Fatos Çoçoli: Që kjo amnisti të mos dështojë!

Fatos Çoçoli: Që kjo amnisti të mos dështojë!

Qeveria bëri publik këto ditë draftin e saj të projektligjit për amnistinë fiskale. Mund të amnistohen(falen) shuma deri në 2 milionë euro, me tarifë 5 përqind, brënda 4 mujave të parë nga dalja e ligjit, dhe me tarifë 10 përqind në pesë muajt e tjerë, si dhe kapitale e prona me tarifë 7 përqind, brënda 4 mujave të parë nga dalja e ligjit, ose me tarifë 10 përqind në pesë muajt e tjerë. Amnistia do të zgjasë 9 muaj.  

Edhe pse, në këshillimin publik të marsit 2022, dukej se me pyetjen për amnistinë qeveria përqëndrohej tek paratë e emigrantëve, pritshmëria më e madhe e qeverisë me draft-ligjin që ka përgatitur dhe hedhur për konsultim publik, është për paratë e ekonomisë informale në vend.

Amnistitë: historiku tek ne

Amnistia fiskale është falja nga Shteti e detyrimeve të pagesave të pakryera të taksave, si dhe e gjobave dhe kamatëvonesave për këto detyrime të prapambetura.

Në periudhën 2008-2017, kanë ndodhur tre amnisti të pjesshme dhe një e përgjithshme të detyrimeve tatimore dhe doganore tek ne. Amnistia e parë e pjesshme u realizua në vitin 2008, e dyta ndodhi dy vite më vonë, në vitin 2010, për të lejuar shtimin e kapitaleve të shoqërive tregtare, nëpërmjet të ardhurave të padeklaruara më parë nga individët. 

Amnistia e parë e përgjithshme ndodhi në prill 2011. Përmes Ligjit të datës 21 prill 2011 “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”, qeveria shpresonte që të fuste në ekonomi 3-4 miliardë euro asete dhe para të padeklaruara nga sipërmarrësit dhe individët. Ligji nuk gjeti përkrahjen e opozitës dhe mungoi besimi i sipërmarrësve.

Amnistia e përgjithshme fiskale, e shpallur si projektligj nga qeveria këto ditë, synon edhe paratë e emigrantëve që realisht e kanë të vështirë t’i ligjërojnë nga puna në të zezë apo ajo gjysëm formale që kanë bërë ne emigracion. Janë me qindra milionë euro, ndoshta edhe afër shumës 1 miliardë uro. Disa flasin pë 7 miliardë euro. Emigrantët tanë duhet të sigurohen se asnjë tatimor apo oficer i policisë gjyqësore të Italisë apo Greqisë, për shembull, nuk do t’i kontaktojë për gjoba apo akoma dhe më rëndë, detyrim burgu, në shtetet ku kanë punuar, për shkak të të ardhurave që ata kanë siguruar në të zezë apo në ekonominë gri, dhe që po i amnistojnë në Shqipëri.

Të mirat e amnistisë së përgjithshme

Paratë informale tek ne konsiderohen në nivele 3-4 miliarda euro. Nëse ato futen në qarkullimin ekonomik ligjor, përfitojmë të gjithë. Nga amnistia përfitojnë edhe të gjitha ato sipërmarrje që kanë punuar me dy bilance, duke ju fshehur detyrimit ndaj shtetit. Nuk mund të ketë falje më të gjerë se kaq. Gjendja e jashtëzakonshme e ekonomisë sonë, me rritje ekonomike të pakësuar nga ulja e konsumit, për shkak të rritjes së pashoqe të çmimeve, e detyron këtë shtrirje të pazakontë të faljes-amnisti. Ky është detyrimi, por edhe morali(nëse mund të flitet për moral) i kësaj amnistie të plotë, që duhet të shërbejë për të ringritur ekonominë tonë dhe të jetë E FUNDIT!

Ndërkohë, amnistia fiskale e propozuar nga qeveria, lejon që të deklarojnë pasurinë deri në 2 milionë euro edhe familjarët e ngushtë të politikanëve, zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë nëse nuk janë pjesë e çertifikatëa familjare në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit. Vetë politikanët, kabineti qeveritar, funksionarë dhe ish funksionarë të lartë shtetërorë dhe familjet e tyre janë të përjashtuar nga amnistia. Mirepo me një akt formal, cilido familjar i tyre, përveç bashkëshortëve, mund të ndahet nga çertifikata familjare, dhe të bëhet përfitues i legalizimit të një pasurie në para leter ose prona deri në 2 milionë euro. Kjo sjell hijet e përfitimit të paligjshëm të politikanëve dhe familjarëve të tyre nga paraja e korrupsionit.

