Faslli Haliti, rebelimi i
parë i tim biri në pikturë

Faslli Haliti, rebelimi i <br />parë i tim biri në pikturë
Në Galerinë Kombëtare të Arteve në sallën e Ekspozitave të Përkohshme do të hapet sot ekspozita e titulluar “Personale” e piktorit Helidon Haliti (1968), e cila do të vijojë deri më 10 shtator. Helidon Haliti i përket asaj plejade të artistëve shqiptarë që u diplomuan gjatë viteve nëntëdhjetë në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe shënuan sukses me veprat e tyre në disa nga galeritë më të njohura të botës. Haliti sjell në këtë ekspozitë vetjake, të parën në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë mbi 20 punime në vaj,të prodhuara gjatë viteve të fundit (2010 - 2012). Krijimtaria e tij e kësaj periudhe karakterizohet nga një kërkim artistik i cili tregon udhëtimin e piktorit nëpër labirintet e një bote që ai ka krijuar me anë të fantazisë së tij. Për mendimin e kritikut Shkëlzen Maliqi “Stili i pikturës së Helidonit është ai i një surrealizmi paksa të frenuar që mund të quhet edhe realizëm magjik”. Helidon Haliti frymëzohet edhe me tema të tabanit kombëtar dhe me ato të një mitologjie të personalizuar dhe intime. “Mirëpo, piktori ka kujdes që të mos bie në patetizëm dhe folklorizëm, duke preferuar ilustrimin nga një pikëshikim i padjallëzuar prej fëmiu”, thotë kritiku Maliqi. Si arriti piktori në kulmin e tij artistik dhe cilat janë rrethanat që e bënë atë sot një nga artistët më të talentuar. Disa nga këto i rrëfen në intervistën për “Shqipëtrja.com”, vetë babai i piktorit, poeti i njohur Faslli Haliti. Babai i Helidon Halitit është dënuar në kohën e diktaturës për mendimet e tij të hapura në poezi, sidomos në shënjestër i vunë poemën “Dielli dhe rrëketë”. Duke kujtuar kohën kur e shkroi poemën dhe si ngjau pas kësaj, Faslli Haliti rrëfen lidhjet e të birit me shtëpinë që pikonte në fëmijërinë e tij. Fakti që poeti e shkroi këtë moment të trishto dhe dramatik të jetës së tij në poezi solli pasoja jo vetëm në jetë, por edhe në krijimtarinë e Faslli Halitit.

Kjo ekspozitë e Helidon Halitit, djalit tuaj ka edhe një motiv nga poema juaj e shumëpërfolur nga kritika e kohës “Dielli dhe rrëketë”. Si ju ndiheni me ekspozitën e parë e djalit tuaj në Galerinë Kombëtare të Arteve?
-Djali im ka bërë shumë ekspozita dhe ekspozita personale ka bërë edhe në Shqipëri në atë vit që unë dola në pension. Qe një ekspozitë me akuarele. U mirëprit dhe qe një dhuratë që më bëhej mua për daljen në pension nga im bir. Gjithashtu ai ka bërë edhe shumë ekspozita të tjera si në Greqi, në Holandë...ju i dini ato..., në Paris, në Tetovë, në Greqi. Gjithandej ka bërë. Por për mua ekspozita në Galerinë Kombëtare të Arteve për mua është më mirë se të hapet në muzetë më të mëdha të Parisit. Unë e konsideroj galerinë e arteve një institucion me prestigj të jashtëzakonshëm në ekspozita. Në kohën tonë një ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare ishte një gjë shumë e madhe. Ashtu duhet të jetë dhe sot.

Pra ju qenkeni i një mendimi me piktorin e e njohur Gazmend Leka. “Të ekspozosh në galerinë kombëtare, do të thotë të kalosh pragun e Cerberit”, thotë ai?
-Vërtetë ashtu është. Në kohën tonë edhe një pikturë të ekspozoje në Galerinë Kombëtare ishte vlerë e madhe. Por unë vlerësoj jo vetëm autoritetin e saj si galeri kombëtare, por edhe hyrjen e tim biri atje, ku mendohet se bashkohen talentet e rinj shqiptarë me brezat në vijim. Unë jam gëzuar shumë dhe jam emocionuar kur pashë nga larg posterin e ekspozitës. U preka shumë. Thashë: Ja më në fund përpjekja e Helidonit. Që nga klasa e pestë që unë e konstatova që ai kishte dorë e kam ndjekur me emocion. Ai kishte bërë njëherë një shtëpi. Ishte fëmijë ende. Më bëri përshtypje që e bëri aq shpejt dhe aq mirë. I thashë time shoqeje: “Ruaje këtë”. Dhe duke parë se kishte talent e bëra të punonte çdo ditë. Ai kishte një shpejtësi shumë të madhe në pikturim. Kishte shpejtësinë atij atletit 100 metërsh. Me të ndodhi ajo që “Gorki thoshte “Vetë dëshirën për punë unë e quaj talent”. Kjo e bëri djalin të punonte vazhdimisht dhe me pasion. jo me sforco. U çlirova dhe pashë që piktura ishte rruga e tij në jetë.

Kur dhe kush e veçoi talentin e tij më vonë?
-Helidoni sapo kishte mbaruar vitin e parë të Liceut. Kemi qenë bashkë në natyrë për të bërë një pejsazh. Unë dhe ai pikturonin, sepse unë kam qenë mësues vizatimi, kam mbaruar edhe unë Liceun. Kur mbarova vet dhe pasi e kishim bërë të dy pejsazhin pashë një gjë që më pëlqeu dhe vura re që ato gjëra që unë s’kisha parë ai i kishte vënë re. Por megjithatë unë i ndërhyra në diçka që nuk po më dukej mirë. Pse e bëre kështu...?!. “Epo, ja kështu dua unë!”, tha. Ky ishte rebelimi i parë që bëri ai ndaj meje, edhe si mësuesi i parë i vizatimit që kisha qenë. Nuk i ndërhyra më. E lashë të punonte sipas idesë së tij.

Po imazhet dhe realitetin koloristik të Helidonit në pikturë sot si i perceptoni?
-Unë kam perceptuar tek Helidoni se ai ka gjatë misionit të tij krijues dy kulte; kultin e ngjyrës dhe kultin e idesë. Ngjyra është gjaku i pikturës që qarkullon në gjithë tablonë, por nëpërmjet figurës zbulohet edhe ideja. Piktura duhet edhe të flas.

Si e ka kaluar fëmijërinë Helidoni. Si artist i ardhshëm a ishte i mbyllur brenda mureve apo rebel, dinamik?
-Helidoni ka qenë një fëmijë mjaft dinamik, i shkathët, kurioz dhe i papërmbajtur. Ai ka qenë fëmijë trazovaç që bridhte pas zogjve. Ka gjuajtur edhe me llastiqe. Por mua lidhja e tij me natyrën më gëzonte shumë, sepse duke bredhur pas zogjve ai njihte mjedisin, jetën, kodrën, fushën. Ka qenë tip i shkathët dhe i pasionuar pas pikturës dhe filmave. Ishte mjaft i vëmendshëm, kurioz dhe aktiv në çdo gjë që shihte. Pyeste shumë. Pra e kërkonte pasurimin shpirtëror dhe intelektual. Dhe unë nuk përtoja t’i lexoja që i vogël edhe “Eposin e Kreshnikëve” dhe ai e pëlqente shumë. As unë nuk e dija pse ia lexoja atij eposin aq i vogël sa ishte. Por ai jo rastësisht sot merret në një mënyrë misterioze me fabulën. Ia kam lexuar shumë gjëra që i pëlqente para se të mësonte leximin në klasë të parë.

