Sa prej nesh kanë trashëguar një pronë, e cila nuk është kthyer sipas ligjeve në fuqi, por është mbivendosur e masakruar nga anëtarët e mafies së tokave në Shqipëri, të ndihmuar nga qindra sekserë e punonjës abuzues deri dje në Zyrat Vendore të Pasurive të Patundshme (hipotekat) dhe sot në agjencitë rajonale të Kadastrës Shtetërore?
Sa prej nesh zotërojnë titujt e një prone të fituar me blerjen e saj me kontratë të rregullt me akt noterial, ose me trashëgimi, që janë format e njohura nga ligji për të qenë pronar, dhe nuk janë të tillë, pse prona u është shtetëzuar, apo edhe më keq, rrëmbyer nga abuzuesit në ish-hipoteka, për llogari të mafies së pronave?
Janë me mijëra, me dhjetëra mijëra të tillë syresh prej nesh. Që kanë mbushur radhët e një armate të zhgënjyerish, pa kompensimin e të cilëve është e pamundur të vendoset drejtësia sociale tek ne.
Drita e shpresës për kalvarin e pronës private
Me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 77/2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, ndryshime këto që erdhën në zbatim, nga Ministria e Drejtësisë, të rekomandimeve të dhëna nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe rekomandimeve të Gjykatës sonë Kushtetuese, si dhe dy Vendime të posaçme të Këshillit të Ministrave, që caktojnë fondin e duhur fizik(tokë për kompensim) dhe financiar(para), kjo armatë, dhe, në tërësi ne si qytetarë, po shohim më në fund një dritë të qartë shprese.
Risitë e ligjit të ri për pronat
Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) trajton vetëm ato kërkesa që kanë qenë të patrajtuara ditën kur skadoi ligji i vitit 2015, por jo kërkesa për njohje pronësie dhe ato për të cilat ka një vendim
Agjenci funksionuese e Trajtimit të Pronave
Ministria e Drejtësisë ka tashmë një Drejtori Antikorrupsion dhe kjo drejtori po lufton realisht mafien e pronave, pavarësisht se është një luftë si e Davidit kundër Goliathit. Dhe nga dy vendimet e fundit të Këshillit të Ministrave për të dhënë rreth 60 milionë euro çdo vit për kompensimin financiar të pronarëve që u është mohuar padrejtësisht e drejta e pronës, ka më në fund edhe një Agjensi të Trajtimit të Pronave funksionuese dhe jo bllokuese për qytetarët. Në dyert e kësaj agjencie, nuk do të shohim dhe nuk do të marrim vetëm përcjellje pafund, pa na e zgjidhur kush hallin e madh me të drejtën e ligjshme të pronës private, të mohuar e shkelur përbindshëm nga mafia e tokave.
Përmes njerëzve profesionistë dhe të ndershëm që ka grumbulluar dhe një pune intensive e largpamëse, Ministria e Drejtësisë ka bindur qeverinë të caktojë një fond dinjitoz prej rreth 60 milionë euro në vit, për të kompensuar me mijëra e mijëra qytetarë me pronë të patrajtuar(kesisoj te mohuar) për dekada me rradhë. Janë 9 mijë kërkesa të pashqyrtuara të pronarëve të tokave me titull pronësie, që do të marrin përgjigje deri më datën 31 Dhjetor 2024 nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.
Shifrat e pronave të patrajtuara dhe ligji i ri
Ç’duhet të bëjnë qytetarët?
Me ligjin nr. 77/2022, ata qytetarë që i kanë dosjet e tyre të pronës në gjykatë të shkallës së parë administrative, kanë të drejtën t’i tërheqin nga gjykata dhe t’i risjellin në Agjencinë e Trajtimit të Pronave.
Me ligjin e mëparshëm nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, u morën 26 mijë e 300 vendime, por që zhgënjyen keqazi qytetarët pronarë, për shkak se askush nuk punoi fort dhe seriozisht për t’i zbatuar ato.
Nga këto vendime, Agjencia e Trajtimit të Pronave të tetë viteve më parë, arriti të ekzekutojë vetëm 794 vendime, ose një vendim në treqind të tillë!
Me ndryshimet e reja ligjore të ligjit nr. 77/2022 dhe me me dy Vendime të Këshillit të Ministrave që i sigurojnë paratë, agjencia, e drejtuar nga njerëz të rinj me integritet dhe vullnet për t’u shërbyer qytetarëve, është gati për të filluar me kompensimet financiare të qytetarëve-pronarë dhe ka në dispozicion 60 milionë euro çdo vit.
Format e kthimit dhe kompensimit të tokës
Kompensim dinjitoz?
Lind pyetja: 60 milionë euro në vit për qytetarë që kërkojnë kthim prone të mohuar prej dekadash tashmë, a janë pak?
Jo! Është një fillim zemërdhënës. Për mundësitë e Buxhetit tonë të Shtetit, përbën një shifër dinjitoze. Sigurisht, duke patur parasysh se fatura financiare e detyrimeve ndaj qytetarëve pronarë me pronë të mohuar është mbi 1 miliardë euro, 60 milionë euro çdo vit nuk mjaftojnë, edhe sikur të vijohet të jipen për dhjetë vite rradhazi. Por është një fillim i mbarë dhe shumë shpresëdhënës. Prandaj ligji me nr. 77/2022, i fuqizuar financiarisht me dy vendime të fundit të Këshillit të Ministrave, është një ligj që jep shumë shpresë.
Nga zbatimi i duhur dhe i shpejtë i tij, drita e shpresës do të shndërrohet në një dritare të madhe të fateve të reja të të drejtave të pronës private në Shqipëri, aq përbindshëm të masakruar, mohuar e keqtrajtuar deri tani.