Tirana e rrugëve kryesore tregtare të qendrës, ku kryejnë aktivitetin qindra e qindra biznese, është kthyer në një qytet ku përplasjet në rrugë krijojnë terren për frikësimin e qytetarëve, shkatërrimin e pronës dhe grabitjen e bizneseve. Çdo akt dhune duhet hetuar, çdo plaçkitje duhet ndëshkuar dhe çdo përgjegjësi duhet provuar me fakte.
Nga dhuna në rrugë tek pasiguria për bizneset
Huliganët dhe plaçkitësit e nisën më datën 13 tetor në rrugën e Durrësit. Pastaj oreksi u shtua dhe u panë të vidhnin kuti me I Phone 18 edhe ditën me diell, nga dyqanet e celularëve dhe të kompanive celulare tek ne, të cilat pastaj i shkatërronin dhe digjnin për të humbur gjurmët, gjoja në emër të protestës studentore.
Meqenëse qarkulluan video në rrjetet sociale me “bëmat” e tyre, tani, të trembur, por gjithnjë e më të etur për plaçkitje të reja, kanë ndryshuar taktikë. Vjedhin dhe plaçkisin bizneset vetën në mbrëmje, mes orëve 18.00-21.00.
Pre e tyre kanë rënë 38 filiale bankash dhe me qindra biznese të tjera. Aq i madh është terrori i ngulitur natyrshëm tek bizneset e rrugëve qendrore të Tiranës, sa shumë prej tyre kanë ngjitur fleta me gërma të mëdha, ku thuhet: “Jemi me ju. Ju lutem mos na dëmtoni”.
Kjo të kujton vajzat e vogla të etnisë tutsi në Ruandën e largët në Afrikë, 32 vite më parë në vitin 1994, gjatë genocidit të popullsisë tutsi, që u luteshin xhelatëve të milicisë tutu me fjalët ”Do të bëhem një vajzë e mirë tutu. Ju lutem mos më vrisni!”. Dhe megjithatë xhelatët e milicisë nuk kursyen asnjë nga fëmijët, në atë genocid që numëron nga 800 mijë deri në 1 milion të vdekur brenda një viti në Ruandë.
Po xhelatët-vandalë tanët, do të kursejnë bizneset e qendrës në Tiranë?
Bizneset nuk mund të mbeten të pambrojtura përballë sulmeve, thyerjes së vitrinave dhe vjedhjes së paligjshme të mallrave. Për pronarët e dyqaneve, dëmi nuk kufizohet tek vlera e pajisjeve të shkatërrura apo mallrave dhe pajisjeve të vjedhura. Ai përfshin shkatërrimin e investimeve, ndërprerjen e punës, humbjen e të ardhurave, pasigurinë e punonjësve dhe frikën se e njëjta situatë mund të përsëritet.
Qeveria bëri shumë mire që në portal e-Albania hapi programin “Dëmi im”, për të dëmshpërblyer bizneset e vogla të dëmtuara, mirëpo nëse edhe sonte ose në mbrëmjet e tjera, gjatë demonstrimeve të dhunshme shfaqen përplasje me gurë kundër policisë dhe në të njëjtën kohë ndodhin plaçkitje në zona të tjera, lind një pyetje që kërkon përgjigje : a po shfrytëzohen kaosi dhe shpërqendrimi i forcave të rendit për të kryer vepra penale kundër bizneseve?
Kjo mundësi duhet hetuar seriozisht. Përgjegjësia penale nuk mund të përcaktohet vetëm mbi bazën e dyshimeve apo të përkatësisë së supozuar politike.
A po përdoret përplasja si shpërqendrim?
Një nga çështjet më të rëndësishme që duhet sqaruar është marrëdhënia kohore dhe organizative midis përplasjeve me policinë dhe plaçkitjeve të raportuara në zonat tregtare. Në momentin që në rrugën “Myslym Shyri” mbreme, në orën 18.45 ndodhi vënia e flakes katit të pare të Gjykatës së Lartë, po në atë kohë ndodhi edhe plaçkitja e dyqanit të një kompanie celulare pak metra më tej, në anën tjetër të rrugës.
Nëse edhe grabitjet e tjera kanë ndodhur në të njëjtën periudhë, policia dhe autoritetet e tjera ligjzbatuese duhet të analizojnë pamjet filmike, dëshmitë, itineraret e personave të dyshuar dhe mënyrën se si janë kryer vjedhjet. Duhet të përcaktohet nëse kemi të bëjmë me veprime të pavarura kriminale, me shfrytëzim oportunist të kaosit, apo edhe me një veprimtari të koordinuar.
Nëse vërtetohet se persona të caktuar kanë organizuar përplasje për të shpërqendruar policinë dhe për të lehtësuar plaçkitjet, kemi të bëjmë me një çështje shumë më serioze sesa një episod i zakonshëm i prishjes së rendit.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë çfarë ka ndodhur. Bizneset kanë të drejtë të mbrohen. Dhe publiku ka të drejtë të marrë përgjigje të mbështetura në fakte.
Bizneset nuk duhet të paguajnë çmimin e kaosit të shkaktuar nga një demonstrate e dhunshme
Dyqanet, farmacitë, lokalet, zyrat dhe bizneset e vogla janë pjesë e jetës së përditshme të Tiranës. Ato punësojnë njerëz, paguajnë taksa dhe sigurojnë të ardhura për familjet. Për shumë pronarë, një natë me xhama të thyer dhe mallra të grabitura mund të përfaqësojë humbjen e kursimeve të viteve.
Kur bizneset ndihen të pasigurta, pasojat përhapen përtej një rruge apo zone tregtare. Punonjësit humbasin orët e punës, klientët shmangin zonat e prekura, aktiviteti tregtar ngadalësohet ose edhe shuhet, ndërsa rriten kostot e sigurisë dhe të riparimeve. Në këto 6 ditë, biznesi i vetëm që lulëzon në Tiranë është ai i qepenave dhe i fletëve mbrojtëse të gizës.
Në një ekonomi ku bizneset e vogla përballen me shpenzime të konsiderueshme dhe konkurrencë të fortë, dëmtimi i pronës është goditje e rëndë. Prandaj mbrojtja e tyre nuk është thjesht çështje rendi publik; është edhe çështje e funksionimit normal të ekonomisë urbane.
Asnjë konflikt politik nuk duhet t'i kthejë tregtarët në viktima të një beteje që nuk e kanë zgjedhur. Asnjë pakënaqësi ndaj qeverisë nuk e justifikon grabitjen e një dyqani apo shkatërrimin e pasurisë së një familjeje.
Protesta nuk mund të jetë mburojë për krimin!
Shqipëria ka nevojë për protesta qytetare, për kritikë ndaj qeverisë dhe për debat të lirë. Por ajo ka nevojë po aq për siguri, respektim të ligjit dhe mbrojtje të pronës.
Nëse individë me kapuçe dhe maska që bëjnë gjoja sikur qëllojnë policinë, shfrytëzojnë turmat, errësirën apo shpërqendrimin e forcave të rendit për të plaçkitur biznese, ata nuk janë duke ushtruar një të drejtë demokratike. Ata po kryejnë veprime që duhet të hetohen dhe, nëse provohen, të ndëshkohen sipas ligjit.
Mesazhi duhet të jetë i prerë: protesto paqësisht, kundërshto qeverinë, kërko përgjegjësi politike, por mos prek pronën e tjetrit, mos sulmo bizneset dhe mos e përdor kaosin si justifikim për krimin e vjedhjes dhe plaçkitjes.
Demonstrimi paqësor është e drejtë; dhuna dhe shkatërrimi i pronës kërkojnë përgjegjësi ligjore.








Komente
Komento