Fatkeqësia e votës shqiptare, hall për t’u zgjidhur dhe jo festë për të zgjedhur

Fatkeqësia e votës shqiptare, hall për t’u zgjidhur dhe jo festë për të zgjedhur

Foto ilustruese

Ka njerëz, të cilët shënjohen nga fati i keq që në lindje, pikërisht prej atyre që i kanë dhënë jetën. Gjergj Luca, biznesmeni kontravers i Rozafës, ka pasur fatkeqësinë e madhe që në çdo hap të vetin, t’i kujtonin të atin e madh. E krahasonin me Ndrekën nëse bënte diçka të gabuar për ta bërë shumëfish fajtor dhe i kujtonin Mimikën kur i relativizonin të mirën e mundshme që bënte. Pesha shtypëse e dy prindërve hijerëndë duhet të ketë qenë dramë për atë që e nisi jetën si i biri i “Atyre” dhe synon të rimërtojë ata si prindërit e “Atij”. Ndrek e Mimika Luca me të gjitha gjasat nuk kanë patur mundësi t’i mësonin birit se rebelimi dhe jo kokëulja, se zhurma dhe jo heshtja, se veprimi dhe jo prehja, janë recetat ideale që afrojnë jetë të qetë, ngrohtësi dimri dhe freski vere. Kush bën zgjedhjen e përkundërt, duhet të përballojë sprovën me dy fatkeqësi të epërme: Fati i keq për të qenë mik i gjithkujt dhe fatkeqësia e të njëjtës përmasë, për të mos pasur armiq të rëndësishëm. Mungesa e tyre është atribut vetëm i anonimëve që anonimatin e kanë lëkurë të shtatë dhe shans për t’i dhënë vetes një jetë më shumë në shtatë jetët prej maceje salloni.

Nga kryeqëndra e zgjedhjeve të këtij viti, nga Elbasani, Gjergj Ndrek Luca, me të folurën e zakonshme në zhargonin bisedimor të shqipes foli më qartë dhe më kuptueshëm se shumica dërmuese e një ushtrie të tërë kandidatesh e kandidatësh për zgjedhje. Duke tentuar një punë të rradhës në dobi të komunitetit në zonën ku ai ka ngritur biznesin e tij – peshk mes maleve, njëlloj si stan bagëtie në mes detit – përballë banorësh të ndarë në të majtë e të djathtë, ai ju shpjegoi thjeshtësisht se ka një flamur të përbashët mes tyre. Se tranzicioni i frikshëm shqiptar është edhe një rrjedhojë e partitokracisë. “Mos shisni votën, mos i dëgjoni horrat. Dëgjoni shpirtin tuaj kur të votoni!”. Një mesazh i thjeshtë që pakkujt ja bën gurmazi ta nxjerrë jashtë. Që nëse do të ishte ndryshe, do të bënte që koburet të rrinin në këllëf dhe gjuhët ushtarake të dhembnin heshtjen ndër dhëmbë. Ky është mesazhi që jep dikush, i cili si gjithë të pasurit e kësaj dynjaje mund të ripërsërisë se me përjashtim të milionit të parë, mund të shpjegojë sesi ka fituar çdo milion tjetër. Në kontrast me dikë në politikë që është gjithashtu milioner, i cili ka treguar me hollësi sesi e ka fituar milionin e parë, por refuzon të tregojë sesi ka shtuar milionat e tjerë.

Ka shumë shpjegime se pse zgjedhjet në Shqipëri janë një hall për t;u zgjidhur. Gjysma e qytetarëve mendojnë se do të jetojnë më mirë se gjysma tjetër nëse fiton partia e tyre. Tifozë pasionantë pa qenë kurrë lojtarë dhe lojtarë që nuk ja kanë as vetë idenë se pse i kanë thirrur në lista partiake, bëjnë amalgamën e frikshme të tensionit që premton të sillet si tritol. Fatkeqësisht Shqipëria ende i konsideron zgjedhjet si një hall për t’u zgjidhur dhe jo si një festë për të zgjedhur. Sepse një nga dështimet më spektakolare të saj është pikërisht pamundësia për të ndërtuar një klasë politike minimalisht normale: të aftë që të ndryshojë dhe të ndryshohet, që të jetë e zonja të jetë e parashikueshme, e përkohshme dhe e ndëshkueshme. As Doktori dhe Nano dikur, as Rama e Meta tani, nuk kanë mbas shpine etërit politikë që njëlloj si Gjergji kontravers me Ndrekën dhe Mimikën, të ndjejnë peshën e tyre në shpinë. Asnjë nga ta nuk ka pas peshën e rëndë të moralit për t’ja lënë birit trashëgim. Sepse duan të jenë të përhershëm, të paparashikueshëm dhe mbi të gjitha, të pandëshkueshëm! Me përjashtim të Berishës me Bashën, ku biri tejkaloi madje edhe atin ekstremist: ndryshe nga forma që gënjen, radikal në ekstrem, Basha bëri akt e fakt atë që Berisha vetëm e kishte kërcënuar. Shkallmoi themelet e sistemit me djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale.

Të gjithë bashkë, njerëzit që kanë qeverisur Shqipërinë dhe janë ofertë për t’u zgjedhur në 25 prill, kanë pasur fatin e madh të kenë votues që nuk e llogarisin të mirën si të drejtë që ju përket, por si privilegj që ju jepet. Kanë për votues qytetarë që të ligën e konsiderojnë si mallkim natyre dhe jo si “dhuratë” qeverisjesh. Dhe gjithashtu kanë për votues ata që nuk votojnë kurrë, që ankohen gjithmonë dhe besojnë kriminalisht se ky vend nuk bëhet.

Herë me një premtim të përsëritur, por të harruar, herë me një gënjeshtër lozonjare që besohet më lehtë se një mijë të vërteta, Shqipëria është qeverisur nga njerëz që shumë shpesh, bashkë dhe veç e veç, kanë qeshur me të madhe, kanë kërcitur gishtat si mbas dorës fituese në kazino dhe kanë thenë si dikur Ndrek Luca në anijen e arratisë që nuk përfundoi dot kurrë në Perëndim: “…por kjo ishte loja, more…!”

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja