Fatos Çoçoli: Meloni, Rama dhe gjysëm të vërtetat mediatike

Fatos Çoçoli: Meloni, Rama dhe gjysëm të vërtetat mediatike

Vizita e dytë në Shqipëri e kryeministres së sotme të Italisë, Giorgia Meloni, në Gjadër dhe Lezhë, zhvillohet një ditë përpara nisjes së zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në datat 6-9 qershor 2024.   

Pavarësisht se arësyeja kryesore e vizitës është inspektimi në vend i punëve të ndërtimit të kampit të Gjadrit, strehimit të përkohshëm në Shqipëri, për emigrantët e paligjshëm afrikanë që zbarkojnë në tokën italiane, kjo lëvizje nuk mund të mos marrë ngjyra përtej marrëdhënieve Itali-Shqipëri.

Si Meloni, ashtu dhe Presidentja e sotme e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë udhëtuar kohët e fundit së bashku në vendet e Afrikës Veriore, për të përfunduar marrëveshje për të frenuar fluksin e emigrantëve afrikanë në Evropë.   

Zonja von der Leyen kandidon në këto zgjedhje evropiane parlamentare për të marrë për herë të dytë drejtimin e BE-së. Ka nevojë të domosdoshme të gjejë aleanca paszgjedhore me të djathtën e moderuar në Evropën e Bashkuar. Dhe kjo e djathtë sot përfaqësohet më së miri nga Partia “Vëllezërit e Italisë” e kryeministres Meloni.

Marshimi i së djathtës populiste në Evropën e Bashkuar

Nga datat 6 deri më 9 qershor 2024, qytetarët në Bashkimin Evropian do të votojnë për të 720 anëtarët e rinj të Parlamentit Evropian, që përfaqësojnë 480 milionë evropianë të 27 Shteteve Anëtare.

Nga sondazhet e kryera në këta pesë muaj të parë të këtij viti, forcat populiste të djathta, shumica kundër Evropës së Bashkuar, kryesojnë në nëntë shtete anëtare të BE-së. Kryesojnë në Francë,  Itali, Holandë, Poloni, Austri, Belgjikë, në Republikën  Çeke, Hungari dhe Sllovaki.

Forcat progresiste dhe të majta në Evropën e Bashkuar duhet të kërkojnë me çdo kusht aleancë dhe bashkëpunim me forcat e moderuara të djathta, në vende si Italia, Franca, etj. Do arrijnë ta bëjnë? Dhe a kanë kohë për koalicione parazgjedhore? Sigurisht që jo. Edhe zgjedhësit e tyre nuk do ta donin përpara garës.

Mirëpo, për interesat madhore të sigurimit të një drejtimi progresist të Bashkimit Evropian(qeveria e tij quhet Komisioni Evropian), aleancat pas-zgjedhore duhet të jenë objektivi numër një i forcave të majta e progresiste në Gjermani dhe në vende të tjera kryesore të Bashkimit Evropian.

Meloni si arkitektja e marrëveshjes së pensioneve Itali-Shqipëri

Shqiptarët kanë kontribuar në arkën e shtetit italian në tre dekadat 1993-2023, në mënyrë të jashtëzakonshme. Zyrtarët e shtetit italian janë të ndërgjegjshëm për këtë.

Nëse në këto 30 vite kemi patur mbi 600 mijë qytetarë tanë në Itali, të paktën 350 mijë prej tyre kanë qenë të punësuar. Prej këtyre, të paktën 280 mijë kanë punuar me kontrata të rregullta pune. Duke derdhur po rregullisht detyrimet e tyre-kontribute për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, në shtetin fqinj. Në 30 vjet, këto detyrime kanë kaluar nivelin e disa miliarda eurove kontribute.

Është qeveria e kryeministres Giorgia Meloni, që e jetësoi kthimin e një pjese të këtyre parave në pensione për qytetarët shqiptarë, që kanë punuar me kontrata të rregullta dhe kontribuar në buxhetin e shtetit italian.

Sipas një vlerësimi paraprak, në vijim të nënshkrimit të Marrëveshjes për pensionet mes Italisë dhe Shqipërisë, numri i përfituesve shqiptarë në Itali dhe detyrimet e pensioneve që rrjedhin nga mundësia e përmbushjes së kushteve të legjislacionit në fuqi, por edhe nëpërmjet bashkimit të periudhave, do të fillojë me rreth 4 mijë pensione në vit. Ky numër do të jetë në rritje të fortë vit pas viti.

Nëse shteti italian që këtë vit do të ketë gati fondet për pagesat për 4 mijë pensionet e para të qytetarëve shqiptarë që kanë kontribuar me punë me kontratë të rregullt për të, me një mesatare 600 euro në muaj, i bie 2.4 milionë euro në muaj ose 30 milionë euro në vit.

Marrëveshja për njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, e firmosur më 6 shkurt 2024, mundëson ofrimin e përfitimeve në sigurimet shoqërore, si dhe trajtimin e barabartë të personave të punësuar dhe për të vetë-punësuarit. 

Marrëveshja do të zbatohet për sigurimin për pleqërinë, invaliditetin dhe pensionin familjar (pasjetuesit). Ajo përfshin edhe sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen, si dhe sigurimin e papunësisë. Është marrëveshje e plotë dhe shumë e mirë.

