Në rubrikën “Bima dhe Shëndeti”, vëmendja sot është te fara e zezë, e njohur edhe si Nigella sativa, një bimë që prej shekujsh është përdorur në mjekësinë popullore për kujdesin dhe forcimin e organizmit. Çfarë e bën farën e zezë kaq të veçantë? Cilët janë përbërësit bioaktivë që ajo përmban, për cilat shqetësime shëndetësore është përdorur tradicionalisht dhe në çfarë forme mund të konsumohet – si farë e plotë, e bluar apo në formën e vajit?
Për këto dhe shumë të tjera u diskutua në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja, i cili shpjegoi edhe mënyrat tradicionale të përdorimit të farës së zezë dhe kombinimet e saj me bimë e produkte të tjera.
Çfarë është fara e zezë?
“Fara e zezë – Nigella sativa – është një bimë barishtore njëvjeçare. Ajo rritet në mënyrë të ngjashme me grurin, elbin dhe tërshërën, duke kërkuar kushte të përafërta agroteknike. Përbërësit kimikë të saj mund të ndryshojnë në varësi të tokës ku kultivohet, klimës dhe dendësisë së mbjelljes”, thekson Ylli Merja.
Fara e zezë është një bimë aromatike mjekësore me një traditë të gjatë përdorimi. Ajo përmban përbërës bioaktivë, ndër të cilët vajra esencialë, acide linoleik dhe oleik, si dhe komponime me aktivitet antioksidues dhe antiinflamator. Në përbërjen e saj gjenden gjithashtu minerale si kaliumi, fosfori, kalciumi, magnezi, hekuri dhe zinku, si dhe vitamina E dhe të grupit B.
Për çfarë është përdorur tradicionalisht?
Sipas Merjas, në mjekësinë popullore fara e zezë është përdorur tradicionalisht si mbështetje për sistemin imunitar, në shqetësime të rrugëve të frymëmarrjes, si kolla, alergjitë dhe astma, por edhe në probleme gastrointestinale. Ajo është përdorur gjithashtu për mbështetjen e funksionit të mëlçisë dhe metabolizmit, si dhe në kujdesin për lëkurën dhe flokët.
“Përbërësit e farës së zezë janë studiuar për veprimet e tyre në sisteme të ndryshme të organizmit”.
Sistemi nervor
· Veprim antioksidues dhe antiinflamator
· Mbështetje e funksioneve njohëse
Sistemi respirator
· Mund të ndihmojë në lehtësimin e simptomave të alergjive
· Është studiuar për efekt të mundshëm bronkodilatator
Mëlçia
· Mund të kontribuojë në mbrojtjen ndaj stresit oksidativ
· Mbështet funksionin hepatik
· Mund të ketë ndikim në metabolizmin e yndyrave
Sistemi gastrointestinal
· Aktivitet antimikrobik
· Mbështetje e ekuilibrit të mikrobiotës
· Mund të ndihmojë në reduktimin e proceseve inflamatore
Sistemi imunitar
· Mund të ndikojë në modulimin e përgjigjes imune
· Veprim antioksidues dhe antiinflamator
Zemra dhe enët e gjakut
· Studimet kanë shqyrtuar ndikimin e saj në presionin arterial
· Mund të ketë ndikim në profilin lipidik
Pankreasi dhe metabolizmi i glukozës
· Është studiuar për ndikimin e mundshëm në nivelin e glukozës esëll
· Mund të ndikojë në ndjeshmërinë ndaj insulinës
Veshkat
· Mund të ofrojë mbrojtje ndaj stresit oksidativ
· Është përshkruar edhe një efekt i lehtë diuretik
Farë, e bluar apo vaj?
Fara e zezë mund të përdoret në forma të ndryshme: si farë e plotë, e bluar ose në formën e vajit.
Sipas Merjas, dozat për të rriturit janë:
· Fara të plota: 1–3 gramë në ditë
· Fara të bluara: 1–3 gramë në ditë
· Vaj i farës së zezë: 0.5–2 ml në ditë
Kur duhet treguar kujdes?
Pavarësisht përdorimit tradicional, fara e zezë nuk duhet konsideruar si zëvendësim i trajtimit mjekësor.
“Për fëmijët, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike, përdorimi duhet bërë vetëm me këshillën e mjekut”, thekson Merja.
Me çfarë mund të kombinohet fara e zezë?
Në përdorimet tradicionale, fara e zezë kombinohet edhe me produkte dhe bimë të tjera. Ndër kombinimet e përmendura nga Ylli Merja janë:
· Farë e zezë dhe mjaltë, një kombinim tradicional i përdorur për rritjen e imunitetit, energji, mbështetjen e organizmit dhe rrugëve të frymëmarrjes.
· Farë e zezë, vaj arre dhe vaj rozmarine, e përdorur tradicionalisht për mbështetjen e funksioneve të trurit dhe largimin e toksinave.
· Farë e zezë dhe vaj ulliri, si kombinim i përdorur në kuadër të kujdesit kardiometabolik.
· Farë e zezë, rozmarinë dhe aloe vera, për kujdesin ndaj flokëve.
· Farë e zezë e bluar me xhinxher, hudhër, karafil, rigon, ujë dhe limon, një detoks antiparazitar.
Fara e zezë mbetet një nga bimët më të njohura të mjekësisë popullore, por përdorimi i saj duhet parë me kujdes dhe në kontekstin e gjendjes individuale shëndetësore. Bimët mjekësore mund të kenë efekte biologjike dhe ndërveprime me medikamentet, ndaj përdorimi i tyre nuk duhet të zëvendësojë këshillën apo trajtimin e dhënë nga mjeku.












Komente
Komento