Komedia fillon në shtëpinë e doktorit, interpretuar nga Genci Fuga. Lajmi për ardhjen e kolegut të tij Italian që do të birësojë një fëmijë shqiptar njuk pritet mirë nga gruaja e tij, një zonjë mes të mirave dhe aspak mikpritëse. Diskutimet ndërpriten nga zilja e derës dhe mjeku porosit të shoqen që të dalë e të marrë paratë e operacionit. Pacienti që sjell 2 milionë lekë të vjetra, është një shkrimtar i varfër, që aspiron të botojë një vepër të mbetur përgjysmë. Figura e shkirmtarit… realizohet nga aktori i njohur i humorit Xhevahir Zeneli. Batuta e tij, “A thua do të dal i gjallë?” përsëritet shpesh ndërsa zarfin me para mezi e lëshon nga dora, shkakton të qeshura të vazhdueshme në sallë. Situata duket më se normale, deri në momentin që zonja e doktorit kalon nga një cep në tjetrin të sallës duke ulëritur. Kanë rrëmbyer djalin e doktorit. Pas këtij momenti fillon të pyesësh se cila familje gjendet në shi, ajo e doktorit të pasur apo ajo e shkrimtarit të varfër?
Gjithsesi mos prisni që të gjeni tension dhe skena të forta tragjike, pasi nuk duket të jetë ky qëllimi i autorit. “Familja në shi” synon të trajtojë problematikat e familjes shqiptare me situata komike. Kështu që lehtësimi vjen menjëherë pasi kuptohet se është pikërisht shkrimtari që e ka rrëmbyer djalin e doktorit dhe kërkon 2 milionë lekë të vjetra (po aq sa edhe i dha ryshfet doktorit). Këtu fillon historia. Dy familjet përplasen, akuzojnë njra-tjetrën se janë duke zhvatur para, janë duke marrë rryshfet, apo janë duke kryer krim siç është rrëmbimi i fëmijës. Përmendet denoncimi, por skena mbahet gjatë me dy gratë e familjeve. Të forta, agresive, plot fjalë e veprime që shkaktojnë të qeshura, duke ndërtuar njëherazi dy profile femërore të kundërta jo vetëm ekonomikisht, por edhe shpirtërisht.
Por pikërisht kur duket se arrihet marrëveshja, pra të dorëzohet fëmija në këmbim të parave atëherë del se fëmija është zhdukur. Kështu ngjarjet të çojnë në një familje të tretë, edhe më të varfër se ajo e shkrimtarit, e cila nga skamja pranon të birësojë fëmijën tek një familje (e katërta në këtë komedi dhe që shfaqet fare pak) e pasur italiane. Por nëna e shtatë fëmijëve ndërron mendje dhenë momentin e fundit nis drejt Italisë, djalin e doktorit, në vend të djalit të saj. Ngatërresat sjellin në mes policinë duke shtuar “akuzat” e komedisë për korrupsionin edhe në shtetin shqiptar.
Përfundimi është i lumtur, por jo dhe aq i parashikueshëm. Duket se rikthimi i rastësishëm I djalit në familje, i gëzon të gjitha palët, por në fakt, doktori ka një brerje në ndërgjegje; shkrimtari i varfër duhet të dalë nga burgu, kështu që ai i jep shefit të policisë, 2 milionë lekë të vjetra për ta liruar…. Çfarë bën shkrimtari? Ia vlen ta shikoni finalen. Komedia e cila trajton korrupsionin në dy plane, atë moral dhe psikologjik, në shfaqjet e saj të para që nga premiera është mirëpritur nga publiku ashtu siç kishte menduar dhe shpresuar vetë regjisori dhe autori i saj.
KOMEDIA E RIKTHIMEVE
“Familja në shi” shënon disa rikthime në skenë. Së pari pas pesë vjetësh rikthehet Bezhani si dramaturg dhe regjisor. Realisht ai do të kishte dashur të kthehej edhe si aktor, por siç është shprehur gjatë konferencës për shtyp vështirësia për të bërë të gjitha qëndron kështu që i është dashur të heqë dorë nga aktrimi.
Rikthimi i dytë i përket aktorit Xhevahir Zeneli, prej katër vitesh i ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Familja në shi” e rikthen në skenën teatrore pas 11 vjetësh. Më shumë vite pa prekur skenën kishte aktori Xhemil Tagani. Pas dy dekadash regjisori e ngjit në skenë në rolin e Zabitit dhe zëri i tij i fortë mbushi skenën po aq sa zëri i një aktori 20 vjeçar. Roli i tij i fundit në kinema ishte prifti tek “Përrallë nga e kaluara”. (shqiptarja.com)