Fatos Kongoli: Pse shkrova
roman për vrasjet e pazbardhura

Fatos Kongoli: Pse shkrova<br />roman për vrasjet e pazbardhura
Fatos Kongoli, ky shkrimtar i veçantë i letërsisë shqipe, i spikatur për karrierën e tij shpërthyese në letërsinë e pas viteve ’90 në harkun kohor të 20 vjetëve po shënon romanin e 12-të. E ka nisur me romanin “I humburi” dhe së fundmi si për t’i vënë pikën mbi “i” karrierës së tij, na lë dorë romanin më të ri “Njeriu me fat”, i cili është promovuar dje në panairin e librit nga shtëpia botuese “Toena”.  Vërtetë Kongoli është njeri me fat, sepse është nga të rrallët shkrimtarë që jo vetëm shkruan, por edhe “përpihet” nga lexuesit, përkthehet në gjuhë të huaja, vlerësohet nga kritika, etj. Dhe ai, duke i parë në qetësi këto arritje “nuk di” të bëjë gjë tjetër, por nis të shkruajë romanin e tij të radhës. Kongolin s’e dëgjon kurrë të flas keq për ndonjë koleg, por kjo s’do të thotë se nuk lëndohet kur flasin keq për të nga xhelozia.

Nuk është ai që e zë në gojë këtë fjalë, druhet ta thotë, por në kontekstin e kësaj intervistë nuk kemi si të mos ta kuptojmë kur përmend fjalët e Mitrush Kutelit, se “letërsia është e mbushur plot me gjarpërinj”. Sekretet e frymëzimit për krijimtarinë e tij Kongoli nuk ka për të na i thënë kurrë, por tashmë ndihet se çelësi i suksesit është se veprat e tij ngjizen në udhëkryqet e traditës dhe modernen. E prej traditës Fatos Kongoli ka përftuar aftësinë për t’i veshur personazhet me ndjesi, me ëndrra, me jetë, me atë që ai vet e quan “letërsi e dhimbjes njerëzore”.  
 
Zoti Kongoli, pse e keni titulluar romanin tuaj “Njeriu me fat”?
-Njeriun me fat unë quaj 35-vjeçarin Gentian Engjëllin, një përkthyes të frëngjishtes që ka një ëndërr të fshehtë, por megjithëse është edhe pedagog dhe fiton shumë, ai nuk do të përkthejë, sepse i duket vetja çirak. Ky ka një grua të bukur. Edhe për këtë e quajnë me fat, por ja që të gjithë ia lakmojnë. Pra e shoqja është dashnorja e një biznesmeni që e çon nëpër hotele luksoze, e çon edhe jashtë shtetit me udhëtime. Por nuk më pëlqen të tregoj ngjarjen. Në thelb romani është në një kontekst më të ndërlikuar të jetës dhe të sjelljes së personazheve sesa ngjarja e krijuar përmes këtyre situatave që përmenda.

Unë i krijoj ato, por më ndodh shpesh me lexuesit e librave të mi që më pyesin dhe kërkojnë t’i gjejnë këto paralele në personazhet realë, ku janë dy histori paralele dashurie, njëra reale, tjetra virtuale. Ajo virtuale, një vajzë me sy të mëdhenj e të zinj të quajtur Vega dhe një ëndërr e fshehur, më turbulluesja e Gentian Engjëllit, t’u largohet përkthimeve e të bëhet shkrimtar. Dhe në fakt ekziston një shkrimtar ku shpesh e ngatërrojnë atë, vetëm se shkrimtari është me një K dalluese, Gentian.K.Engjëlli. Ndonjë një njeri që më njeh nga afër dhe është në dijeni të ngjarjeve që kanë ndodhur, mund të kujtojë vërtetë se unë shkruaj vërtetë për një ngjarje reale. E megjithatë nuk është kështu. Unë di që kanë ndodhur këto ngjarje, por nuk di si kanë ndodhur. Në roman unë i krijoj ato.
 
Por ndërkohë derisa e keni trajtuar problemin e krimit, ju mund të na thoni se cili është mesazhi i kësaj vepre, gjithmonë sipas jush?
-Unë nuk mund të flas dot kështu. Letërsia as nuk është, as nuk bën moral. Letërsia nuk mund të mbetet te fakti, te historia. Letërsia shkon shumë përtej ngjarjes. Në qendër të romanit është një vrasje e bujshme e pazbardhur. Asnjë lidhje nuk ka në dukej midis anketës së inspektorit dhe shefit të tij që do të fsheh protagonistët vipa në ngjarjet e vrasjes. Protagonistët janë në dukje anonimë. Unë kam krijuar emrin metaforik të një hoteli, “Elsinor”, emri i të cilit është në veprën e Shekspirit.

Emri i personazhit të rimarrë nga librat e tu, sa lidhje ka me ndonjë personazh real?
-Figura kryesore nuk është inspektori, por është Gentian Engjëlli, ai është strumbullari i romanit. Gentiani është një përkthyes që ka ngecur mes punës së çirakut dhe dëshirës për t'u bërë shkrimtar.  Është një personazh plot me ëndrra, por i papërshtatshëm në egërsinë e realitetit që e rrethon. Ndërsa për inspektorin Sabit Kurti të gjithë më pyesin se kush është ky personazh. Për mua ai është një figurë komplekse, përfaqësues i zbatimit të ligjit në një shoqëri të korruptuar dhe më ka tërhequr gjithmonë.  Këtë personazh e kam edhe te "Porta e Shën Pjetrit", por edhe në një libër tjetër timin, "Jetë në një kuti shkrepësesh".

Në romanin “Njeriu me Fat”, portreti i tij vjen më i plotë dhe pothuajse është në mbyllje të karrierës së tij. Jam marrë gjatë me këtë personazh, sepse dua t’i jap një kuptim këtij njeriu të ndershëm, me parime, por që lufton i vetëm në këtë botë. Ai është një krijim imi, i fantazuar, që shpreh një qëndrim timin kundër shumw gjërave që kanë ndodhur, siç janë këto vrasje të bujshme, dhe asnjëherë autori nuk është gjetur. Por pak rëndësi ka subjekti, letërsia nuk mund të shpjegohet me subjektin dhe megjithëse në këtë ngjarje ka një inspektor policie dhe vrasjet që ndodhin në një hotel, mos mendoni se është një roman thriller.

Unë jam mbështetur tek fakti se janë kaq shumë ngjarje të bujshme vrasjesh që kanë ndodhur tek ne ndër vite, por ato mbeten akoma të pazbuluara, megjithëse në realitet dihen nga të gjithë protagonistë e këtyre vrasjeve. Jeta jonë e përditshme është e tejmbushur me ngjarje kriminale dhe nuk ka nevojë t'i fantazosh, çdo fantazi do të ishte shumë e zbehtë krahasuar me realitetin, por mua kur shkruaj nuk më interesojnë ngjarjet, më intereson impakti, ndjeshmëri që tregon lexuesi kundrejt tyre. Letërsia këtë funksion ka, ndikimin emocional.

Le të kthehemi tek e gjithë krijimtaria juaj, pse nisët të botonit pikërisht pas viteve ’90. Duket si paradoks e nisët me romanin “I humburi” dhe tani kemi në dorë “Njeriu me fat”?
-Nisa të shkruaja kaq vonë sepse Letërsia ndaj së cilës isha i prirur unë, ajo që e quajnë letërsi e ndjenjave, e dhimbjes njerëzore, nuk mund të bëhej në Shqipëri. Ju e dini që unë kam mbaruar studimet për matematikë dhe më pas iu ktheva letërsisë. Kam vënë re që të gjithë ma bëjnë këtë pyetje, pse nise të shkruash pikërisht pas ‘90-ës. Unë nisa të shkruaja kur u ndjeva i lirë, kur e ndjeva se do të shkruaja ashtu siç dëshiroja. S’e kisha vënë re këtë kombinim titujsh të veprës së  parë me të fundit. Çudi ju ma kujtuat. Në të vërtetë unë pata fat, romanet e mi u botuan dhe u pëlqyen në Shqipëri e në vende të tjera. Njeriu me fat është libri i 12-të që kam shkruar. 


A e keni ndjerë realisht konkurrencën në Shqipëri gjatë këtyre 20 vjetëve?
-Konkurrenca ekziston, por secili bënë punën e vet, sepse letërsia është një garë dhe kjo është normale. Ndërsa jonormale është kur dalin në dritë libra të mirë dhe mes konkurrentëve rritet smira. Por unë mendoj se letërsia është e denjë të depërtojë aty ku nuk hyjnë ligësitë e njerëzve. Ligësitë e njerëzve nga unë janë shpërfillur dhe unë kam vijuar të krijojë përmes një procesi të natyrshëm. Ja edhe personazhi i këtij libri ka ëndrrën të bëhet shkrimtar. Është një ambicie e tij që shoqërohet edhe nga smira. Pastaj në letërsi ka pasur gjithmonë inate shkrimtarësh.

Personazhi im thotë se kam lexuar një thënie të Dostojevskit që thotë “nuk dua të varrosem te varrezat e shkrimtareve se nuk dua të jem përjetësisht me armiqtë e mi. Ose një thënie shume e vërtetë që ka thënë Kuteli: “Fusha e letërsisë është e mbushur me gjarpërinj”. Por nuk e them unë këtë, e thotë Kuteli. Klima letrare sot në Shqipëri është e ngjashme me klimën letrare në çdo vend tjetër të lirë, normal, të hapur, me kontakte edhe me zhvillimet bashkëkohore. Thelbësore për letërsinë janë liria dhe kontaktet me botën. Këto nuk u mungojnë sot shkrimtarëve shqiptarë. Unë vetë, prej shumë vitesh bëj një jetë të tërhequr, çështje moshe më shumë.
 
Shkrimi u publikua sot (14.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Revoltë në burgun italian, të dënuar të armatosur plagosin dy policë

Revoltë në burgun italian, të dënuar të armatosur plagosin dy policë