Farmacitë pranë institucioneve
shëndetësore,jo më afër se 20 metra

Farmacitë pranë institucioneve<br />shëndetësore,jo më afër se 20 metra
Duke filluar që sot, asnjë farmaci nuk mund të jetë në një distancë më pak se 20 metra nga institucionet shëndetësore publike​. Asnjë subjekt farmaceutik nuk do të mund të përfitojë kontratë me Fondin nëse është në hetim apo deri në përfundim të plotë të hetimeve.

Gjykata Administrative e Apelit Tiranë ka rrëzuar padinë e ngritur nga Urdhri i Farmacistit ndaj Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, duke vendosur kështu që largësia e farmacive tëjetë jo më pak se 20 metra larg institucioneve që ofrojnë shërbim shëndetësor.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë vendimi përfundimtar i trupës gjykuese është shpallur dje pas përfundimit të procesit gjyqësor që nisi më 8 prill 2016, kur Urdhri i Farmacistit të Shqipërisë kërkoi rishikimin e vendimit të Këshillit Administrativ të FSDKSH-së nr. 71, datë 22.12.2015, “Për kriteret që duhet të plotësojnë farmacitë dhe agjencitë farmaceutike për lidhjen e kontratës me Fondin dhe procedurat për lidhjen e kontratës për vitin 2016” dhe shfuqizimin e disa pikave në përmbajtjen e tij.
 
Në padinë e tij, UFSH-ja kundërshtonte kriteret e parashikuara në pikat 10, 13, 14, 15, 19 dhe 20 të kreut I, të këtij Vendimi, të cilat kishin të bënin, mes të tjerash, me distancën jo më pak se 20 metra që farmacitë duhet të kenë nga kufiri i jashtëm i institucionit shëndetësor publik; sipërfaqen e shfrytëzueshme prej 50 m2 që duhet të kenë farmacitë që lidhin kontratë për herë të parë me Fondin (ndërsa agjencia 15 m2); si dhe, kriterin që parashikonte zgjidhjen e kontratës së Fondit me farmacitë dhe agjencitë farmaceutike, të cilat janë në hetim nga organi i akuzës deri në përfundimin e plotë të hetimeve,
 
Të gjitha pretendimet e ngritura nga UFSH-ja në padinë ndaj Fondit u gjetën të pabazuara në ligj nga Gjykata Administrative e Apelit, e cila në këto kushte, pas një hetimi të plotë vendosi të rrëzojë kërkesë-padinë e ngritur.
 
Edhe pse më herët, me qëllim sqarimin e pretendimeve të ngritura nga UFSH-ja, Fondi realizoi një tryezë të përbashkët mes përfaqësuesve më të lartë të të dy institucioneve më dt. 05/05/2016, përfaqësuesit e UFSH-së vendosën që ta dërgonin papritur çështjen në gjykatë, ndonëse ishin ende duke negocijuar me Fondin.
 
Gjithashtu, të njëjtin qëndrim mbajti disa javë më parë edhe Autoriteti i Konkurrencës ndaj të njëjtave pretendime të ngritura nga UFSH-ja.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjiri i Gramës, Rama: Si gjithnjë po ai magnet i parezistueshëm i Jonit

Gjiri i Gramës, Rama: Si gjithnjë po ai magnet i parezistueshëm i Jonit