Fasoneri dhe call center, harta e vendeve të lira të punës në Shqipëri

Fasoneri dhe call center, harta e vendeve të lira të punës në Shqipëri

Foto ilustruese

Ekonomia shqiptare ka prodhuar 44 mijë vende pune të lira këtë vit, gjysma e të cilave është krijuar nga daljet në pension. Oferta e punës është për kualifikime të ulëta, duke dekurajuar aftësimin e të rinjve në sektorë me vlerë të shtuar. Sipas një ankete që ka bërë Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, 70% vendeve të lira të punës ofrohen për punonjës rrobaqepësie, call center dhe kamerierë. Plakja e popullsisë kthehet në rrezik për disa zanate, ndërkohë ekspertët japin alarmin për ndryshimin e modelit arsimor. Ja harta e vendeve të lira të punës

Shqipëria është para një perspektive të mirë punësimi, për shkak të rritjes së ofertës për punë nga bizneset dhe prej vendeve të lira të punës që po krijohen nga daljet në pension, si pasojë e trendit në rritje të plakjes së popullsisë. Por, oferta për punë të kualifikuar dhe mungesa e aftësive të punëkërkuesve e kanë bërë Shqipërinë një vend jo atraktiv për profesionet me paga të larta dhe sektorët me vlerë të shtuar. Fabrikat e fasonit, qendrat call center dhe nevojat për kamerierë do të udhëheqin ofertën e punësimit edhe gjatë vitit në vijim.

Sipas një ankete që ka bërë PNUD (Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara) në 2560 biznese në vend për aftësitë në punësim, e cila u publikua së fundmi, kompanitë shqiptare kanë raportuar 44 mijë vende të lira pune këtë vit. Por të dhënat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore raportuan se gjatë vitit të kaluar kanë plotësuar kriteret për pension më shumë se 22 mijë persona, me shumë gjasë këtë vit numri i personave që do të plotësojë kushtet për pension do të kalojë të 25 mijë. Vendet e lira që po krijohen nga daljet në pension zënë 55% të ofertës së punës.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, i cili është punëdhënësi më i madh në vend, me rreth 6000 të punësuar, raportoi se është duke u ndeshur me sfida në pjesën e burimeve njerëzore. Burimet zyrtare të kompanisë pohuan se rreth 45% të punonjësve janë të moshës mbi 51 vjeç, ku 10% i përkasin moshës mbi 60 vjeç. Për të përmbushur nevojat për staf, OSHEE raportoi se pa të nevojshme arritjen e marrëveshjes me shkollat profesionale dhe arsimin e lartë, për realizimin e kurseve, praktikave dhe marrjes në punë të profesionistëve të rinj.
Gjithashtu, kompanitë që kërkojnë aftësi specifike pohuan vështirësitë që ofron tregu i punës në Shqipëri edhe për elemente të veçanta siç është edukata dhe korrektesa në vendin e punës.

Bledar Mankollari, drejtor i kompanisë Forschner, që prodhon pajisje kabllore për autobusët e Benz Mercedes, tha se ka në plan të hapë një njësi të posaçme trajnimi për stafin në formën e një shkolle të licencuar, për të trajnuar stafin që i nevojitet. Zoti Mankollari tha se, aktualisht numri i të punësuarve ka arritur në 600, por se planet për hapjen e një njësie të re prodhimi në Spitallë kërkojnë edhe 1200 punonjës të tjerë. Drejtori i Forschner thotë se procesi i punës është specifik, ndaj kompania i trajnon vetë punonjësit e saj. Por trajnimi i 1200 personave kërkon një angazhim më të madh, ndaj është menduar që ky aktivitet të kryhet në një ambient të licencuar. Ai tha se të rinjtë shqiptarë kanë aftësi të mira të përvetësimit të njohurive, por ju mungon integriteti dhe korrektesa në punë, karakteristikë kjo e vendeve mesdhetare.

Eksperti i politikave arsimore, Ndriçim Mehmeti, tha se Shqipëria aktualisht ka një hendek kualifikimi në profesione që nuk kërkojnë shumë aftësi, si sektori i shërbimeve, bujqësia dhe mekanika. Ai shprehet se modeli arsimor në Shqipëri ka mangësi, në infrastrukturë dhe burimet njerëzore për plotësimin e nevojave për kualifikim, duke rekomanduar plotësimin e nevojave që ka tregu për kualifikime të ulëta. Mehmeti dha alarmin se industria e bareve dhe restoranteve nuk punësojnë të shkolluar për këto shërbime, duke u bërë pengesë serioze për zhvillimin e turizmit. Eksperti i politikave arsimore thotë se cilësia e dobët e shërbimit në hotelet dhe baret shqiptare janë shkaktari kryesor për mosavancimin e turizmit./Monitor

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Emigranti: 25/08/2018 10:33

    Vec fakteve te mesiperme per tubuluare keto kerkesa Qeveria duhet te vendose sanksione te rrepta me :kufirin minimal te pages dhe SIGURIMEVE!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë