Eksluzive, jeta prej emigranti e Dashnor Mehmetit, ose si të ikësh 7 herë malit nga Shqipëria në Greqi për më shumë se 10 ditë! Frika, pasiguria, çuditë e rrugës dhe puna sot si murator.
Rubrika Amarcord shkon në Bazën e Pashalimanit! Si funksiononin nëndetëset dhe fati i nëndetëses 105 sot! Rrëfimi eksluziv i Komandant Et’hem Hamzarajt mes regjimit monist dhe shkarkimit nga kjo punë në demokraci.
Esencë Arkiv, Uvil Zajmi tregon jetën tonë për Shqipërinë e mbyllur të viteve 70-të. Shkaqet dhe pasojat jo edhe aq njerëzore për një mbyllje ekstreme!
Ditar nga e kaluara, çfarë përfaqëson data 6 shkurt në Historinë e Shqipërisë dhe cilët personazhe me rëndësi fshihen brenda saj?
Esencë, çdo të premte ora , ora 21:00 me Eljan Taninin në Report Tv
Në pjesë e parë të emisionit Esencë ishte i ftuar Muratori dhe ish emigranti Dashnor Mehmeti. Tanini e pyeti Mehmetin në lidhje me jetën e tij sa personale aq edhe shqiptare.
Eljan Tanini: -Nori, çfarë është kjo eksperiencë e jotja si emigrant mes vuajtjesh dhe lumturish njerëzore? Na e trego të lutem edhe për ata të rinj që nuk e kuptojnë ikjen malit për një jetë më të mirë?
Dashnor Mehmeti: -Kam qenë 23 vjeç kur ika për herë të parë në Greqi. Ishte hera e parë, por jo e fundit. Në total kam kaluar kufirin shtatë herë, gjithmonë nga mali. Ikje nate, rrugë pa rrugë, me frikë dhe shpresë bashkë.
Gjithmonë kalonim natën malit. Kam parë fëmijë e pleq që merrnin të njëjtën rrugë, të lodhur, por të vendosur. Në mars të vitit 1992 kaluam natën në Gramoz. Ishte terr, ftohtë dhe çdo hap ishte i panjohur. Flinim kudo që na zinte nata. Shpesh nuk kishim as ushqim me vete.
Gjithmonë bëheshim grup për të ikur. Edhe herën e dytë ishte njësoj. Natën grekët shpesh na ndihmonin, jo pak herë na shpëtonin. Por jeta atje nuk ishte e lehtë. Atje ku u ndala në Lamia më ra shorti i keq të punoja me katër suvaxhinj, por u përshtata shpejt. Jeta ishte e varfër: 300 gram gjalpë e ndanim më dysh, për mëngjes dhe darkë. Nuk e harroj kurrë një burrë të moshuar që më sillte bukë, një gjest që më mbeti në zemër.
Në Greqi nisën të më thërrasin Thanas. Fillova të punoj, të ndërtoj mure prej guri. Policia më ka kapur tri herë. Kapeshin shumë emigrantë, autobusi mbushej plot dhe na kthenin në Shqipëri. Herën e tretë na kapën ushtarë të kthyer në policë.
Një natë rashë në një pus, shumë thellë. Po të mos ishin shokët që më gjetën më pas, nuk e di si do të kisha përfunduar. U detyrova të ikja rrugës për në Lamia me një këmbë të dëmtuar. Rruga zgjaste 8 deri në 10 ditë. Komunikimi ishte baza e gjithçkaje, arma jonë e vetme për të mbijetuar.
Si shqiptarë nuk na donin, por si punëtorë po. Grekët na ndihmonin: na fshihnin nga policia, na çonin në spital, na mbanin afër, si njerëz të vetët.
Kemi bërë shumë sakrifica për jetën. Më iku jeta andej, nëpër male, nëpër rrugë, nëpër frikë. Një profesor grek donte të bëhej kumbar i vajzës sime. I thashë jo se jam bektashi. Ai buzëqeshi. Ishte një nga ato momente që të bëjnë të besosh se, edhe në emigrim, njerëzia nuk humbet kurrë.
Në pjesën e dytë të emisionit Esencë ku shpaloset Rubrika Amarcord, Tanini lëvizi për në bazën e mrekullueshme të Pasha Limanit në Vlorë për të njohur më tej historinë dhe fatin tragjik të asaj që është pagëzuar nga Ismail Kadare si Nëndetësja 105. Takimi në bazë me Ish Komandantin e Nëndetëseve ishte thuajse historik.
Eljan Tanini: -Përse ka kaq shumë tragjizëm shqiptar me këto hekura deti që i kanë mbijetuar kohës si fate të së shkuarës?
Et’hem Hamzaraj: - Për 19 vite me radhë, jeta ime ishte deti. Pashalimani nuk ishte thjesht vend pune, ishte shtëpi, ishte përgjegjësi, ishte heshtje dhe rrezik. Në vitin 1958 u krijua baza e Pashalimanit, dhe pak më herët kishin mbërritur edhe katër nëndetëset e para. Për herë të parë, Shqipëria preku teknologjinë e thellësive.
Ishim njerëz që jetonim nën ujë. Njëra nga nëndetëset që komandoja qëndroi 21 ditë pa dalë asnjëherë në sipërfaqe. 21 ditë errësirë, presioni, disiplinë dhe besim absolut te njëri-tjetri. Mund të zhytej deri në 200 metra thellësi. Çdo metër poshtë ishte një sfidë me jetën.
Njëherë, kinezët vendosën alarmin: po mbyteshim. Ishim mbi 125 metra nën ujë. Alarmet binin, ajri rëndohej, sytë takoheshin në heshtje. Në ato çaste kupton sa e brishtë është jeta dhe sa e fortë duhet të jetë mendja e komandantit. Bateritë akumulatore peshonin rreth 700 kilogramë. Çdo gjë aty poshtë kishte peshë fizike dhe shpirtërore.
Nëndetëset kishin buxhet të madh, kalonin çdo pritshmëri. Ishin krenaria e flotës. Rrinim në bankinë me të gjitha shërbimet, gati për çdo urdhër, për çdo situatë. Por koha ndryshoi gjithçka. Në Demokraci na nxorën në rrugë. Ata që kishin mbrojtur detin, nuk i donte më askush.
Rreth viteve ’80 u bë një qitje me silur. Rezultatet ishin të shkëlqyera. Grupi i sulmit e përmbushi misionin me saktësi. Nëndetësja peshonte 1300 ton nën ujë dhe 1046 ton mbi ujë. Mbante rreth 56 vetë në bord, 56 jetë që vareshin nga profesionalizmi, nga qetësia dhe nga komandimi.
Furnizohej me 117 ton naftë. Edhe numrat e bordit ishin sekret. Çdo detaj ishte sekret. Jeta jonë ishte sekret.
Sot, kur e kujtoj Pashalimanin, nuk më vjen era e naftës apo tingulli i motorëve. Më vjen në mendje heshtja nën ujë, përgjegjësia e madhe dhe ndjenja e hidhur se historia ndonjëherë i harron ata që kanë qëndruar më thellë se të gjithë.
Në pjesën e tretë të emisionit Esencë, Publicisti Uvil Zajmi tregoi jetën e jetuar prej dhe shqiptarëve mbi krizën politike të pas viteve 70të dhe mbylljen e përhershme.
Eljan Tanini: -Kujtesë nga një brez. Më trego të lutem disa fakte të jetuara mbi një mbyllje të menjëhershme dhe kolektive në burg të hapur, përse?
Uvil Zajmi: - Kam mall. Mall të thellë, të qetë dhe të dhimbshëm njëkohësisht. Kam mall për Shkollën 8 vjeçare “Avni Rustemi”, për korridoret e saj, për bankat prej druri dhe mbi të gjitha për mësuese Violeta Gjergjin, zërin e së cilës ende e dëgjoj kur mbyll sytë. Në klasën ku jam shkolluar unë, sot ende votoj. Është po ajo klasë: e 5 C. Koha ka kaluar, por muret mbajnë kujtesë.
Gianni Morandi nuk do ta besonte kurrë që, me këngët e tij, unë mësova italisht, ia kam thënë nga afër. Radioja dhe televizioni ishin dritaret tona drejt botës. Broadway, shëtitja e mbrëmjes për ne, ishte liria më e madhe që mund të imagjinonim. Një shëtitje e thjeshtë, por me zemër të madhe.
Për ne, Hitparade nuk ishte vetëm muzikë. Ishte edhe të dëgjoje Mike Bongiorno-n teksa thoshte se mbiemri i tij kishte lidhje me Mirditën shqiptare. Aty ndiheshim pak më të parë, pak më të dëgjuar. Televizioni dhe radioja ishin hapje e madhe, frymëmarrje në një realitet të mbyllur.
Pastaj erdhën goditjet. “Njolla të murme” dhe festivali i fundvitit shënuan fillimin e mbylljes. Në sport u shkëputëm, në kulturë po e po. Liria u zbeh, shpresa u rrudh. Rrugët u mbushën me grupe rinie që, në vend të ëndrrave, të shkatërronin jetën. Ishin vite të rënda, të heshtura, pa zë.
Plazhi ishte vendi ku pretendohej për pak liri. Një horizont i hapur që nuk të lejohej ta përjetoje plotësisht. Shfaqja “Alba”, nga Skënder Selimi, ishte një nga modernizmat e rrallë të kohës, një dritë e vogël në errësirë.
Askush nuk të linte askund me flokë të gjata. Edhe pamja ishte faj. Nuk e prisja kurrë që sistemi do të binte. Ishin vite kur nuk thonim kurrë “ok”, por drejtoheshim me “pardon”. Një fjalë e huaj për një liri që ende nuk e njihnim, por e ndjenim se ekzistonte diku. Befas çdo gjë u mbyll me pasionin për të kthyer një gri të hekurt, hymë në krizë politike me të gjithë, edhe me veten pas shkatërrimit të lidhjeve me Kinën ra çdo gjë!
Në pjesën e katërt, rubrika Ditar nga e kaluara ndalet në disa data me peshë historike të bashkuara jo thjeshtë me numrin dhe kohën kalendarike 6 shkurt.
- 6 shkurt 1947, ndërroi jetë Qazim Kastrati. Duke nisur nga viti 1940 ai mbajti detyrën e sekretarit të shtypit për Mbretin Zogu I-rë, në Paris dhe në Londër. Kastrati punoi për 10 vjet më radhë në seksionin e gjuhës shqipe në BBC. Në valët radiofonike, Kastrati lakoi aspiratat e popullit shqiptar për publikun anglez. Me ndihmën e Miriam Tildesley, mikeshën dhe kolegen e Edit Durhamit, formoi grupin “Miqtë e Shqipërsië”.
- 6 shkurt 1967, Feja ndalohet me ligj nga regjimi Komunist, i cili kishte kohë që përgatitej për këtë goditje finale ndaj popullit, u shkatërruan rreth 2169 objekte kulti
- Vaçe Zela, ylli i këngës shqiptare u shua më 6 shkurt të vitit 2014 në Bazel të Zvicrës
Komente










