Familjet përplasen me përmbaruesit
Po na nxjerrin me dhunë nga banesa

Familjet përplasen me përmbaruesit<br />Po na nxjerrin me dhunë nga banesa
TIRANE -“Do hyjmë në grevë urie nëqoftëse nuk zgjidhet kjo çështje. Më kanë shqyer derën e banesës dhe më kanë nxjerrë jashtë me forçë, por unë nuk iki. Këtu do rri bashkë me dy fëmijët dhe me burrin tim”. Nis kështu rrëfimi i Elsa Bollati, e cila ditën e djeshme është ngujuar në banesën e saj, duke mos lejuar policinë që të hynte dhe ta nxirrte nga banesa ku ajo jeton prej vitesh. Kjo është ngjarja e cila ka ndodhur në kryeqytet, në rrugën “Kont Urani” ku ditën e djeshme gjashtë familje janë përplasur me përmbaruesit.

Ata kanë shkuar që t’i nxjerrin familjet nga një banesë e njohur si “Hoteli i italianëve” e cila, sipas përmbaruesve, duhet t’i kthehet pronarit të saj. Vetëm pas disa orësh shtyrjesh pranë portës dhe debatesh me familjarët, përmbaruesit kanë arritur të futen në ndërtesë duke shqyer derën. Tre prej kryefamiljarëve që duhet të largohen janë Lutfi Bollati, Arben Xhaferri dhe Ridvan Rexhepi. Madje, policia ka dërguar edhe tre punëtorë që të nxirrnin jashtë mobiljet dhe pajisjet elektroshtëpiake të familjeve.

Por, njëra nga gratë Elsa Bollati nuk pranoi që të dilte nga dhoma e saj. Ajo u ngujua me orë të tëra brenda banesës së saj, duke mbylluar kështu edhe derën. Ndërkohë me ardhjen e forcave të Shqiponjave, asaj i thyen derën më forcë dhe arritën që ta nxirrnin jashtë me dhunë. Bollati ka dalë në rrugë duke shtruar një dyshek dhe është e vendosur që të mos largohet nga banesa e saj. Ajo ka deklaruar se do të hyjnë në grevë urie, nëse nuk gjejnë një zgjidhje për këtë problem.
 
Elsa, a mund të na thoni kush janë pronarët që duan të ju nxjerrin nga banesa?
Pronarët janë zyrtarë të hipotekës, që kanë hyrje në këtë ndërtesë. Ata janë: Rifat Hosanaj, që në 2005 ka qënë drejtor hipoteke dhe i është bërë një akt dhurimi për 1/6 e banesës nga Gëzim Kallçiu, nënkryetar i bashkisë. Hyrje këtu kanë edhe Gazmend Zeneli e Muhamet Gaba, aktualisht regjistrues në hipotekë. Rifat Hosanaj po ashtu është regjistrues.
 
Nga kush drejtohen ata?
Ata drejtohen nga Gëzim Kallçiu, ish-nënkryetar i Bashkisë, që me dokumenta falso, pa firmë e pa vulë, po mësyn sot(dje) për të na nxjerrë jashtë. Ai nuk është pronar, është një tjetër sipër tij, një italiane, Luçiana Ferrara.
 
A mund të na tregoni zanafillën e kësaj historie?
Në vitin 1993 na vjen një letër pa vulë. Edhe thotë unë jam pronari. Si je pronar ti kur kjo është shtëpi publike e ndërtuar nga italiani? I bëra këtë pyetje dhe iku nga frika pse i kërkuam ne një letër me vulë dhe me rregulla.
 
Ju si keni vepruar pasi ju thanë këtë fakt?
Ne pastaj kemi shkuar herë pas herë në bashki, por dyert na janë mbyllur sepse na kanë thënë që është e Kaçiut. Herë pas herë në bashki bëja dokumentat për privatizim  dhe nuk merrja asnjë përgjigje. Në 2008 na thanë që shtëpia është shtetërore. Sot vijnë dhe na nxjerrin jashtë.
 
Çfarë kërkoni?
Ne kërkojmë pronën që na takon. Nuk dua më shumë. Na kanë thënë që shtëpia është shtetërorë, gjithmonë. Do kërkojmë ndihmë nga shteti. Ishalla të rrëzohen këto sa më shpjet dhe të marrim një drejtim përndryshe do hyjmë në grevë urie.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria do të zhvillojë Industrinë Ushtarake, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Nis hetimi për Ceo-n e Telegram, jep 5 mln euro për lirimin me kusht! I ndalohet largimi nga Franca

Nis hetimi për Ceo-n e Telegram, jep 5 mln euro për lirimin me kusht! I ndalohet largimi nga Franca