Sali Berisha duket se ndihet vërtetë i kërcënuar politikisht nga Ervin Salianji, në drejtimin e Partisë Demokratike, që deri tani ish-kryeministri e ka menduar të padiskutueshëm dhe ekskluziv të tijin.

Pas "kafes" së ish-deputetit me eksponentë dhe kandidatë të listës së hapur të PD-së që morën vota më 11 maj, por nuk arritën të fitonin mandatin e deputetit, Berisha ka nxjerrë një udhëzim të posaçëm për nisjen e analizës së brendshme pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Në udhëzimin e siguruar nga gazetarja Danjela Maloku, analiza kërkohet të kryhet me ritëm të shpejtë dhe në mënyrë shteruese nga të gjitha organet e Partisë Demokratike, në të gjithë vendin.

Dokumenti i firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, mban numrin e protokollit 650 dhe datën 2 dhjetor 2025.

Aty kërkohet që të gjitha Degët e Partisë Demokratike të nisin procesi i analizës së brendshme me fokus objektivat e mëposhtme:

a) analiza e rezultatit në çdo qendër votimi dhe krahasimi me historikun elektoral të Partisë Demokratike (2009-2025), duke evidentuar në mënyrë të plotë të gjitha rrethanat që kanë ndikuar pozitivisht apo negativisht në rezultat sipas çdo qendre votimi;

b) analiza e faktorëve të brendshëm organizativ - në nivel seksioni, grupseksioni, dege dhe kandidatët për deputet - që kanë ndikuar pozitivisht apo negativisht në rezultat;

c)  analizë të nevojës për përmirësim të faktorëve të brendshëm organizativ – në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege, përgjegjësitë përkatëse, duke propozuar sugjerime për organet drejtuese të Partisë lidhur me nevojën e përmirësimit të organizimit të brendshëm apo ndryshimeve në Statutin e Partisë.

Iniciativa për analizën e punës së strukturave të Partisë Demokratike përgjatë zgjedhjeve elektorale vjen në një kohë kur Salianji ka njoftuar dhe filluar takime në degët lokale të kësaj force politike. Takimi i parë i Foltores së Salianjit ndodhi një ditë më parë në Durrës.

Koha e publikimit të udhëzimit lidhet drejtpërdrejt me lëvizjen e Salianjit. Aktivizimi i tij në bazë është lexuar si sinjal për rritje të ndikimit dhe tentativë për të pozicionuar veten në proceset që PD pritet të hapë së shpejti.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë