Deputeti socialist Fatmir Xhafaj ka folur për herë të parë pas certifikimit zyrtar të rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit ku ai u rendit si më i votuari në qarkun e Tiranës dhe si i dyti më i votuari në rang kombëtar.
I renditur i 23 si kandidat në listën e qarkut të Tiranës, Xhafaj rrëfen dinamikat e fushatës së tij elektorale qysh nga shpallja e listës e deri tek shpallja e rezultatit.
Gjithashtu, në ish ministri i Brendshëm përcjell një mesazh për bashkëpuntorët, kritikët por edhe kundërshtarët e tij politik. Deputeti socialist tregon edhe raportet e tij me kryeministrin Edi Rama si dhe kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj.
Intervista e plotë dhënë për gazetën “TemA”:
Tashmë duket se rezultati i zgjedhjeve elektorale po shkon drejt certifikimit dhe PS qartazi rezulton fituese. Ju keni deklaruar më herët në media se PS do të marr 73-74 mandate. Si ndjeheni tashmë?
Në krye të së gjithave më lejoni që përmes jush të dërgoj një përulje me shumë respekt për të gjithë ata që më 25 prill votuan PS për një mandat të ri qeverisës. Besoj se edhe në këtë rast, në kushtet reale ku gjendet vendi dhe situata politike aktuale, shqiptarët kanë bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme, zgjidhjen e duhur. Ky është mandati i tretë qeverisës për PS dhe do ta konsideroja mandatin më të vështirë të historisë së derisotme politike. Nuk ka fare vend për eufori, përkundrazi për më shumë maturi e përgjegjësi për ne si fitues. Koha deri në krijimin e qeverisë së re duhet të jetë një periudhë e fortë reflektimi për të gjithë, për të vlerësuar me pjekuri dhe përgjegjshmëri ecurinë e dy mandateve të mëparshme, aspektet ku duhet përmirësuar cilësisht sistemi i qeverisjes, fokusi i saj në shërbim të qytetarëve dhe së ardhmes, ekipet përkatëse në të gjitha nivelet dhe sidomos në disa sektorë problematikë, etj. Ky do të jetë një mandat sfidash të mëdha për vendin dhe padyshim për PS, dhe qeverisjen e saj me përgjegjësinë e veçantë përball qytetarëve që na dhanë një besim të ri për një shpresë të re.
Z.Xhafaj, ju ishit i listuar i 23 në listën e PS dhe mundët të merrni rezultatin më të lartë në listën e qarkut të Tiranës si dhe të dytin më të lartë në rang kombëtar. E prisnit një bilanc të tillë?
Pyetja juaj më jep përsëri mundësinë që të shpreh nga zemra nderimin dhe falënderimin e përzemërt për të gjithë vlerësimin e lartë që qytetarët e qarkut të Tiranës shprehën edhe njëherë me votë ndaj meje më 25 prill, duke ju thënë: MIRËNJOHJE TË GJITHËVE! Është padyshim një nga fitoret dhe sukseset më të mira, dhe më kuptimplota të karrierës sime politike. Atë që konsiderohej e pamundur me renditjen në listë, qytetarët e bënë të mundur me mbështetjen e tyre me votë të lirë. Kjo është fuqia reale e votës kur njerëzit besojnë te forca e tyre. Më lejoni të ritheksoj se për mua personalisht s’ka qenë në asnjë rast dhe për asnjë arsye si synim gara për pozicionin në renditje. Qëllimi ka qenë të përmbush sfidën time, të kontribuoj për rezultatin e PS dhe të marr numrin e nevojshëm të votave për të qenë pjesë e legjislaturës së ardhshme në funksion të vazhdimit të disa betejave të nisura që tashmë i kam bërë qartazi publike gjatë gjithë fushatës elektorale. Shifrat dhe sidomos klasifikimet e lidhura me to, tashmë për mua nuk kanë rëndësi në kuptimin e tyre formal. Natyrisht ato kanë vlerën e tyre si statistika që duhen lexuar mirë për të kuptuar zgjedhësit dhe vullnetin e shprehur prej tyre. Shumë kolege/ë të mi në Tiranë kanë bërë një punë të shkëlqyer për të arritur te rezultatet që kemi sot pa pasur shifrat individuale qëllim në vetvete.
Sa ndikoi pozicionimi juaj si i 23 në listën e qarkut të Tiranës?
Personalisht nga mesazhet e marra brenda politikës e jo vetëm, isha i përgatitur për një sfidë të kësaj natyre shumë kohë para se lista të bëhej publike ku kisha nisur punën intensive me ekipin tim. Ndaj dhe isha i qetë kur thashë në kryesi se e pranoj këtë sfidë. Padyshim ishte një sfidë pasi pozicionimi në atë lloj renditje, pra si numri 23 i listës tregonte një qëndrim të caktuar ndaj meje si person dhe kryesorja nuk ishte lehtë të bëje mbi 10.000 vota në një listë mjaft konkurruese. Sinqerisht momenti i parë ishte i vështirë. Kujtoj se ato ditë kam marrë si rrallë herë në karrierën time, shumë mesazhe e telefonata që më kërkonin të mos dekurajohesha dhe ta vazhdoja se do kisha mbështetjen e tyre. Mbështetje e fortë nga familja ime, nga rrethi im shoqëror, nga socialistë të shumtë në Tiranë, mjaft kolegë të profesionit tim, nga kolegë deputetë e ish-deputetë, socialistë të vjetër nga disa rrethe të vendit dhe që më pas pothuajse të gjithë u bënë edhe pjesë e fushatës sime për vota në territor. E kam thënë që nëse do t’i botoja mesazhet që kam marrë gjatë kësaj fushate do shihnit një libër të pasur me meditime dhe reflektime njerëzore që ruajnë vend të veçantë në zemrën time.
Nëse do ktheheshit pas do ta pranonit si sfidë?
Ashtu siç kam thënë qysh në krye të herës, e them përsëri e përsëri me bindje të plotë se do ta pranoja këtë sfidë padiskutim edhe sikur të isha renditur i 36 në listën zgjedhore, dhe do të kisha punuar po njësoj me të njëjtin përkushtim për familjen time të madhe politike edhe sikur të mos isha fare pjesë e garës elektorale. Fati im politik as ka prevaluar, as prevalon dhe as do të prevalojë kurrë para interesave të shqiptarëve të ndershëm, interesave të socialistëve të thjeshtë të cilët ashtu sikurse dinë të vlerësojnë drejt, po ashtu dinë edhe të ndëshkojnë drejt kur duhet.
Sa punoi Fatmir Xhafaj për Partinë Socialiste? Shumë nga kolegët që mund të jenë edhe jashtë parlamentit kanë thënë se kanë punuar kryesisht për numrin 12, për PS…
Rasti im ishte disi specifik pasi renditja më impononte të kujdesesha për votat personale për të kapur pragun e nevojshëm të votave për të qenë deputet duke u kujdesur njëkohësisht edhe për territorin që kisha nën përgjegjësi. Punova njëkohësisht në dy fronte dhe me dy ekipe të ndryshme. Një që punonte për rezultatin në njësinë 10 dhe tjetri në të gjithë territorin e qarkut për votat plus meqenëse votat te njësia e bënin matematikisht të pamundur të arrihej numri i nevojshëm i votave për thyerjen e herësit. Ishin dy ekipe të ndryshme jo vetëm si përbërje, por edhe si mënyrë organizimi që gjatë gjithë fushatës thuaje nuk u kryqëzuan fare midis tyre. Pra ndava mirë përgjegjësinë time si pjesë e ekipit që punonte në territor dhe përgjegjësinë individuale për votat plus për mandatin tim si deputet. Për fat ja dola me sukses me të dyja dhe për këtë sinqerisht që ndjehem shumë mirë. Sistemi i votimit kishte një gjë shumë të mirë pasi votat për individin kishin vlerë për forcën politike kurse e kundërta jo. Ndaj nëse dikush kapte një rezultat të mirë edhe individualisht me votë preferenciale kjo i shërbente edhe rezultatit të PS. Pra i gjithë rezultati im si individ, ka shkuar drejtpërdrejt edhe në hambarin e madh të votave të Partisë Socialiste në Tiranë. Komentet e tjera janë të tepërta për cilindo nga ata që e përdorin këtë argument.
Sa i maksimizoi Xhafaj votat për PS me votat personale në rang qarku? Keni mundur të bëni një bilanc?
Kam ruajtur një database të plotë të të gjithë personave që më kanë mbështetur dhe premtuar votën dhe kjo me të dhëna të plota për çdo qendër votimi, si edhe CD me votat konkrete që kam marrë për çdo qendër votimi. Kush dëshiron ta shohë këtë analizë është i mirëpritur dhe do të ketë rast të marrë gjithashtu një leksion modest, por të dobishëm organizimi elektoral të bërë nga një ekip tërësisht vullnetar, të cilët punuan me mua dhe për mua se besonin tek vlerat e mia individuale dhe tek ajo çfarë përfaqësoj si njeri dhe si politikan. Një marrëdhënie njerëzore, shoqërore dhe politike e ndërtuar, dhe respektuar reciprokisht prej shumë vitesh të karrierës sime.
