Lufta ajrore e nisur nga SHBA-të dhe Izraeli më 28 shkurt 2026 nuk do të jetë shumë e gjatë, dhe as luftë e përhershme, sikurse, për fat të keq, disa konflikte historike në Lindjen e Mesme na kanë mësuar të jenë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë që shteti i madh 92 milionë banorësh i Iranit të mos jetë kërcënim me raketat dhe dronët e tij ndaj bazave ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme(SHBA-të kanë plot tetë baza dhe 11 pika ushtarake në këtë zonë të botës, me mbi 40 mijë ushtarakë dhe personel ndihmues). Izraeli kërkon që shteti i Iranit të mos jetë kërcënim për jetën e popullit izraelit.
Si zerohet ushtarakisht Irani?
Mundësia e vetme për të goditur ushtarakisht shtetin e Iranit sot, i cili qeveriset nga struktura në formë demokratike qeverisjeje, si Parlamenti dhe Presidenti, të zgjedhur nga votat e qytetarëve, por që sipër tyre ka struktura fetare radikale që kontrollojnë gjithshka, është t’ia shkatërrosh arsenalin e raketave, dronëve dhe anijeve ushtarake të tij.
Irani ka sot të mbetur 2 mijë raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi. Më përpara luftës 12 ditore të Izraelit në Iran më 13-24 qershor 2025, kishte 3 mijë raketa të tilla. Ushtria iraniane ka edhe 145 anije dhe mjete të tjera lundruese ushtarake, me të cilat ka bllokuar Ngushticën e Hormuzit.
Nga ana tjetër, Irani ka dhe një numër të jashtëzakonshëm dronësh ushtarakë, të cilët, të telekomanduar dhe të mbushur me tritol janë armë vdekjeprurëse. Disa përllogaritje flasin për rreth 100 mijë dronë të tillë në duart e Iranit.
Këto arsenale SHBA-të po synojnë t’ia zerojnë Iranit dhe parashikojnë që do t’u duhen të paktën katër javë për të arritur objektivin e tyre.
Paqe përmes ushtrimit të forcës ushtarake?
SHBA-të shpresojnë se një përshkallëzim i shkurtër, por intensiv i konfliktit ushtarak ajror mund të shërbejë paradoksalisht si paradhomë e një procesi të ri dhe pothuajse përfundimtar paqeje në Lindjen e Mesme. Përveç Izraelit, Irani ka sulmuar këto ditë me dronë dhe raketa edhe vendet e tjera të Gjirit Persik, që kanë baza ushtarake amerikane: Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin dhe Arabinë Saudite.
Këto janë tre nga katër vendet e Gjirit Persik, me të cilat Izraeli ishte gati të lidhte traktate paqeje dhe bashkëpunimi në vitin 2023, si rezultat i përpjekjeve të Presidentit amerikan Trump në katër vitet e administratës së parë të tij 2016–2020, të mbiquajtura Marrëveshjet e Abrahamit. Prandaj edhe ndodhi masakra e 7 tetorit 2023 në truallin e Izraelit, e kryer nga Hamasi.
Historia e rajonit tregon se shpesh konfliktet e shkurtra, por me kosto të lartë, kanë krijuar presion ndërkombëtar dhe rajonal për riformatim të ekuilibrave politikë. Nëse lufta ajrore në Iran do të jetë e shkurtër dhe nuk do të zgjasë më shumë se një muaj, sa të shkatërrohen arsenalet ushtarake të Iranit, ky demonstrim i ashpër force ushtarake mund të sjellë paqen në rajon dhe vendosjen e “vijave të kuqe” midis aktorëve kryesorë: Iranit, SHBA-ve, Izraelit dhe fuqive arabe të Gjirit.
Në diplomacinë e vështirë dhe të komplikuar të Lindjes së Mesme, shpesh përshkallëzimi kontrollohet për të shmangur një luftë totale. Një konflikt ushtarak i kufizuar në kohë mund të shërbejë si ribalancim i deterrencës (parandalimit) dhe shtyrje e palëve drejt tryezës së negociatave.
Çdo përplasje ushtarake në Iran ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi tregjet globale të energjisë dhe sigurinë rajonale. Si SHBA-të, ashtu edhe Izraeli, që po e kryejnë këtë përplasje ushtarake, kanë interes të përbashkët në shmangien e një lufte të gjerë rajonale, e cila do të çonte në rritje drastike të çmimeve të naftës, do të dëmtonte ekonominë globale dhe do të përshkallëzonte konfliktin.
Në këtë kuptim, një konflikt i shkurtër në Iran ka gjasa të krijojë terren për diplomaci intensive pas tij. Pas çdo krize të madhe, shpesh lind një mundësi për negociata dhe Presidenti amerikan Trump e ka treguar deri tani veten mjeshtër në kryerjen e tyre, edhe pse me Rusinë e Putinit nuk po i ecën deri tani.
Pyetja thelbësore mbetet: a e kanë kuptuar ata drejtues të Iranit që kanë mbetur pas goditjes së orës së parë të konfliktit se një luftë e madhe dhe e gjatë do të ishte humbje përfundimtare për ta? Nëse po, atëherë ky konflikt, herë pas here vetëm ajror, mund të jetë jo fundi i krizës në Lindjen e Mesme, por fillimi i një kapitulli të ri diplomatik dhe paqeje.
Komente












