TIRANË- Prej 6 muajve e shtruar në spitalin Neurologjik pranë QSUT, falë ’Pa Gjurmë’ identifikohet e moshuara Drana Alushi. Pas publikimit të fotos në program, familjarët mësuan live për fatin e nënës së tyre. Deri pasditen e kësaj të marte kur ’Pa Gjurmë’ e bëri publik rastin, 71-vjeçarja nuk ishte identifikuar, as nga bluzat e bardha, por as nga policia e Fierit ku familjarët kishin bërë denoncimin për humbjen e Drana Alushit pak muaj më parë.
Atë që s’mundën dot ta bënin institucionet në 6 muaj, e bëri ’Pa Gjurmë’ në 60 minuta të transmetimit live.
Në spitalin Neurologjik të Tiranës, në pavionin numër të dy në katin e katërt ku ndodhej e shtruar në gjendje të rëndë, e moshuara. E intubuar, për zonjën e paidentifikuar nuk kishte asnjë informacion, ndërsa nuk dihej sesi kishte përfunduar në atë gjendje.
Mëngjesin e kësaj të marte në redaksinë e ’Pa Gjurmë’ një pacient, i cili kishte ndarë të njëjtën dhomë me zonjën dërgoi ekskluzivisht fotot, duke kërkuar ndihmë për identifikimin e saj, pasi për të nuk ishte paraqitur asnjë nga familjarët.
Sipas informacioneve të marra në rrugë jozyrtare, 71-vjeçarja ishte sjell nga disa qytetarë në urgjencën e QSUT-së, pa ndjenja, ndërsa nuk dihen rrethanat sesi kishte ndodhur.
Pas mbërritjes së këtyre fotove, ’Pa Gjurmë’ kërkoi ndihmën e qytetarëve për të mësuar rreth identitetit të zonjës, e cila ishte në gjendje kome deri mëngjesin e kësaj të marte, kur fatkeqësisht ajo ndërroi jetë.Këtë lajm e bija e mësoi live përmes ekranit. Mimoza Alushi telefoni urgjent në Report TV:
’Po, ajo në foto është nëna ime. Ka mbi 4 muaj që ishte e humbur dhe nuk kishim lënë vend pa e kërkuar. Kemi bërë denoncimin edhe në policinë e Fierit, por nuk kishim mundur të zbulonim asnjë gjurmë. Kam kontrolluar gjithashtu nëpër spitale por asgjë. Edhe në morg kam kërkuar. Jemi nga fshati Rom, i Fierit nga ku u largua nëna. Kur pashë foton në ekran u shokova. Nuk desha tu besoja veshëve se nëna ime paska ndërruar jetë pak orë më parë. Ndjehem e pikëlluar për këtë, por juve ju falenderoj shumë që bëtë të mundur gjetjen e saj’-u shpreh e përlotur e bija