Humbjet në sektorin e fasonerisë nuk ndalen. Vetëm në 2 muajit e parë të vitit eksportet e tekstileve dhe këpucëve i tkurrën me 10 milionë euro. Veç zhvlerësimit të valutave që ju ka ulur fitimet pasi kjo industri kontratat i ka kryesisht në euro, sipërmarrësi Florjan Zekja, liston edhe një sërë arsyesh të tjera që po dëmtojnë sektorin.
“Zhvlerësimi i valutës është një fenomen që na ka shoqëruar në 2-3 vitet e fundit që ka qenë vendimtar për rritjen e kostove për industrinë me material porositës. Por ka edhe faktorë të tjerë siç është kriza evropiane, luftërat e ndryshme nëpër botë, rritja e kostove për punëtorë, janë disa faktorë që kanë sjellë që biznesi i manifakturës të mos jetë aq atraktiv”, tha Zekja.
Përshtatja me realitetin e ri të një euroje në kufirin 100 lekë dhe dollari në 90 lekë është e vështirë.

“Të përshtatësh kontratat me një kurs këmbimi i cili për 1 vit e gjysmë ra me 20% është shumë e vështirë, por ka biznese që kanë gjetur alternativa të tjera dhe për të bërë kontrata më të qëndrueshme”, shprehet sipërmarrësi.
Problem vijon të jetë edhe mungesa e fuqisë punëtore, që i ka orientuar këto biznese deri në Filipine.
“Ka biznese që i janë drejtuar vendeve të botës së tretë për të marrë punëtor me një kosto më të ulët për të përballuar mungesën e punonjësve në biznesin e manifakturës. Nga Miamari apo Filipinet janë vende që kanë punonjës shumë të adaptuar me biznesin e manifakturës”, tha Zekja.
Nga ditët e vështira të këtij sektori në vend po përfitojnë vendet e treta deri në Afrikë po rrëmbejnë kontratat që bizneset shqiptare i kishin me të huajit.
“Një pjesë e klientëve tanë kanë filluar të shohin dhe të diversifikojnë prodhimin e tyre në vende të tjera siç është Uzbekistani apo Afrika e Veriut ku kanë filluar të s’postojnë një pjesë të produktit”, pohon ai.
Sipërmarrjet e këtij sektori shitën jashtë mallra me vlerë 175 milionë euro përgjatë janarit e shkurtit nga 185 milionë euro vjet. Ndërsa importet kanë një përmirësim të lehtë prej 1 milionë euro, pasi nga jashtë ky sektor ka blerë mallra me vlerë 125 milionë euro në këtë dymujor të parë të vitit.
Komente

