftari dhe Bahri Tafili.
 
Për vrasjen e Bahriut, familja Tafili akuzoi oficerin Prel Pjetrushi. Ndërsa Admir Tafili u dënua me 20 vite burg dhe i vëllai Genci me 25 vite burg për vrasjen e Zylyftarit. Në vitin 2010 dy vëllezërve u jepet leje për të shkuar në shtëpi nga burgu, dhe Admir Tafili përfiton nga kjo leje për t’u arratisur.
 
Tafili shfrytëzon arratinë për të ekzekutuar në pritë dy vëllezërit e Prel Pjetrushit. Në një intervistë për “A1Report” Pjetrushi ka mohuar të ketë lidhje me sulmin ndaj nipit të Tafilit në Suedi, duke deklaruar se ndodhej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
 
Ndërsa Tafili në një tjetër intervistë për “A1 Report” në telefon ka akuzuar Pjetrushin si organizator i atentatit hakmarrës. Familja Tafili, jeton prej vitesh në Suedi, ku kërkon azilin me pretendimet e mungesës së sigurisë për jetën në Shqipëri për shkak të gjakmarrjes.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)