Drafti qeveritar nuk mbart ndonjë kufizim për paratë që mund të jenë fituar përmes ryshfetit dhe korrupsionit, ndërkohe që ndalohet prokuroria dhe strukturat e tjera ligjzbatuese, që të zhvillojnë hetime apo të marrin indicie për hetime të tjera penale, ndaj deklaruesve te parave informale ne amnisti. Veprat penale në fushën tatimore dhe doganore, të cilat falen me këtë ligj, përfshijnë një kapitull të tërë të Kodit Penal. Kjo mund të sjellë probleme me ndëshkueshmërinë në vend, pasi krijimi i skemave mashtruese me TVSH-në, për fat të keq, përbën një plagë të sistemit tonë tatimor shqiptar, ku janë përfshirë edhe shumë kompani të ndërtimit. Edhe pse mashtrimi përmes skemave të TVSH-së false është një vepër penale që dënohet me tre deri në dhjetë vjet burg, falë këtij projektligji, përfituesit do të mund të legalizojnë paratë e tyre dhe njëkohësisht, të mbyllin telashet me drejtësinë. A ka moral kjo gjë?

Sprova e qershorit 2020

Në verën e vitit 2020, qeveria e kishte gati projektligjin për amnistinë fiskale, por u detyrua të tërhiqet përballë presionit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian, që i frikësoheshin rrezikut se falja e madhe fiskale  mund ta kthente vendin në një parajsë për legalizimin e parave të drogës dhe të korrupsionit.

Kryeministri Edi Rama hodhi në mars 2022  për mendim nga qytetarët idenë e tij të aministisë fiskale dhe penale, duke e prezantuar atë si një iniciativë që synon të ndihmojë emigrantët që kanë fituar para të kursyera dhe si të tilla, duhet t’i depozitojnë në ndonjë bankë.

Pyetja në platformën e quajtur “Këshillim kombëtar” dhe “Le të dëgjojmë njëri-tjetrin”, ishte si më poshtë:

“Ka njerëz që thonë se emigrantëve shqiptarë që duan të depozitojnë në Shqipëri kursimet e tyre duhet t’u jepet amnisti e plotë. Të tjerë thonë se depozitimet në vendin tonë të kursimeve të punës në emigracion nuk duhen inkurajuar përmes amnistisë. Ju si mendoni?”

Pyetësori nuk sqaron se cilët janë njerëzit që mbështesin aministinë dhe as ata të cilët mendojnë se “nuk duhen inkurajuar”, ndërkohë që shqetësimet reale të Bashkimit Evropian, FMN-së dhe të tjerëve, nuk lidhen me paratë e emigrantëve por me paratë e krimit dhe të korrupsionit.  Ai nuk jep ndonjë të dhënë nga ndonjë studim, që të sugjerojë se emigrantët me të vërtetë kanë një problem të tillë, pra që kanë para në sasi të konsiderueshme të kursyera nën dyshek dhe që si të tilla, nuk kanë mundësinë t’i depozitojnë nëpër banka apo t’i investojnë.

Në fakt, projektligji i paraqitur këto ditë nga qeveria për konsultim publik, nuk flet thjesht për para të fituara nga emigrantët duke u rropatur në punë në të zezë në vende të tjera, por flet edhe për “asete që nuk janë në bilancet e kompanive” dhe sipas relacionit të qershorit të vitit 2020, nuk është kërkesë e emigrantëve por “ka qenë kërkesë e hershme e sipërmarrjeve dhe e organizatave përfaqësuese të biznesit.”

Projektligji parashikon që çdokush që do të përfitojë nga ky ligj, do të ruajë privatësinë dhe nuk do të përndiqet penalisht për asetet e deklaruara, pavarësisht nëse këto asete rezultojnë apo jo fryte të veprave penale.

Shqipëria konsiderohet si një vend me rrezik të lartë për pastrimin e parave dhe me mekanizma të dobëta ligjzbatuese për identifikimin, hetimin dhe sekuestrimin e parave të pista. 

                                                                         Tabela 2. Amnistia Pro dhe Kundër
· Amnistia e re duhet bërë një herë e mirë dhe të harrojmë që do të vijë një tjetër pas dhjetë viteve!
· Amnistia e re, nëse bëhet, duhet të përjashtojë nga falja pronat dhe paratë e politikanëve, gjykatësve, prokurorëve dhe nëpunësve të tjerë të lartë të shtetit, subjekte të deklarimit të pasurive
· Amnistia duhet të parashikojë marrëveshje me vendet ku emigrantët kanë gjeneruar kursimet e tyre, që emigrantët të mos penalizohen nga legalizimi i këtyre kursimeve në Shqipëri
· Amnistia e përgjithshme duhet të konsultohet gjerësisht me shoqatat përfaqësuese të biznesit, që ky t’i besojë procesit
·  Amnistia e përgjithshme pa konsensusin e opozitës do të jetë shumë e vështirë të ketë sukses.  

Dakordësimi me opozitën. Si të bëjmë që amnistia të mos na dështojë?

Nuk mund të mbartim sërish rrezikun që emigrantët, qytetarët dhe sipërmarrësit të mos i besojnë kësaj faljeje të re të plotë dhe shpresojmë, TË FUNDIT! Në lojë janë me qindra milionë euro, ndoshta dhe më shumë, në duart e fermerëve tanë (shumë syresh sigurojnë të ardhura mbi 5 milionë lekë të reja në vit nga prodhimet në sera dhe nuk i deklarojnë, për të mos paguar tatimin), emigrantëve dhe bizneseve.

Amnistia do të kërkojë edhe paratë e shqiptarëve në parajsat fiskale, duke filluar nga ajo e Qipros. Destinacion shumë i përfolur deri tani, që mendohet se ka shërbyer si epiqendra e parave të politikanëve dhe shtetarëve tanë të korruptuar. Sigurisht që këto para nuk do të amnistohen, por në shtator 2020 Shqipëria është bërë pjesë e 102 vendeve të botës që kanë vendosur të bëjnë publike llogaritë bankare të qytetarëve të huaj. Pra, edhe autoritetet tona tatimore do të marrin nga 101 vendet e tjera të dhëna për qytetarët tanë që kanë depozita bankare jashtë. Dhe kjo i nxjerr ata përpara detyrimit për të justifikuar burimin e këtyre kapitaleve që kanë jashtë. Për të shmangur probleme, të gjithë ata që këto para nuk i kanë nga korrupsioni apo trafiqet e paligjshme, mund t’i amnistojnë. Por që ta bëjnë, duhet të jenë të mirinformuar që tani.

Transparenca dhe informacioni i plotë për mënyrën se si do të zhvillohet kjo amnisti është një kusht tjetër themelor që ajo të realizohet si duhet tek ne. Kjo është falje e madhe publike që duan të 332 mijë qytetarët e konsultuar në Këshillimin Publik të marsit 2022.

Amnistia jonë e këtyre ditëve, edhe pse ngjan mision i pamundur, duhet të synojë dakordësimin me opozitën, pavarësisht se dymbëdhjetë vite më parë, në vitin e largët 2011, ishte opozita e atëhershme, sot në pushtet, që e anatemoi dhe i doli kundër. Kjo ishte një nga shkaqet themelore që dështoi amnistia e parë e përgjithshme fiskale e provuar nga qeveritë tona. Një tjetër hije të zbatimit të amnistisë sot e përbën qëndrimi ndaj subjekteve të ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”. Projektligji shprehet se këta subjekte e kanë të ndaluar të përfitojnë nga amnistia. Ligji në fjalë, i njohur si Ligji Antimafia, i ngarkon pronarët e pasurive me barrën e provës për të provuar burimin e ligjshëm, kur këta pronarë arrestohen nga policia. Por për sa kohë nuk janë zbuluar, gjithkush mund të deklarojë deri në 2 milionë euro pasuri, pa justifikuar burimin dhe pa pasur nevojë që të demonstrojë së paku se paratë e fituara janë rezultat i evazionit fiskal, dhe jo rezultat i aktiviteteve të tjera kriminale. Të gjitha këto hije e çështje të patrajtuara, drafti qeveritar në diskutim ia vlen t’i trajtojë dhe adresojë me kujdes.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër