Fatos Çoçoli: Përfitimet ekonomike të ditës historike të shqiptarëve

Fatos Çoçoli: Përfitimet ekonomike të ditës historike të shqiptarëve

Rama në Luksemburg pë hapjen e negociatave për grup-kapitullin e parë

15 tetori 2024 përfaqëson një ditë historike për të gjithë shqiptarët, jo vetëm të Shqipërisë, por kudo ku janë. Shqipëria, mëmëdheu i tyre, nënshkroi dje në Luksemburg çeljen e negociatave teknike të vendit, për grup-kapitullin e parë të bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Ky grup-kapitull përmban çështje themelore bisedimi si drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike, reforma e administratës publike, prokurimi publik, statistikat dhe kontrolli financiar.

“Kalimi i klasës” në sitën politike

Për të gjithë ata prej nesh që nuk shohin shumë lidhje me përfitimet ekonomike të xhepit të tyre nga ky moment historik, mjafton të përmendet një fakt i thjeshtë dhe kokëfortë. Nga e djeshma e tutje, asnjë presion, hatërmbetje, keqkuptim apo keqinterpretim politik brenda Bashkimit Evropian, nuk mund të pengojë ose pezullojë tashmë asnjë fond që shkon për Shqipërinë. Dhe këto fonde nuk kanë qenë deri tani.

Fondet nga BE+Procesi i Berlinit në infrastrukturë 2019-2024
Unaza e Madhe(By-pass-i) e Tiranës                            150.9 mln euro
Hekurrudha Tiranë-Rinas-Durrës                                   91.5 mln euro
Ndihme per buxhetin ne dhjetor 2022                            80.0 mln euro
Interkonjeksioni Shqipëri-Maqedoni e Veriut                  70.0 mln euro
Rehabilitimi HEC i Fierzës                                              42.7 mln euro
Internet broadband(me bazë të gjerë)                            40.0 mln euro

Tani, integrimin e Shqipërisë nuk mund ta vonojnë as dasitë politike të forcave tona kryesore partiake, as lufta për pushtet tek ne dhe as vullnetet populiste të partive në Bashkimin Evropian.

Tani ecja është e përcaktuar dhe mund të përshpejtohet. Kemi nisur bisedimet teknike konkrete. Do t’i përfundojmë një ditë ato, do të nënshkruajmë Traktatin e Anëtarësimit dhe pastaj, të 27 Vendet Anëtare të BE-së do të votojnë unanimisht anëtarësimin tonë. Hapja praktike e kapitullit të parë në këtë proces ka vërtet një rëndësi historike. Ky hap shënon kalimin e procesit nga niveli politik në atë praktik.

Çfarë fitojmë ekonomikisht nga nënshkrimi i djeshëm?

Më 26 korrik 2024, qeveria nënshkroi me Kryetarin e Delegacionit të Bashkimit Evropian një grant (fond dhuratë) prej 136 milionë Euro, për ndërtimin e linjës hekurudhore tërësisht elektrike Vorë-Hani i Hotit 120 km e gjatë. Shuma përfaqëson grantin më të madh të dhënë ndonjëherë nga Bashkimi Evropian për një projekt investimi në Shqipëri, në këto 33 vite që BE na ndihmon. Duke i shtuar edhe grantin për linjën hekurudhore Durrës-Rrogozhinë, shuma totale e granteve të akorduara nga institucionet e BE-së për investime në infrastrukturë arrin në mbi 200 milionë Euro.

Me ecjen e bisedimeve teknike, pas nisjes ditën e djeshme, behet gjithnjë më e lehtë dhe më e mundur që të kërkojmë fonde të tjera për projektet e reja të ndërlidhjes me rajonin. Në nëntor 2023, Komisioni Evropian(qeveria e Bashkimit Evropian) shpalli Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili mobilizon për të gjashtë vendet tona 6 miliardë euro në katër vjet, 2 miliardë euro grante(para dhuratë) dhe 4 miliardë euro kredi të buta.

Ky plan i ri i Rritjes i Bashkimit Evropian, nga i cili Shqipëria pritet të përfitojë mbi 1 miliardë euro në formë dhurate ose kredi të buta, do të na sjellë më tepër hapësirë financimi për projektet e zhvillimit tek ne.  

Një pjesë e mirë e këtij fondi, më shumë se gjysma e tij (53.5%), do të mbështesë zbatimin e projekteve të rëndësishme, nëpërmjet mekanizmit të Fondit të Investimit të Ballkanit Perëndimor (WBIF). Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Financave është pozicionuar mirë me projektet e përgatitura dhe të tjerat që duhet të propozojmë, sidomos në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Planit të tij kryesor, që quhet Axhenda e Ndërlidhjes(Konektivitetit).

Fondet për Shqipërinë nga Procesi i Berlinit
2019-2024                                             685.5 mln euro
 2025-2030                                            1 miliardë euro
TOTALI:                                                 1,69 MILIARDË EURO

Deri në qershor 2023, në vlerë totale, Shqipëria përfaqësonte rreth 13 përqind të projekteve të Axhendës (nga 7 përqind në fund të vitit 2019 dhe 11 përqind në fund të vitit 2020), duke përmirësuar ndjeshëm pozicionin e saj, për shkak të miratimit të dy projekteve të reja në samitin e Sofjes, për rehabilitimin e HEC-it të Fierzës, me vlerë 43 milionë euro dhe për Unazën e Madhe të Tiranës, me vlerë 151 milionë euro.

Triptiku hekurudhor

Me miratimin e fondeve për tre hekurrudhat kryesore, pjesa e vendit tonë në Planin e Rritjes së BE-së shtohet akoma.  

Projektet 2024-2028 me bashkëfinancim të BE-së
Hekurudha Vorë-Hani i Hotit                                                               373 mln euro
Unaza e Madhe e Tiranës(përfundon më 31 dhjetor 2024)               150.9 mln euro
Hekurudha Durrës-Rrogozhinë                                                          120 mln euro
Hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës                                                        91.5 mln euro

Punimet në terren për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit do të nisin në dhjetor të këtij viti. Kjo linjë hekurudhore, ndër më të rëndësishmet për Shqipërinë, do të jetë më e shpejta në vend (deri në 120 km/orë me shpejtësi mesatare 100 km/orë) dhe do të ndërtohet sipas parametrave të linjave hekurudhore moderne të sotme të Bashkimit Evropian. Ajo mund të përshpejtohet ndjeshëm në ndërtimin e saj, me çeljen e bisedimeve teknike të anëtarësimit Shqipëri-BE, duke përfunduar ndoshta dhe para vitit 2028!

Kosto tërësore e hekurrudhës do të shkojë 373 milionë euro, ku, krahas 136 milionë eurove grant të BE-së, do të jenë dy kredi të buta nga nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH), në masën 98.8 milionë euro dhe nga Banka Evropiane e Investimeve, me vlerë 100 milionë euro.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria çel negociatat për kapitullin e parë, integrohemi brenda 2030?



×

Lajmi i fundit

Aurela Gaçe feston ditëlindjen, ja sa vjeç mbush artistja shqiptare

Aurela Gaçe feston ditëlindjen, ja sa vjeç mbush artistja shqiptare