Mund të na jepni disa detaje nga kjo analizë që keni bërë? Çfarë mendon se të favorizoi në një numër kaq të lartë votash në Tiranë?
Nga 1243 qendra votimi gjithsej në qarkun e Tiranës, nr.23 është votuar në 1117 qendra votimi ose në rreth 90% të tyre. Mesatarja e votave për mua është rreth 13.5 vota për QV në nivel qarku dhe 18 vota mesatarisht në QV e njësive të qytetit të Tiranës. Gjithashtu në përgjithësi votat janë të shpërndara proporcionalisht në territorin e Bashkisë së Tiranës. Pra sasia e votave në çdo njësi është në proporcion me numrin e votuesve të njësisë përkatëse. Kjo tregon se puna në territor nuk është përqendruar në ndonjë zonë të caktuar, por për hir të mbështetjes së gjerë, vota për nr.23 është e shpërndarë në mënyrë proporcionale dhe thuajse të barabartë në të gjithë territorin e Tiranës. Sipas analizës së kryer nga ana e ekipit tim lidhur me votuesit potencial për nr.23, rezulton se mbi 60% e zgjedhësve identifikoheshin me PS, rreth 10% me PD, 3% me LSI ndërsa rreth 25% e tyre nuk identifikoheshin me asnjë forcë politike. Pra një pjesë e mirë e atyre që më premtuan, u angazhuan dhe më votuan mua e Partinë Socialiste më 25 prill. Në votat e marra në nivel qarku një pjesë ishin zgjedhës që nuk do të shkonin fare të votonin ose ishin thjesht votues të lëkundur dhe një pjesë e vogël edhe votues që nuk kishin votuar më parë për PS. Kjo e krahasuar edhe me database-n e PS së Tiranës. Ka edhe një tjetër fakt shumë konkret, ku në shumë qendra votimi, vota e dhënë për numrin 23 nuk përputhet edhe me votën e dhënë për PS, pra në jo pak raste është votuar vetëm numri 23. Hapni CD-të e VNV-ve dhe do ta konstatoni lehtësisht këtë gjë.
Sa është respektuar nga ana juaj kodi etik që keni pasur në garën brenda jush?
Kam dëgjuar shumë çmenduri këto ditë postzgjedhore të cilat të them të vërtetën më shumë më kanë bërë për të qeshur sesa më kanë irrituar. Duan apo nuk duan ata që helmin e kanë në majë të gjuhës kur nuhasin sukses, ne ia dolëm të bëjmë një fushatë elektorale të tillë siç e donim, tërësisht korrekte dhe shumë rezultative, me një super angazhim njerëzor dhe kohor. E them me bindje dhe siguri të plotë se bashkë me ekipin tim kemi bërë një fushatë model nga organizimi, angazhimi dhe përgjegjshmëria. Po njëherësh edhe si pjesë skuadrës së kandidatëve të qarkut të Tiranës duke qenë në çdo hap tejet korrekt dhe etik me detyrimet e punës në ekip. Asnjë detyrë e dhënë nga drejtuesit e qarkut nuk mbeti pa u përmbushur në kohë dhe me cilësi prej nesh. Me fakte konkrete kjo. Në asnjë rast, e ritheksoj në asnjë të vetëm, prej meje dhe skuadrës sime nuk janë kontaktuar apo më keq akoma angazhuar në funksion të fushatës sime individuale pjesëtar të ekipeve elektorale të kolegëve të tjerë në territor për t’u përdorur për votat e mia individuale. Me koleget dhe kolegët e mi kam pasur një marrëdhënie korrekte. Secili ka qenë i angazhuar të maksimizojë rezultatin në territorin përkatës dhe askush prej tyre në rastin tim nuk ka ndihmuar me strukturat e veta në zonën time, në zonat e tyre apo kudo gjetkë në territor me mbështetje konkrete ndaj meje. Përkundrazi disa prej tyre ishin kujdesur të merrnin vota në njësinë 10. Gjithsesi e kam konsideruar një gjë normale dhe brenda lojës elektorale të konkurimit brenda nesh pavarësisht se territori i njësisë 10 kishte numrin më të ulët të zgjedhësve ndër të gjitha ZAZ-të e Tiranës dhe se dëmi ndaj meje ishte shumë më i drejtpërdrejtë për shkak të numrit në listë.
A ka pasur ndikim Erion Veliaj dhe ekipi i bashkisë në preferencat për kandidatë të caktuar përfshi dhe ju personalisht? Sa jeni ndihmuar prej tij pasi ju kujtoj se ka pasur edhe aludime në këtë drejtim?
E konsideroj qesharake të komentoj thashetheme kafenesh ose zyrave për llogje apo “opinionistë” mediatikë që frymëzim kanë përpjekjen për dështimin e tjetrit dhe kënaqësinë kryesore të jetës së tyre kanë helmin ndaj kujtdo që bën diçka të mirë. Gjithsesi, për të sqaruar cilindo që mund të ketë rënë pre e këtyre spekulimeve, theksoj se pozicionin tim lidhur me zotin Veliaj e kam bërë të qartë në prononcimet e mia mediatike gjatë fushatës. E vlerësoj shumë përkushtimin e tij dhe ekipit që e mbështeste për përgjegjësinë e shfaqur. Ishin faktori kyç për rezultatin e arritur në nivel qarku i cili në vlerësimin tim duhet konsideruar pozitiv, duke pasur në konsideratë përbërjen e ekipit të kandidatëve, shtrirjen e gjerë të territorit, larminë sociale të votuesve, fokusin e kundërshtarit në territor etj. Në vlerësimin tim ka qenë një ndër fushatat e organizuara dhe koordinuara më mirë për sa vite kam unë deputet në Tiranë.
…ndalemi tek bashkëpunimi dhe mbështetja ndaj jush konkretisht.
Sa i përket asaj që përmendni ju, dua t’ju kujtoj se në 30 ditë fushatë elektorale z.Veliaj erdhi vetëm një herë të vetme në zonën time elektorale dhe qëndroi jo më shumë se 120 minuta. Këtë gjë që nuk e bëri me shumë kolege/ë në zona të tjera të qarkut ku ishte mjaft aktiv me vizitat e tij dhe me mesazhet publike që i adresonte qytetarëve për t’i votuar kandidatët respektiv. Ju sjell në vëmendje se për shumë kolegë/e të tjerë ai shkoi disa herë në eventet e tyre publike ku për disa shkoi edhe vete zoti Kryeministër për të bërë fushatë krah tyre. E unë personalisht nuk e pata këtë fat në asnjë lloj forme, dhe këto janë fakte publike të verifikueshme sado që të përpiqen t’i shtrembërojnë.
Sa i përket ndonjë aludimi lidhur me kontributin e z.Veliaj dhe stafit të tij me numra konkret në rezultatin tim elektoral unë i neveris këta individë cilindo qoftë me një sfidë publike. Le të më gjejnë një fakt të vetëm për ta provuar këtë gjë, pra para se të flasin le të më gjejnë qoftë edhe një drejtor apo nënpunës çfarëdo të bashkisë që ka bashkëpunuar dhe ka punuar për fushatën time jashtë njësisë 10, për mbledhje votash individuale plus për mua si kandidat. E përsëris, ju lutem nga 16741 votues për nr.23 më gjeni veç një rast prej tyre që ta pohojë këtë aludim apo që votën ma ka dhënë jashtë dëshirës së tij. Përkundrazi, e vërteta flet ndryshe dhe asnjë spekulant nuk mund ta deformojë me gënjeshtrën e tij. Edhe nga sondazhet e bëra nga ekspertë të pavarur gjatë fushatës dhe që u bënë publike në media rezultonte qartë mbështetja preferenciale e votuesve ndaj nr.23 në listën e Tiranës. Këto janë fakte dhe argumente konkrete e publike. Të tjerat janë llafe pazari që nuk mund të mos mungonin edhe në këtë rast në klubet e politikës sonë.
Po përse këto komente dhe nga vijnë ato sipas jush?
Padyshim para së gjithash shkrime e komente të tilla janë shprehje e ligësisë apo përpjekjeve për diversion brenda nesh, për ta zhvendosur sadopak te PS krizën e brendshme postzgjedhore të opozitës, nga symbyllur apo komentaxhinj mediatik që në vend të logjikës racionale kanë llomotitjen apo shpirtin e kritizerit. Natyrisht mund të ketë ndonjë individ edhe brenda nesh që është bërë viktimë e këtij diversioni politik për llogari meskine të karrierës personale apo dikush që kjo i shërben si alibi për paaftësinë e vet që të bëjë vetë rezultat pozitiv dhe të ndershëm. Mendoj se kjo është edhe shfryrje e zhgënjimit të disave që deshën dhe u përpoqën fort të më shihnin jashtë listës së PS në këto zgjedhje. Në përmbyllje të përgjigjes, komente të tilla as i llogaris dhe të jem i sinqertë i kam pritur të jenë edhe më të shfrenuara në imagjinatën e tyre, por si duket këtë herë më kanë kursyer dhe e kanë ulur dozën e fantazisë. Jam mësuar tashmë me to. Përgjigjen e merituar ua dha 25 prilli.
Është folur për kandidatë që kanë shpenzuar shuma të mëdha financiare gjatë kësaj fushate. Mund ta dimë sa ka kushtuar fushata juaj elektorale?
Nuk di të them për kandidatët e tjerë pasi nuk e kam ndjekur me hollësi. Është e mundshme që të bëhet transparencë edhe për këtë aspekt të rëndësishëm pasi ndryshimet e kryera në Kodin Zgjedhor e mundësojnë këtë gjë. Gjithsesi mund t’ju përgjigjem me përvojën time personale. Fushata ime ka pasur një kosto fare-fare minimale. E gjitha e paguar kundrejt rregullave nga llogaria ime financiare, tërësisht brenda kufijve të ligjit dhe kryesisht për trajtimin e stafeve, komisionarëve, vëzhguesve, dhe artikuj promocional si bluza, kapele, etj. Një fushatë e mbështetur tërësisht në gjithçka në vullnetarizmin e socialistëve të thjeshtë apo rrethit tim shoqëror pa asnjë përfshirje të çdo lloji të burimeve njerëzore apo materiale të qeverisjes qendrore apo lokale ose bizneseve të caktuara. Kurrë në jetën time nuk kam paguar apo kam dhënë një premtim për të përfituar në këmbim qoftë edhe një votë të vetme, andaj as këtë herë kjo praktikë nuk kishte asnjë gjë të përbashkët me moralin tim politik.
Si pjesë e listës së qarkut të Tiranës, ju ishit përfaqësues i njësisë 10. A ishte rezultati brenda pritshmërisë suaj?
E kam thënë dhe e përsëris që “Njësia 10 meriton vetëm notën 10!” Është hera e katërt nga viti 2015 që unë jam i angazhuar të menaxhoj fushatat elektorale në këtë njësi vendore. Në të gjitha rastet kemi qenë fitues. Edhe në këtë fushatë ne në njësinë 10 arritëm një rezultat relativisht të mirë, ndër të mirët në qarkun e Tiranës. Kjo megjithëse ishim në kushtet e një numri të ulët zgjedhësish krahasuar me zgjedhjet e mëparshme dhe me gjithë vështirësitë e krijuara për shkak të votimit elektronik, një projekt pilot ky i aplikuar për herë të parë në vendin tonë dhe që na u krijuan gjithashtu jo pak vështirësi artificiale në këtë proces të cilat dëshiroj të mos kenë qenë të qëllimshme. Pavarësisht kësaj dhe trysnisë së keqe që vinte nga të gjitha kahet pa përjashtim, ne ia dolëm të ruajmë rezultatin dhe të marrim bilanc pozitiv.
Po por opozita aga ana tjetër pretendon se në njësinë 10 ka mundur të fitojë dhe të marrë një bilanc pozitiv…
Lexoni shifrat dhe nuk ka nevojë për asnjë koment. Ah harrova, PD ka humbur thellë me rreth 1500 vota diferencë krahasuar me PS, por ka përparim krahasuar me veten në zgjedhjet e 2017. Këta nuk janë budallenj sigurisht, por delirantë dhe gënjeshtarë e sigurt që po. Normale me logjikën e matematikës së Lulit të tyre e kanë të lehtë të deklarojnë fitore në çdo kohë.
Keni ndonjë përgjigje për akuzuesit dhe përgjithësisht për rezultatin e PD e cila tashmë është futur në një spirale kontestimesh të rezultatit zgjedhor?
Siç e kam bërë të qartë në të gjithë daljet e mia publike gjatë fushatës isha plotësisht i bindur se PD ishte humbësja kryesore në këto zgjedhje. Nuk kishte motivim brenda strukturave të saj në territor e si pasojë nuk mund të kishte frymë te votuesit e saj. Ishte një opozitë pa frymëzim, me një ekip të dobët motivues dhe kryesorja pa lidership. Për fat të keq opozita drejtohet nga një individ dështak në politikë pasi përpos humbjes nuk ka një gjë që ta identifikojë si individualitet dhe si politikan në të gjithë karrierën e tij 16 vjeçare, dhe jo më pastaj si lider që as mund të çohet nëpër mend. Vota qytetare ishte një shuplakë për gënjeshtarët, shpifësit dhe kujtdo që politikën nuk e merr seriozisht, por e trajton si plaçkë që mund ta marrësh lehtë njëherë në katër vite. Ishte një tjetër dëshmi se si mund të degradojë një forcë e madhe politike si PD-ja kur kauzën e parimeve dhe vlerave, e konverton me konfliktin dhe instrumentin e shpifjes dhe baltës. Ishte mesazh i qartë për këtë europianist të falsifikuar, “të parin kandidat për kryeministër të shkolluar jashtë” që premtonte të dorëhiqet nëse dështonte në mandatin e parë të qeverisjes, por ama nuk dorëhiqet edhe pse disfatë pas disfate e çoi familjen e demokratëve shqiptarë në greminë.
Ju shpesh gjatë fushatës keni adresuar kritika për rolin e Presidentit Meta për të cilin tashmë një komision hetimi parlamentar ka propozuar shkarkimin e tij. Cili është komenti juaj?
E kam thënë gjatë gjithë fushatës në prononcimet e mia publike dhe në media dhe e ritheksoj se edhe gjatë këtij procesi Ilir Meta në asnjë moment nuk ishte në përgjegjësinë e funksionit të Presidentit të Republikës. Keqardhje të konstatoja gjatë atyre ditëve Presidentin në detyrë të vinte si i “forti i lagjes” në baret dhe restorantet e “Myslym Shyrit” natën e ditën për të punuar mbi rrogoz dhe nënrrogoz, apo duke shpuar tunele të errëta që në fund të fundit s’e lidhin dot kurrë Njësinë 10 me partinë e tij tashmë të shpartalluar.
Vota qytetare e 25 prillit ishte një tjetër shuplakë e fortë për LSI-në dhe e drejtpërdrejtë për Metën në rolin e Presidentit në detyrë, për sjelljen e tij jashtë çdo normaliteti dhe përgjegjshmërie politike, institucionale e njerëzore. Shkeljet kushtetuese të tij gjatë këtij procesi zgjedhor ishin evidente, mjaftueshëm të argumentuara për këtë vendimmarrje të Komisionit Hetimor Parlamentar. Kam bindjen se në këtë linjë do të jetë edhe vendimmarrja finale e Kuvendit.
Opozita ka paraqitur një sërë ankimesh për verifikimin e ligjshmërisë së procesit zgjedhor, a keni një koment për këtë?
Procesi me dosjet ankimore të PD-së është një gjë qesharake që besoj se i ka vënë në pozitë të vështirë disa nga juristët normalë të kësaj force politike. Janë thjesht ankimime me motive e arsyetime absurde për të qepur një lloj alibie si qëndrim politik për fatin e karriges së Lul kryetarit. Për kureshtje kam lexuar dy nga ankimet e prezantuara dhe jam ndjerë i keqardhur për shkruesit e tyre të vërtetë se recituesit mund t’i kuptoj. Asnjë fakt serioz në kërkesat e ligjit. Të kesh fakte dhe t’i trajtosh me imagjinatë të shfrenuar siç ka ndodhur shpesh me juristët e PD-së, është një gjë që mund ta ndjekësh, por t’i imagjinosh dhe supozosh faktet që potencialisht të duhen është komplet një gjë tjetër. Mund ta konsideroj marrëzi juridike në rastin më të mirë. Ndërsa në sensin e fantazisë në një farë mënyre po më çudit dhe po më zhgënjen Lulëzimi kësaj here me këtë çështjen e dosjeve. Ai ia ka marrë dorën qysh në rini me hartimin e tyre dhe e ka zhvilluar gjithë këto vite me çimka të supozuara brenda e jashtë partisë së tij, montime false dhe aktorë e regjisorë kundër kundërshtarëve të tij. E skuadrën e çimkave dhe atë kinematografike i ka mjaft të sofistikuar në SHQUP. Po mesa shoh edhe frymëzimi i Lulit si regjisor çimkash është shpallur “non grata” bashkë me plakun digjital. Kur vjen e keqja hapi derën i thonë asaj fjale.
Z.Xhafaj, le të kthehemi pas në kohë kur ju keni qenë një nga drejtuesit e një greve urie në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në vitin 2010 me thirrjen “Hap kutitë ose largohu”. Nuk kemi të njëjtën situatë këtu?
Nuk jemi absolutisht në kushte të njëjta. E para dhe kryesorja sot kutitë janë të hapura. Opozita i ka në duar CD-të e numërimit të votave dhe mund t’i përdorë lehtësisht si mundësi për të provuar alibitë politike të saj nëse ka fakte reale. E dyta në proces nuk ka asnjë kontestim serioz nga mijëra komisionerët dhe vëzhguesit e PD-së në të gjithë vendin. Kësaj i thonë rojtarët nuk panë e dëgjuan gjë, por pronari e imagjinon hajdutin ose ndryshe siç thotë populli: “I zoti e shet, por tellalli nuk e jep”. E treta mendoj se ka një dallim thelbësor midis Edi Ramës në 2010 dhe Lulzim Bashës në 2021. Rama ishte kryetari real i një opozite të fortë, kishte kontestuar me ekipin e tij gjithë parregullsitë e procesit zgjedhor dhe vinte pas një karriere të suksesshme politike e menaxhimi në qeverisjen vendore. Ndërkohë, Basha është kryetari formal i një opozite të shpartalluar që përmbylli bashkëadministrimin e një procesi zgjedhor pa asnjë kontestim legal dhe mbas disa dështimesh rresht kërkon të qëndrojë në karrigen e kryetarit të partisë.
A jeni qejfmbetur me Ramën për faktin se ju vendosi të 23 në listë?
Janë bërë shumë diskutime rreth këtij fakti dhe kam dëgjuar lloj-lloj opinionesh e hamendësimesh. Një pjesë pa baza dhe një pjesë tjetër të motivuara nga dëshira për gjetur arsyet e kësaj vendimmarrje realisht jo fort të argumentuar. Tashmë kjo është një gjë e kapërcyer dhe nuk mund të mbetem peng i numrit në listë. Është momenti për të parë përpara, për t’u përballur me sfidat e forta që ka shoqëria shqiptare dhe vetë mazhoranca aktuale me mandatin e ri.
Edi Ramën do të gjej mundësinë ta falënderoj për arsyen se duke më vendosur të 23 në listë ai më dha një shans të mirë për të testuar forcën time elektorale, besueshmërinë e socialistëve dhe qytetarëve të Tiranës tek vlerat dhe puna ime shumë vjeçare. Kjo betejë më dha gjithashtu mundësinë t’ju jap një përgjigje qytetare të gjithë atyre që brenda e jashtë politikës, brenda apo jashtë PS-së, të udhëhequr nga ligësia apo hakmarrja për reformën në drejtësi dhe për çfarë mundëm të bënim me Policinë e Shtetit gjatë ushtrimit të detyrës së ministrit të Brendshëm, nuk kanë lënë gjë pa bërë dhe gur pa lëvizur për të më dëmtuar personalisht e për të cenuar imazhin tim. Përgjigje më të mirë se vota e 25 prillit nuk mund të kishte për gjithsecilin.
Si e mendon tani marrëdhënien me Kryeministrin?
Një marrëdhënie normale, pune dhe bashkëpunimi për sfidat e përbashkëta. Unë kam marrë një mandat si përfaqësues i PS dhe jam pjesë e grupit të saj parlamentar kurse Edi Rama është kryetari i PS dhe ka marrë besimin e zgjedhësve për një mandat të ri qeverisës si Kryeministër i vendit. Jemi pjesë e së njëjtës familje politike dhe shërbejmë për të njëjtin program politik. Besoj fort se ai do ta vlerësojë drejt peshën dhe përgjegjësinë e jashtëzakonshme që jep ky besim i ri për mandatin e tretë qeverisës. Fjalimi i tij para grupit parlamentar e shprehte këtë gjë. Në vlerësimin tim, Edi Rama ka përpara sfida të forta personale me këtë mandat që mendoj se do të lerë gjurmë përcaktuese në fatin e tij politik, por para së gjithash tek PS për dekadat e ardhshme. E ardhmja u takon atyre që përgatiten për të sot. Kjo kërkon parasëgjithash një sjellje modeste me pushtetin që zotëron dhe përunjësi reale para qytetarëve. Gjithashtu kërkon forcë reflektimi dhe përgjegjësie për të ndërtuar ekipe politike qeverisëse sa më të afta në të gjitha nivelet, me individë përfaqësues, kryesorja të pakorruptuar e me integritet individual si kusht për një qeverisje të mirë dhe të përgjegjshme që ngjall shpresë e besim te qytetarët për të ardhmen e tyre.
Si do ta përdorni mandatin në këto 4-vjet në parlament?
Me të njëjtin përgjegjshmëri dhe seriozitet si edhe mandatet e mëparshme, pa ceduar aspak nga vlerat dhe bindjet e mia se vetëm institucione të qëndrueshme me njerëz me integritet mund të garantojnë një qeverisje të mirë për qytetarët, demokraci të konsoliduar dhe shtet të së drejtës. Unë jam deputet i Partisë Socialiste dhe mandati im me të gjitha përgjegjësit përkatëse është një mandat socialisti, në shërbim të kauzave të socialistëve dhe të gjithë qytetarëve pavarësisht bindjeve politike, krahinave apo pozitës sociale. Kam qenë i qartë në fushatën time elektorale për betejat ku do të përfshihem me gjithë fuqinë dhe kapacitetet e mia. Do të luftoj fort për t’i çuar deri në fund tri betejat të cilat qytetarët i bekuan masivisht me votë, zbatimin e drejtë të reformës në drejtësi, luftë pa kompromis ndaj korrupsionit dhe veçanërisht pandëshkueshmërisë si dhe mbështetjen e projekteve konkrete për rritjen dhe formimin e qëndrueshëm të të rinjve dhe fëmijëve. Besoj fort se Shqipëria mbetet e ardhmja jonë e bukur vetëm nëse garantojmë një pushtet drejtësie realisht të pavarur e efiçent, institucione qeverisëse të qëndrueshme, të forta dhe me integritet, dhe nëse kujdesemi e punojmë me projekte konkrete për një gjeneratë të re të shëndetshme fizikisht e mendërisht.
Kujt ja dedikoni këtë fitore tuajën?
Rezultati më mbetet mua, kurse fitorja nuk lidhet vetëm me mua. Kjo është për socialistët që më kanë mbështetur në momente të vështira, kjo është për ata miq e kolegë të mi brenda e jashtë politikës që kanë besuar dhe më kanë mbështetur në vijimësi në punën time, kjo është për të gjithë ata që arrinin të shihnin vlerat tek unë edhe kur makinat e baltës pomponin pamëshirshëm llum ndaj meje, kjo është për familjen time që shqetësohej në ditë e net të vështira pa gjumë duke parë se si puna ime kishte një kosto aq të madhe për të cilën padrejtësisht duhej të paguanin edhe ata koston e tyre morale e shpirtërore. Po padyshim kjo mbështetje me votë është njëherësh edhe një mbështetje morale e politike për rolin tim në reformimin e drejtësisë, për rezultatet e prekshme dhe punën pa kompromis me të keqen e çdo lloji gjatë ushtrimit të detyrës si ministër i Brendshëm, për përgjegjshmërinë në ushtrimin e detyrës si ligjvënës dhe përfaqësues i qytetarëve në parlament. Kjo përbën një vlerësim për punën time, por padyshim është njëherësh edhe një inkurajim i fortë dhe përgjegjësi shumë e madhe për vazhdimin e betejave të nisura.
A keni ju ndonjë mesazh për ta?
Do doja t’i falënderoja të gjithë një për një, bashkëpunëtorët dhe stafin e ekipeve të mia gjatë fushatës, socialistët, qytetarët, median e vërtetë kritike dhe mbështetëse, miqtë e mi brenda dhe jashtë politikës, që më kanë mbështetur në vite dhe veçanërisht familjen time, bashkëshorten e përkushtuar, mbesën e dashur, dy vajzat e mrekullueshme dhe bashkëshortët e tyre po aq të mrekullueshëm. Veçanërisht, publikisht do doja të falënderoja edhe nënën time e cila ka vuajtur aq shumë duke ndjekur makabritetet e sulmeve të montuara ndaj meje e familjes dhe aktualisht është duke kaluar një moment shumë të vështirë të jetës së saj. Nuk e kanë merituar këtë ndaj edhe shpresoj që të jenë lehtësuar sadopak nga vlera morale e votës së 25 prillit. 16741 herë mirënjohje!
Faleminderit për intervistën!
Faleminderit ju dhe punë të mbarë! /TEMA
Deputetet e partise socjaliste votuar bindeshem ne tre mandate radhes,duhet ta shkundin Edi Ramen,nga megallomanija dhe delira e tije,se vetem une punoje,duke mos ralizuar nje nga premtimet me thelbesore te shqiptareve.Permisin e rritje te pensjonit pensjonisteve,shkurtimi i buxhetit per qefe e ahegje te ministreve e pushtetareve,ndryshe dote largohet me shoejt dhe me keq si basha i PD.Zt.Fatmir xhafa, eshnje nje ze real i te maktes,por krah te tije duhet te jene dhe shume te tjere.Rama dhe Erjon Velija duhet te heqin dore nga pasurime te paligjeshem e bashkpunuses me oligartet,qe i kane vene vulen e korrupsjonit ketije vendi.Duke zgjatur e tejzgjatur korrupsjonin.
PërgjigjuZ.Xhafaj,merita e fitores tuaj ne zgjedhje,eshte vetem e juaja.Juve treguat me punen si minister,por mbi te gjitha me reformen ne drejtesi qe e meritonit te rizgjidheshit dhe do te rizgjidheshit nga populli edhe sikur i 100 te ishit ne liste.Tani perse Rama te vuri te 23 ne liste,kjo nuk eshte e veshtire te kuptohet,po keshtu veproi dhe me Majkon.Kurse per Tahirin dhe Nanon edhe pse nuk jane me aktive ne politike,ka gjetur menyra te tjera per t'i mbajtur larg.Kjo eshte politika zoteri,nganjehere edhe e ndyre e hileqare,por keni respektin e perkrahjen e te gjithe popullit ne rrugetimin tuaj si politikan e shtetar i vertete e patriot.
Përgjigju