A mund të thoni diçka për motivin e poemës tuaj që frymëzoi ekspozitën e Helidonit, “Dielli dhe rrëketë”?
-Kjo poezi e ka një pikënisje nga realiteti në të cilin jetoja. Nuk u shkrua në atë kohë, por mbeti në ndërgjegjen time për shumë kohë. Jetoja në një shtëpi shumë të vjetërsuar. Çatia ishte pothuaj e rezauruar dhe ç’binte jashtë binte brenda. Helidoni ishte i vogël. Ende nuk kishte mësuar të fliste dhe pastaj tha: tha: “Mami, ç’fal bën?” “Shi, shiu”, i thotë ajo. “Që mos më lag shiu mua”, flet Helidoni i stepur. Ne u tronditëm sepse ai ishte aq i vogël sa nuk kishte mësuar mirë të fliste, por po përjetonte hallin që na kishte rënë. Aty më bëri shumë përshtypje kjo dhe më tronditi si prind. Në mëngjes pashë se, pasi shiu ishte larguar dhe nga tani po pikonin mbetjet e një dite më parë, dy-tre kërpudha të zeza po uleshin poshtë dhe zgjateshin si gjarpërinj. Nuk kisha parë kurrë kërpudha të tilla dhe ngjashmëria me gjarpërinjtë e bënë këtë situatë shumë dramatike, shumë të përzishme dhe të trishtë. Kaloi ajo ca kohë. U qetësuam, por me kalimin e kohës ngjarja erdhi në mendjen time. Arti t’i rishkakton mbresat. Një ditë duke dhënë mësim në vizatim me nxënësit, ku kisha një temë kompozimi, “Ditë Pranvere”, dhe këtë do ta bënin vetë fëmijët, aty seç më shkrepi dhe bëra këtë poezi Dielli dhe rrëketë. Strehimi ishte shumë i vështirë në atë kohë. Burokracia ishte e padrejtë me njerëzit e thjeshtë, bënte hatëre...

Në Lushnje ishte shtëpia juaj që pikonte?
-Në Lushnje, ku tjetër! Unë isha kritik kundër burokratizmit në poemë, por nuk isha kundër qeverisë. Nuk mund të them unë me vetëdije se dola kundër, apo se jam disident. Kush guxonte në atë kohë. Unë në mënyrë intuitive kisha pasqyruar dualietin bashkëkohor. Unë nuk e dija fare se ç’bëhej mes Partisë dhe pushtetit, por unë thosha: “Partia ka vënë dorën aty ku pikon”. Unë kritikoja shoqërinë me burokracinë që ishte e padrejtë, sepse unë pushtetin e përfytyroja se mbante anën e popullit. Intuita më bëri mua të shkruaj se në “diellin e socializmit çatia ime pikon”, ose “shtëpia ime është qaramane”, ose “ju jeni burra, mos e fusni djalin e sekretarit klubeve, pastiçerive, kafeneve”. Ka shumë histori kjo poemë “Dielli e rrëketë”, e cila vijoi me kritika në vitin 1973, ku u shkrua një artikull “Dielli dhe një poemë që spekulon me të”, por historia e keqkuptimeve vijon edhe sot. Por siç u tregova ju, tashmë e kuptoni pse im bir që kur ishte fëmijë pikturonte një shtëpi si gjithë fëmijët e botës me një çati të bukur, me diell, me re, me pemë, e rikujton edhe çastin që u bë shkak për dënimin tim e të poezisë sime në ekspozitën e tij të parë në Galerinë Kombëtare.
(gm/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Kongresi i PS/ Delegatët votojnë për Asamblenë e re, prezantohet platforma ‘Deputeti që Duam’! Ministrat tregojnë objektivat

Kongresi i PS/ Delegatët votojnë për Asamblenë e re, prezantohet platforma ‘Deputeti që Duam’! Ministrat tregojnë objektivat