‘Fati’ i Butrintit diskutohet te ‘Ekonomia’, opozita: Ministrisë s'do i lejohet as që të futet pa leje, po shkelet Konventa e Parisit! Ministrja: Ne jemi pala kryesore! Braçe: Po bëhet propagandë

Shqyrtimi i projektligjit për marrëveshjen e administrimit të Butrintit mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit , në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, nisi me vërejtje edhe sa i përket mungesës së ekspertëve të pavarur. E megjithatë, të pranishëm, krahas përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës të Institutit Arkeologjik dhe studentëve, kësaj here të ishin edhe bashkëthemeluesit e AADF-së Aleksandër Sarapuli dhe Martin Mata. Ky i fundit solli në vëmendje kontributin disa vjeçar të Fondacionit duke e dalluar atë nga Fondi  Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, që është fondi mëmë i krijuar në fillim të viteve ’90 edhe për karakterin filantropik që ka Fondacioni.

 “Sa i përket të ardhurave që do të mblidhen, Fondacioni do të harxhojë çdo qindarkë brenda territorit të Shqipërisë, me synimin për të krijuar një model të qëndrueshëm”, thotë ndër të tjera Martin Mata, bashkëthemelues i AADF

Deputeti Edmond Spaho, solli në vëmendje gjatë fjalës së tij kontestimin e këtij projekti nga specialisti izraelit Giora Solar,  ish-anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA z. Joseph J. DioGuardi, si dhe ekspertëve vendas si Apollon Baçe, Neritan Ceka, Auron Tare , Gjerak Karaiskaj e të tjerë. 

Ai tha se kjo marrëveshje menaxhimi, jo vetëm që është diskutuar që në ’93-shin dhe është hedhur poshtë nga BERZH, por është kundër Konventës së Parisit, që në pikat e saj kërkon që në menaxhim, shteti të jetë palë parësore. Po ashtu Spaho theksoi, konfliktin e interesit për faktin se AADF ka financuar ndryshimet e Ligjit për Trashëgiminë, si dhe tek përzgjedhja e anëtarit të pestë të bordit arkeologun britanik Richard Hodges, ish këshilltar i Edi Ramës në kohën kur ky i fundit ishte ministër kulture...

Një pikë tjetër për të cilin Spaho ngriti shqetësim ishte pika 5.2 e Marrëveshjes ku Ministria i garanton Fondacionit “ gëzimin e plotë dhe të qetë të Pasurisë Kulturore nga Fondacioni ndaj pretendimeve të palëve të treta, dhe pa ndërhyrje nga ana e Ministrisë, subjekteve publike apo palëve të treta si dhe të pengojë çfarëdolloj tjetërsimi, apo dhënie në përdorim, apo administrim të Pasurisë Kulturore apo pjesëve të saj, gjatë Afatit të Marrëveshjes …

Në përgjigje të kësaj ministrja e Kulturës Elva Margariti u shpreh se mbetet shteti që drejton menaxhimin e Butrintit dhe se Fondacioni për çdo ndërhyrje që do të bëjë në sit, do të duhet të marrë leje tek Ministria si çdo subjekt tjetër i Republikës së Shqipërisë

Deputetja Ina Zhupa, gjatë fjalës së saj tërhoqi vëmendjen se Plani i Menaxhimit për Butrintin jo vetëm që nuk është konsultuar me ekspertët më të mirë vendas, dhe literaturën e tyre, por për konsultimin e tij kanë firmosur emra që nuk kanë lidhje me këtë aset, si dhe të tjerë që krijojnë konflikt interesi siç është rasti i Lorenc Bejkos pjesë e bordit të Fondacionit.

Po ashtu Zhupa tërhoqi vëmendjen lidhur me shpenzimet e bordit që për shtatë vitet e para llogaritet nga 50 mijë dollarë, për të cilat Margariti sqaroi që nuk janë paga, por shpenzime jashtë funksionit.

“Të gjithë  anëtarët e bordit janë pa pagesë... bëhet fjalë për funksione shtesë, kosto udhëtimesh, marrje me qira ambientesh etj. gjithmonë nëse do të jetë e nevojshme...”, tha ministrja e Kulturës, Elva Margariti .

Akuzat e Zhupës dhe deputetëve të tjerë të Opozitës për faktin se Butrinti po jepet falas, Braçe thotë se vijnë në kuadër të propagandës dhe interesave politikë. Gjatë fjalës së tij ai theksoi se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me koncesion, ndonëse sipas tij, kjo terminologji nuk do të duhet të përdorej me konotacion negativ.

“Kemi rastin e Aeroportit, ku Fondi Amerikan ishte pjesë, ishim ne që e bëmë atë koncesion dhe ju shkuat e duartrokitët”, tha Braçe duke folur dhe për rastin e kartave të identitetit, që iu dha atyre që dinin ta bënin më mirë, sipas tij.

Po ashtu, deputeti theksoi faktin se Fondacioni nuk është privat, por publik, i krijuar nga vendi ynë dhe SHBA-të.  Në përgjigje të kësaj, deputeti Bujar Leskaj, tha se Fondacioni Shqiptaro-Amerikan, është OJF, ndërsa Fondi është institucion publik. 

“Kem ne interesa? Po kemi që pasuria atje të zbulohet plotësisht! Interesi tjetër i madh është që ai sit të vlejë nga pikëpamja ekonomike për zonën por edhe për Shqipërinë .Është shumë e rëndësishme që kësaj marrëveshje ti shkojmë deri në fund, dhe kontrollit po ashtu. Shqetësimi im është që ky sit të mos rrethohet e të mos e humbi peizazhin e vet. Pra që të ketë vlerë duhet ruajtur zona e mbrojtur. Mua më vjen keq që Parku ka nisur të kafshohet , mua më shqetëson se sa e aftë do jetë Ministria dhe Fondacioni për ta mbrojtur parkun “, thotë ndër të tjera Braçe…

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja