Fatos Sela te Amadeus, realizim 24 karatësh.
M’u shfaq si Kadri Roshi

Fatos Sela te Amadeus, realizim 24 karatësh.<br />M’u shfaq si Kadri Roshi
TIRANE- Galerisë sime të vogël me portrete të përkryera personazhesh, krijuar nga artistë me vlera jo të zakonshme, shtypur në gazetat e një gjysmë shekulli, ja ku po i shtohet edhe një tjetër: Antonio Salieri i Fatos Selës, në spektaklin e ditëve të mbrame të fundvitit që sapo iku, Amadeus në Teatrin Kombëtar... 
Profesionalizmi i rreptë i aktorit, krijimi i tij, matet me peshoren e vogël të arit, ajo që tregon karatet, jo me bujën zhurmuese që të nesërmen harrohet. 

Fatos Sela ka krijuar diçka të tillë, që nuk mund të harrohet. Në natën e premierës të “Amadeusit”, pashë një realizim 24 karatësh të tij në personazhin tragjik të Antonio Salierit, skalitur me mjeshtëri të lartë.... 
Fatos Sela në monologjet ndaj Zotit ( se Ai vetëm dëgjon dhe nuk përgjigjet), është demoniak i paepur dhe nuk frigohet nga një perëndi, për të, i padrejtë. 

Sigurisht,triumfi më i madh është i aktorit që theksimet e tij karakteristike i përcjell thellë në mendjen e shikuesve, i ngul si ushta në vetëdijen e tyre dhe iu trondit bindjet për aspekte të veçanta të jetës... 
Teknika dramaturgjike e retrospektivës “para-prapa” në këtë vepër, çohet në ekstrem thuaj se në çdo moment të rrëfimit. Një vështirësi kjo kuazi e parealizueshme për aktorin që i duhet të plaket e të rinohet aty për aty, të ndërrojë temp e regjistra vokalë, të kthehet herë nga partnerët e herë nga shikuesit orë e çast, si automat. Çmenduri që vetëm një virtuoz mund ta realizojë. 

Aktori Fatos Sela, përshkon trajektoren e raportit të Salierit me Zotin, që fillon me një lutje të përvuajtur kur ishte 16 vjeç dhe mbyllet me një akuzë, tashmë 66 vjeç. Në udhën e mundimshme për të rikrijuar këtë personazh kompleks, aktori e shpërvjel mjeshtërisht karakterin e tij ambicioz qysh në atë moshë fare të re, me aq vërtetësi sa na bën t’i japim të drejtë, madjé ta mëshirojmë në çmendurinë e vet...
Dihet që Zoti nuk dialogon me asnjë vdekatar të kësaj toke. Me gjithë këtë Fatos Sela, me vërtetësinë e interpretimit të tij, na e bën të qenë atë identitet virtual. Na bëhet sikur Zoti e dëgjon Salierin dhe mblidhet e zvogëlohet sa një grusht prej agresionit verbal të artistit. 

Kur para dyzetenëntë vjetësh, shkruaja për Kadri Roshin: “Nuk njoh një aktor tjetër që me arsyetimin e tij perfekt, me frazën e zbërthyer si në pëllëmbë të dorës, të më bëjë ti jap arsye edhe për gjënë më të paarsyeshme!” Nuk ma merrte mendja atëherë, se do ta shoh veten të mbërthyer nga ky paradoks, kur edhe Salier-Selës i dhashë të drejtë në gjënë më të shtrembër: në akuzën e tij ndaj Zotit. Fuqia e tij impresionuese mu shfaq e tillë si ajo e Kadriut në atë kohë të largët. 

Fatos Sela, ky mjeshtër i vjetër i fjalës, të cilit kurrë nuk i ka humbur asnjë germë pa mbërritur deri në veshin dhe në zemrën e shikuesit të radhës më të fundit të sallës së teatrit, ka vënë në punë edhe në këtë rol, gjithë gamën e gjerë të tingujve të laringut të vet...
Potenca krijuese, mundësitë e mëdha të këtij aktori, do të ishte mëkat, sikur të mos viheshin vazhdimisht në punë me role të prera për të, nga Teatri Kombëtar.
 
*Fragment nga vlerësimi kritik i studiuesit dhe regjisorit Mihal Lurasi pas shfaqjes së Amadeus

Shkrimi u publikua sot (19.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Ervin Hoxha merr detyrën si Ministër i Brendshëm: Prioritet reformimi i drejtuesve të Policisë

Ervin Hoxha merr detyrën si Ministër i Brendshëm: Prioritet reformimi i drejtuesve të Policisë