Elizabeta Imeraj, një prej prokuroreve më të njohura në vend, me 17 vite eksperiencë në organin e akuzës, e cila deri sot mbante pozicionin e drejtueses së Prokurorisë se Tiranës, del përfundimisht nga sistemi.

Imeraj, e cila njihet se prokurorja e dosjeve të bujshme është shkarkuar nga detyra nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pas seancave maratonë të zhvilluara si rrallë herë në procesin e vettingut.

Vendim unanim 5 më zero nga ana e trupës gjykuese të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të drejtuar nga ish prokurorja e Përgjithshme Ina Rama.  KPA e gjeti me probleme znj. Imeraj në të 3 shtyllat e vlerësimit.

Gjatë leximit të vendimit, Ina Rama tha se Imeraj nuk justifikon pasurinë, duke evidentuar pronën 2500 m2 tek ish fusha e aviacionit dhe sipas saj s'ka burime të ligjshme.

"Po ashtu edhe për tokën arë të ndodhur në Mullet s'ka burime. Për apartamentin  ndodhur në Tiranë prej 66 m2 dhe shtesë subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të pasaktë. Për shlyerjen e kredive të marra në 2006 dhe në 2008 subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur kanë patur pamjaftueshmëri për shlyerjen e këtyre kredive”, tha ajo.

Sipas saj për figurën rezulton se subjekti ka mohuar faktet për ish- kunatin, duke treguar jo korrektësi të magjistratit. 

"Subjekti ka treguar sjellje jo profesionale duke kontaktuar përfaqësues të ONM që ndiqte procesin e saj. Vendosja e kontakteve me ONM për çdo arsye e jo e duhur dhe jo ligjore. Është sjellje e papërshtatshme", tha Ina Rama, teksa njoftoi shkarkimin. 

Një javë më parë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u zhvillua seanca ndaj drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, ku palët dhanë konkluzionet përfundimtare. Në përfundim të 6 orëve seancë, u vendos që vendimi përfundimtar nëse do të përjashtohet ose jo nga sistemi i drejtësisë do të jepej sot (27 prill).

Imeraj kërkoi që të lihet në fuqi vendimi i KPK që e konfirmoi në detyrë, teksa komisioneri Publik Florian Ballhysa, në raportin e tij kërkoi shkarkimin e saj me argumentin se nuk plotëson asnjë nga tre kriteret e vetting. Sipas tij, ankimi është paraqitur brenda afatit dhe është ligjërisht korrekt. Ballhysa ka thënë se sa i përket pasurisë Imeraj në deklaratat nga viti 2004 deri në vitin 2016 s’ka deklaruar asnjë pasuri që lidhet prej regjimit martesor. Lidhur me truallin me sipërfaqe 2500 m2, ndodhur në Tiranë komisioneri publik tha se Imeraj as në proceset në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nuk provoi të kundërtën e asaj që ka gjetur Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Elisabeta Imeraj kaloi me sukses shkallën e parë të vetting-ut, por u përball në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit të Institucioni i Komisionerit Publik kërkonte shkarkimin e saj nga detyra. Për OMN kryeprokurorja e Tiranës duhet të rivlerësohej për të tria kriteret. Sipas Komisionerit Publik, Imeraj kishte probleme me pasurinë e ish-burrit dhe me integritetin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:51
Avokati i Elizabeta Imerajt: Procesi i vetingut në Shqipëri ka dalë jashtë kontrollit

 

Avokati i huaj i Elisabeta Imerajt, Gregory Thuan Dit Dieudonne, u shpreh i zhgënjyer nga procesi i vetingut ndaj klientes së saj.

“Unë dua të them se sot është një ditë e trishtë për Shqipërinë. Sot në vërtetuam se vetingu është duke shkuar keq dhe është jashtë kontrollit. Unë nuk kam parë asnjë proces tjetër me prova kaq të fabrikuara. Ju keni humbur një aset shumë të madh”, tha avokati.  

Ora 15:36
KPA e shkarkoi, Elisabeta Imeraj: Kush e kërkon shkarkimin tim, vetëm kësaj pyetje s'iu dha përgjigje

 

Pas shkarkimit, flet Elisabeta Imeraj.

"Ajo që pretendohet nga reforma në drejtësi është që zëri i secilit palë të jetë i dëgjushëm, normalisht nuk e lidh këtë me situatën perdonale, në KPA jam drejtuar me pyetje konkrete "kush e dëshiron shkarkimin e Elisabeta Imeraj", vetëm kjo pyetje nuk u dha, duke qenë se kjo cështjhe pati interes të shtuar të medias, jeni të ftuar në cilësinë e gazetarëve dhe të medias që të merrni çdo fletë të dosjes hetimore që në KPK që vërtetohet që Elisabeta Imeraj ka zero pasuri në Shqipëri dhe jashtë saj, çdo akt të dosjes që lidhet me element që kanë të bëjnë me figurën, puna ime në vite ka folur më së miri se çfarë pune dhe çfarë funksioni është kryer puna e Prokurorit, me çështjet e përfafaqësues, 160 të pandehur janë dënuar me vendim të prerë dhe vetëm 3 prej tyre kanë marrë pafajsi, nuk kanë respektuar propocianali. Ajo çfarë reforma në drejtësi synon është një sistem i pavarur që tejçon besimin te publiku që mendon se të japin vendime në bazë të provave, pavarësisht presioneve politike, ekonomike, kriminale apo ndërkombëtare, jam munduar që të prezantoj jo për vete, por për të gjithë ju që në cdo moment nga ana ime është vërë e mundur dhe janë vënë prova që ky proces ka qenë i afektuar që në fillimet e tij, edhe për shkak të lidhur ngushtësisht të kartelave të justifikuara, nëse reforma në drejtësi është që të sjellë si qëllim që të bazohemi në dokumentacion me denoncime anonime, atëherë është e vërtetë Elisabeta duhet shkarkuar", tha Imeraj.