Të cilën, ai e ka fituar pas jetës së tij prej gati 20 vjetësh si emigrant në qytetin e Astit, në Italinë veriore. Sot Fatmiri ka familjen e tij të mirë atje, në Asti, dhe malli për Myzeqenë e tij të zemrës, e sjell vazhdimisht në vendlindje. Ka edhe një pasaportë tjetër qytetari Fatmir R.Gjata: pasaportën e poetit myzeqar. Frymëzimet e tij djaloshare, qysh se ishte fëmijë pra, e bënë atë një prej penave të spikatura në qytetin e tij të vendlindjes fillimisht.
Dhe sot, mjaft të njohur edhe në atdheun e tij të dytë, në Itali, përmes tre vëllimeve poetike, titulluar: “Mjelma nën dritën e hënës”, “Engjëjt e shuar” dhe “Valsi i tretë” Pikëtakimi ynë me Fatmirin është pikërisht qendra e gravitetit të qytetit të Fierit, sheshi i bardhë para teatrit, ngjitur me një park të blertë, që gjelbëron në të katër stinët e vitit. Dhe, ndërsa fillojmë të bëjmë njohjen me të dhe me jetën e tij, për kameran e A1 Report dhe gazetën Shqiptarja.com, ai na propozon të nisemi në një udhëtim jo shumë larg qytetit të Fierit: në fshatin Darzezë, një fshat mjaft piktoresk, në të cilin poeti Gjata thotë, se ka vizituar shpesh në vitet e fëmijërisë së tij, kur vinte aty së bashku me babain e tij të mirë. Poetët përgjithsisht i ngjajnë figurave poliedrike dhe unë e ndjej, se ky udhëtim do të jetë befasues, ashtu si edhe poezia e Gjatës, të cilën ka vite që e shijoj dhe më sjell kumbime magjike, sa herë e lexoj.
Laguna e Vërnicës dhe fshati Darzezë
40 minuta duhen për të mbërritur në sheshin e vogël të fshatit Darzezë. Në shesh mbretëron një qetësi olimpike, por ja tek duken dy burra të moshuar, reth 80 vjeç sejcili. Fatmiri vjen pranë tyre dhe, pasi përshëndetet, bën njohjen me ta, si një burrë që ka vite që është larguar nga atdheu për shkak të emigrimit dhe që Darzezën, fshatin e vogël ndanë lagunës së Vërnices, ose më gjatë, ndanë lagunës së Karavastasë, nuk ka për ta harruar kurrë. Për t’u ndjerë më i afërt me dy vendasit, ai kërkon të dijë prej tyre cilat janë ndryshimet e prekshme gjatë 20 vjetëve në fshat dhe, cila është origjina e emrit të fshatit Darzezë. “Shumë, shumë ndryshime kanë ndodhur, qysh nga koha kur ti paske ardhur këtu, mor bir.
Fshati ynë është rritur. Njerëzit meren më shumë me bujqësi dhe me peshkim, por edhe hallet janë gjithashtu të shumta. Por, kur të hysh brenda lagjeve, llafosu vetë me banorët dhe të thonë ata për të gjitha ndryshimet…” – thotë burri që duket pakëz më i ri, se tjetri. “Dhe emri Darzezë?” – ngul këmbë Fatmiri. “Ah, po. E mer fjalën tjetri, më i moshuari, që mban në kokë një kasketë të sheshtë dhe që duket më simpatik se shoku i tij. ” Ti e di, që fshati ynë është krijuar, kur këtu u ndërtua ishNdërmarja e Shfrytëzimit të Gazit.
Darzeza njihej si zona më e pasur me gaz në Shqipëri dhe këtu ishin hapur plot 32 puse gazi. Mirëpo duheshin njerëz për të punuar në gaz. Dhe, në kohën kur në Gramsh u projektua ndërtimi i hidrocentralit të Banjës, atëhere njerëzit që banonin në zonën ku do të bëhej liqeni i hidrocentralit, i shpërngulën dhe i sollën këtu, në Vërnicën e vjetër. Unë dhe miku im jemi nga Gramshi, nga fshati Darzezë i Gramshit pra. Dhe bashkë me ne erdhën mbi 200 familje dhe, pasi u vendosëm këtu, në pallatet e ndërtuar për ne, atëhere i drejtuam një kërkesë pushtetit të asaj kohe, për t’ja vënë emrin e ri fshatit të gazit – Darzezë.
Që emri i fshatit tonë të mos humbiste pra. Darzezë, Darzeza e Re. Origjina?...Sipas legjendave, në fshatin tonë të vjetër, para qindra vjetësh, rritej një dardhë e zezë. Dalngadalë fshati nisi të thirej Dardhë e Zezë, derisa shkurtimisht, u shëndrrua në Darzezë. Kjo është historia.” Fatmiri vë buzën në gaz dhe, pasi përshëndetet me dy pleqtë, kthehet me fytyrë nga laguna. Ajo është e bukur, e virgjër, si prej qindra shekujsh. Tej, unë shquaj një tufë pelikanësh të bardhë, që janë rikthyer dhe kanë ndërtuar folezat e tyre të hershme. Kjo, favorizuar edhe për shkak të moratoriumit të qeverisë shqiptare për ndalimin e gjuetisë për disa vjet në të gjitha lagunat e vendit, me qëllim rikthimin e tyre në vendbanime për zogjtë dhe kafshët e tjera, që atdheun e tyre kanë pasur pikërisht këto laguna.