Tabela 1. Sa para çdo vit? (Parashikim jo zyrtar)

-              Pensione për shqiptarët 2024                                     30 mln euro       

-              Pensione për italianët 2024                                            1.3 mln euro

-              Pensione për shqiptarët 2025                                     52 mln euro       

-              Pensione për italianët 2025                                            6 mln euro

-              Pensione për shqiptarët 2026                                     83 mln euro                       

-              Pensione për italianët 2026                                            9 mln euro

Duhet realisht t’i jemi fort mirënjohës popullit italian, që na priti zemër-hapur në vitin 1992, por edhe qeverisë së sotme të tij, të kryesuar nga Meloni, që vuri në vend një mungesë drejtësie, me kontributin e sigurimeve shoqërore të shqiptarëve të punësuar rregullisht në Itali, në buxhetin e shtetit italian.

Rama dhe gjysem te vertetat mediatike italiane

Ne konferencen per shtyp sot me Melonin ne Lezhe, kryeministri Rama permendi shpesh sulmet me gjysem te verteta te disa mediave italiane, per te denigruar vendin tone. Pavaresisht se keto media e bejne per te mpakur rendesine e Marreveshjes Meloni-Rama per kampin e emigranteve te paligjshem afrikane ne Shqiperi, ato tregohen te padrejte ndaj shqiptareve. 

Pjesëmarrja me intervistë e kryeministrit të vendit tonë në emisionin “Report” të kanalit të tretë të televizionit shtetëror italian “RAI 3” na mësoi disa të vërteta.

Së pari, gjysëm të vërtetat janë hashashi më i fortë për qytetarët e thjeshtë të informuar vetëm nga televizionet që përzgjedhin të shohin dhe rrjetet sociale që klikojnë.

Mjafton të shikojmë ç’po bëhet sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetin më të fuqishëm të botës, me demokracinë më të paepur deri tani. Ish-Presidenti Donald Trump ia ka dalë t’i ndajë fort amerikanët dhe t’i rreshtojë në dy kampe shumë të larguara politike sot.

Ka përdorur të pavërteta dhe gjysëm të vërteta me bollëk, duke filluar nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, që sipas tij ishin të trukuara, pse doli humbës, e deri tek të shpallurit fajtor nga një gjykatë e shtetit të Nju Jorkut, distriktit të Manhatan, për fshehjen e skandalit të marrëdhënies së tij me një aktore të filmave porno, me qëllim që qytetarët amerikanë të mos e merrnin vesh skandalin, pak ditë përpara votimit.

Sipas ish-Presidentit Trump, ky gjyq ndaj tij ishte edhe ky i trukuar, i urdhëruar nga vetë Presidenti i sotëm amerikan Joe Biden. Pavarësisht se kjo është një gjysëm e vërtetë e pastër, miliona qytetarë amerikanë e besojnë të plotë, për shkak të populizmit të jashtëzakonshëm të ish Presidentit Trump dhe mediave e rrjeteve sociale që e përkrahin.

Populizëm është të flasësh atë që duan qytetarët e thjeshtë të dëgjojnë, pa u merakosur fort nëse mund t’i mbash premtimet që ata duan që t’u bësh dhe ti ua bën. Edhe në Evropë, forcat populiste kanë marrë revansh mbi ato progresiste.

Kryeministri Rama, në intervistën e dhënë pardje për emisionin “Report” të kanalit të tretë të televizionit shtetëror italian “RAI”, theksoi pikërisht gjysëm të vërtetat e servirura nga puntata e parë  e emisionit, kushtuar marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë, për kampin e emigrantëve të paligjshëm në Gjadër të Lezhës.

Në mënyrë që të denigrohej marrëveshja e arritur nga kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, Shqipëria u paraqit si një narkoshtet.

Duket e vështirë që të kuptohet nga qytetarët tanë, se si një kanal televiziv shtetëror i shtetit fqinj kërkon të denigrojë punën dhe rezultatet e partisë së sotme që qeveris në Itali, për llogari të një force tjetër politike që drejtuesit e RAI-t i ka sjellë në karriget që mbajnë, por ja që kështu është.

Gjigandi televiziv shtetëror italian RAI i ngjan një hani me dhjetë porta, në drejtim të ndikimeve politike në të. Emisioni i RAI 3 kishte portretizuar Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë së Shqipërisë si te lidhur me krimin e organizuar shqiptar, pa ia publikuar përgjigjet e tij me shkrim, për atë që ai mendonte se ishte e vërteta e tij. Ky trajtim me dy standarde ishte gjysëm e vërteta tjetër e emisionit të televizionit shtetëror italian RAI 3.

Kryeministri Rama i kërkoi me të drejtë emisionit dhe gazetarit italian intervistues që e përfaqësonte, se pse ulej poshtë Shqipëria në puntatën e parë, për të sulmuar qeverinë italiane se me çfarë shteti po bënte marrëveshje! Kete ua kerkoi edhe te gjithe gazetareve italiane te pranishem ne konferencen e sotme per shtyp ne Lezhe. Ja që gjysëm të vërtetat janë shumë të modës dhe të përhapura kudo sot.

Lind pyetja: mes sa gjysëm të vërtetash jetojmë e bashkejetojme ne këtu në Shqipëri? Ato janë shumë. Na takon t’i shkoqisim me durim, pse vetëm kështu mund të formësohet dalëngadalë besimi se ky shteti ynë një ditë mund dhe do të bëhet.

 

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic