Çdo përshkallëzim dhune, çdo përplasje artificiale, do të dëmtonte jo vetëm opozitën, por edhe stabilitetin demokratik, imazhin e vendit dhe gjasat tona për integrim të shpejtë
Protesta e dhunshme i kthehet në bumerang opozitës dhe në dëm të madh vendit
Një opozitë që synon të qeverisë nesër duhet të tregojë sot se di të menaxhojë zemërimin e saj, si dhe protestën dhe energjinë e mbështetësve të saj
Protesta është një e drejtë kushtetuese dhe një mjet legjitim i opozitës, për të shprehur kundërshtimin politik, pakënaqësitë qytetare që gjykon se ata i kanë grumbulluar nga qeverisja e sotme dhe kërkesat për ndryshim.
Protesta në demokraci nuk është qëllim në vetvete. Ajo duhet të ketë një kauzë të qartë, kërkesa të artikuluara dhe një strategji politike, përtej një dite tensioni. Protesta për protestë, thjesht për t’u dhënë pak karburant militantëve, pa objektiv dhe pa rrugëdalje, rrezikon të kthehet në ritual të lodhshëm dhe të humbasë mbështetjen e qytetarëve të paangazhuar. Kjo, për fat të keq, opozitës së sotme i ka ndodhur shpesh në vitet e fundit.
Vendi ynë ndodhet në një moment të mirë, pasi ka bërë këtë vit hapa të mbarë në integrimin në Bashkimin Evropian, me hapjen e të gjithë kapitujve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Çdo përshkallëzim dhune, çdo përplasje artificiale, do të dëmtonte jo vetëm opozitën, por edhe stabilitetin demokratik, imazhin e vendit dhe gjasat tona për integrim të shpejtë.
Për këto arsye madhore të vendit, protesta e sotme ka dy herë domosdoshmëri të zhvillohet nga opozita me maturi, përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje maksimale. Nëse protesta është paqësore, e organizuar dhe e fokusuar në mesazh politik, ajo mund të shërbejë si sinjal alarmi për pushtetin dhe si kanal shprehjeje zhgënjimi dhe shprese për ndryshim, për qytetarët.
Nëse shoqërohet me dhunë apo provokime, ajo humbet çdo legjitimitet dhe i kthehet në bumerang opozitës dhe në dëm të madh vendit. Alternativat e opozitës së Partisë Demokratike janë po aq të rëndësishme sa vetë protesta. Opozita duhet të tregojë se protesta është pjesë e një strategjie më të gjerë: betejë institucionale, komunikim publik të argumentuar, propozime konkrete dhe mobilizim qytetar afatgjatë. Pa këtë, protesta mbetet një episod emocional, jo instrument ndryshimi. Mirëpo kjo e drejtë fiton vlerë dhe peshë reale, vetëm kur ushtrohet në mënyrë paqësore, të përgjegjshme dhe qytetare.
Ja përse protesta e sotme e Partisë Demokratike duhet të jetë një protestë vetëm paqësore. Jo për hir të imazhit, por për hir të vetë kauzës politike që opozita kryesore e vendit synon të përfaqësojë.
Dhuna e dëmton vendin dhe opozitën, jo qeverinë
Dhuna e dëmton vendin dhe opozitën, jo qeverinë. Çdo akt dhune, sado i izoluar të duket, i shërben vetëm delegjitimimit të protestës së opozitës. Nga dhuna nuk fiton askush. Ajo e zhvendos vëmendjen nga mesazhet politike të opozitës tek incidentet, nga kërkesat qytetare tek përplasjet fizike.
Në një mjedis dhune të ushtruar nga protestuesit humb vendi që këtë vit ka fituar miliarda euro nga turizmi. Humb rëndë edhe vetë opozita, Protesta paqësore është provë pjekurie politike dhe opozita ka sot detyrë parësore ta tregojë këtë.
Një opozitë që synon të qeverisë nesër duhet të tregojë sot se di të menaxhojë zemërimin e saj, si dhe protestën dhe energjinë e mbështetësve të saj. Disiplina, vetëpërmbajtja dhe qartësia e mesazhit janë shenja forcë politike, jo dobësi. Mbarëvajtja e protestës është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e drejtuesve të sotëm të Partisë Demokratike.
Drejtuesit dhe organizatorët e protestës kanë detyrimin moral dhe politik të distancohen qartë nga çdo formë dhune. Dhe jo vetëm me fjalë. Thirrjet publike dhe mënyra e organizimit duhet të dërgojnë vetëm një mesazh: protestë paqësore, pa përplasje dhe pa provokime.
Qytetarët nuk janë “mish për top” politik. Asnjë kauzë nuk e justifikon rrezikimin e jetës, sigurisë apo dinjitetit të qytetarëve. Protesta është për t’i përfaqësuar ata, jo për t’i përdorur si instrument tensioni apo kaosi. Mesazhi duhet të dëgjohet, jo të humbasë në zhurmë.
Vetëm një protestë paqësore arrin të dëgjohet qartë nga shoqëria, sidomos nga të paangazhuarit në politikë, që janë pjesa më e madhe e popullsisë. Protesta me dhunë humb peshën e saj, përpara institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Dhuna e mbyt mesazhin, protestimi paqësor e forcon atë. Dhuna nuk është argument politik. Asnjë kërkesë politike nuk bëhet më e drejtë, duke thyer xhama, duke hedhur shishe më benzinë, shashka, duke nxirë mure institucionesh publike, apo duke u përplasur me policinë.
Përkundrazi, dhuna e zhvendos vëmendjen problemi real i shoqërisë sonë tek kaosi artificial. Ajo thjesht forcon pushtetin, e dobëson opozitën dhe frikëson qytetarët, të cilët do të donin të protestonin në mënyrë paqësore, krahas militantëve të opozitës.
Protesta paqësore forcon legjitimitetin e mesazhit opozitar. Një protestë e qetë, masive dhe e disiplinuar është shumë më e fuqishme se çdo akt agresiv. Ajo tregon pjekuri politike, përgjegjësi qytetare dhe respekt për shtetin e së drejtës.
Në sytë e publikut, të partnerëve ndërkombëtarë dhe të historisë, vetëm protesta paqësore ka legjitimitet të plotë. Gjuha nxitëse, thirrjet për përplasje apo tolerimi i elementëve të dhunshëm janë të papranueshme. Organizimi duhet të ketë si përparësi rendin, sigurinë dhe qartësinë e mesazhit politik. Vetëm kështu fiton vetë opozita, qytetarët dhe vendi. Sot në mbrëmje mesazhi duhet të jetë i qartë: Jo dhunës. Po protestës paqësore. Po demokracisë.
Komente