Pas disa kallamishtave lëvizin në qetësi disa varka peshkatarësh. Një burrë në moshë mesatare, ngre një shkop të madh në ajër dhe më pas e vertit atë drejt ujrave të lagunës, për të “rrahur” peshqit dhe ngjalat, që duket sikur kanë rënë në gjumë letargjik. Disa peshq të trembur ngrihen lart, në fluturim dhe peshkatarët zgjasin rrjetat…Duhet thënë se laguna e Vërnicës gjendet shumë afër detit Adriatik. Reth një muaj më parë këtu dallgët sollën tragetin Italian, që u dogj dhe në të cilin humbën jetën mbi 40 njerëz të pafajshëm.
Jemi pra pikërisht këtu, ku valët e detit sollën edhe një varkë shpëtimi nga trageti, si dëshmitare të asaj tragjedie. Por, duke lënë pas kujtimet e hidhura të asaj tragjedie, ne, sëbashku me Fatmirin, shkojmë në qendër të fshatit. Darzeza, sipas kryetarit të fshatit Neki Tafa, banohet prej reth 2500 banorësh. Këtu, papunësia është shumë e lartë. Njerëzit ankohen, se janë një vend shumë i pasur me gaz, por gaz për nevojat e familjeve të tyre, nuk ka. As për gatim e as për ngrohje. Kjo, sipas Nekiut, sepse administratorët e puseve të gazit kanë bërë pazare me tregtarë të shumtë për t’ua dhënë atyre gazin, i cili qysh prej vitit 1994 është bllokuar në çdo pus. Nuk ka gaz.
Por banorët, të zëmëruar, në mungesë edhe të energjisë elektrike dhe lëndës drusore, thotë kryeplak Nekiu, i janë vërsulur pyllit ndanë lagunës dhe po e presin, për të siguruar dru zjarri për ngrohje. Nuk është gjë e mirë, thotë ai, por njerëzit nuk dijnë ku të përplasen. Edhe diçka tjetër, i shpjegon ai Fatmirit dhe ne, grupit të xhirimit.
Unë vetë jam nga Gramshi, por edhe pjesa dërrmuese e fshatarëve. Tokat e të parëve tanë janë atje, në Gramsh, në Darzezën e vjetër dhe pas ’90-tës, ne nuk na lënë të kthehemi atje, por as na i kthyen pronat e të parëve tanë. Për kompensim, na dhanë toka këtu, buzë lagunës. Mirëpo toka këtu është e kripët, jemi buzë detit dhe për shkripëzimin e saj duhen qindramilion euro, që ne, si banorë, nuk kemi ku t’I gjejmë. Toka pra këtu, po shkon drejt vdejkjes. Atëhere, gaz jo, punë jo, toka jo…me se do të jetojmë ne?
Poezia e Fatmirit
Mbi fshat po bie mbrëmja. Me Fatmirin shkojmë në një bujtinë vendase. Ku i zoti i shtëpisë, ka ndezur oxhakun dhe flakët e zjarrit krijojnë një mjedis të ngrohtë dhe intim. Dilaveri, kështu quhet i zoti i bujtinës, sjell në tryezën afër oxhakut, dy shishe verë, disa mollë të kuqe dhe pak peshk. “Fatmir, flasim pak për poezinë tënde?” – e ngacmoj unë Fatmirin. Ai ve buzën në gaz, mer në dorë vëllimin e tretë me poezi “Valsi i tretë” dhe, i lumtur, thotë: “Po Agim. Nuk janë vetëm kujtimet, që më sollën këtu në vendlindjen time, në Fier. Por është edhe ky vëllim i ri me poezi, të cilin kam ardhur t’jua sjell të gjithë miqve të mi. T’ja sjell Myzeqesë sime, të cilën nuk e ndërroj me asnjë vend në botë.”
Pastaj, ai përkulet mbi libër, shfleton ngadalë dhe ndalon…nis reciton një prej perlave të tij, që i kushtohet Myzeqesë së tij të dashur. Pasi lexon, i emocionuar Fatmiri thotë, se ai është një njeri që jeton njëherësh shumë dashuri: dashurinë për jetën; dashurinë për familjen dhe gruan e jetës; dashurinë për miqtë, për poezinë, për gjithçka, që e rrethon.
“Por, këmbëngul ai, dashuria ime më e madhe, është dashuria për Myzeqenë time. Unë kam vërtet dy pasaporta; unë kam vërtet dy atdhe: Shqipërinë dhe Italinë. Por për mua, mbi Italinë qëndron atdheu im i parë, Shqipëria. Madje mbi Shqipërinë, qëndron dashuria për Fierin tim, për Myzeqenë time. Është si puna e baltës, që të ngjitet pas këpucës dhe nuk të shqitet për një kohë të gjatë, deri ne vdekje. Unë jam Myzeqar dhe do të mbetëm i tillë, me të gjitha dashuritë e mia…”
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 shkurt 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)