Fatos Tarifa: Kriza e lidershipit më shqetëson

Fatos Tarifa: Kriza e lidershipit më shqetëson

Selia blu

Ditët më të nxehta të verës, kur kjo stinë është ende në mesin e saj, duket se i kemi lënë pas. Pas kemi lënë edhe një stinë politike shumë të nxehtë. Por, ndërsa temperaturat e larta të motit ka pak gjasa të rikthehen (kështu na thonë parashikimet metereologjike, që informohen nga shkenca atmosferike), temperaturat e politikës në vend me shumë gjasa do të rriten në vjeshtë.

Skandalet e kohëve të fundit janë kryesisht politike, jo thjesht vjedhje përmes aferave korruptive. Përfshirja në to e disa zyrtarëve të lartë dhe shumë të lartë të organeve drejtuese të pushtetit ekzekutiv dhe atij vendor nuk e zhveshin aspak nga përgjegjësia morale e politike kryeministrin e vendit. Këto skandale kanë për autorë njerëz të zgjedhur me dorë nga kryeministri dhe kanë ndodhur nën hundën e tij.

Sofizmat dhe aporitë e përdorura nga kreu i qeverisë në përpjekjet e tij për t’u shfajësuar dhe për të larguar nga vetja çdo përgjegjësi morale e politike, nuk përbëjnë argumente dhe nuk bindin askënd me arsye të shëndoshë. Ato mund të bindin vetëm ata njerëz që janë gjithnjë dhe tërësisht të bindur ndaj kryeministrit, ose që i tremben hijes së tij të rëndë apo gjendjes së humorit të tij.

Përveç skandaleve, kohët e fundit jemi bërë dëshmitarë të një sërë vendimesh të gabuara, të marra me shumë ngut (në mes të vapës e në prag të pushimeve) nga qeveria dhe nga shumica socialiste në kuvend.

Shkak i tyre është bërë arroganca e pushtetit shtetëror, pushtet i personalizuar në shkallën më të lartë të mundshme në kushtet e një republike parlamentare në duart e një personi të vetëm, kryeministrit të vendit.

Por po kaq është bërë shkak një opozitë e shkalafitur dhe në pikë të hallit, e cila nuk është as opozitë ndaj veprimeve të qeverisë, as një forcë politike që të mundet realisht ta kontestojë partinë që drejton vendin në zgjedhjet e ardhshme.

Të gjitha këto janë çështje që duhet të na shqetësojnë. Çështje të tilla e kanë shqetësuar me kohë dhe e shqetësojnë edhe më shumë sot autorin e këtyre radhëve si një studiues i jetës shoqërore, si një intelektual i angazhuar, si një qytetar i kësaj republike por, edhe më shumë akoma, si një qytetar që vazhdimisht i ka dhënë dhe i jep mbështetjen dhe votën e vet Partisë Socialiste që aktualisht drejton vendin.

Me këtë shqetësim intelektual e qytetar, kam ngritur zërin dhe, kryesisht përmes gazetës DITA, publikisht kam kritikuar ato qëndrime të kryeministrit dhe të shumicës socialiste në kuvend (një shumice tërësisht të regjimentuar e të komanduar nga kryeministri), sa herë që ato qëndrime i kam gjykuar të gabuara, të nxituara, të pakonsultuara gjerësisht me ekspertët më të mirë të vendit, të pambështetura rigorozisht në fakte dhe në nevojat reale të shoqërisë sonë, ose që thjesht kanë qenë qëndrime volontariste të kreut të qeverisë.

Këtë e kam bërë (dhe do të dëshiroja ta bënin edhe shumë qytetarë dhe intelektualë që kanë vërejtje për—ose janë të zhgënjyer nga—puna e qeverisë), i bindur se, në një demokraci, kushdo është i lirë dhe ka të drejtë të kritikojë e të shprehë publikisht mendimin e vet për çdo subjekt dhe për këdo, edhe për politikanët dhe politikat shtetërore. Karl Popper thoshte se e drejta dhe liria për të kritikuar autoritetet politike dhe intelektuale janë kushte esenciale për një shoqëri të hapur.

Këtë të drejtë dhe këtë liri, të cilat deri tri dekada më parë nuk i kishim dhe as i përfytyronim dot, tashmë i kemi fituar. Ato i kemi të gjithë—njëlloj dhe në të njëjtën masë. E drejta dhe liria për të kritikuar autoritetet politike s’mund t’i mohohen askujt dhe s’mund t’i rrëmbehen askujt.

Kjo liri na mbron nga arroganca e pushtetit dhe nihilizmi i drejtuesve të tij. Demokracia nis me qytetarin. Ajo është një bashkësi qytetarësh demokratikë. E kjo do të thotë se, nëse vërtet e duam demokracinë, nuk mund të jemi sehirxhinj. Democracy is not a spectator sport.

Demokracia jonë është e brishtë. Ajo, si çdo demokraci, mund të rrezikohet pikërisht nga ata që janë zgjedhur për ta mbrojtuar atë. Detyra jonë, si qytetarë, është ta mbrojmë demokracinë. Pra, edhe të kritikojmë ata që kemi zgjedhur të na përfaqësojnë e të garantojë shëndetin e demokracisë sonë.

Ndërsa Partia Demokratike (cila parti?), deri dje partia kryesore opozitare në vend, duket se ka një problem ekzistencial, Partia Socialiste, më e madhja në vend dhe për afro dy të tretat e periudhës së tranzicionit demokratik (dhe aktualisht) në pushtet, duket se ka një problem lidershipi, në mos një krizë lidershipi.

Krizat e lidershipit nuk janë të huaja në demokraci. Shtetet e Bashkuara, demokracia më e madhe e globit, ka vite (të paktën pas presidentit Clinton), që përjeton një krizë lidershipi; Britania e Madhe që nga koha e kryeministrave Thatcher dhe Blair; Gjermania pas kancelarëve Schmidt dhe Kohl, Franca pas presidentit Mitterrand, për të mos përmendur Bashkimin Europian që, për shkak të natyrës së vet dhe të deficitit të legjitimiteti demokratik, është në një krizë të vazhdueshme lidershipi.

Kjo krizë lidershipi në Partinë Socialiste, lidership i kuptuar dhe pranuar—me vullnet të lirë, ose përmes imponimit—si aftësia e një personi të vetëm për ta drejtuar atë parti dhe ipso facto për të qenë kreu u përhershëm i qeverisë, herët a vonë mund të çojë në një situatë të padëshiruar.

Asnjë politikan s’mund të qëndrojë në krye të partisë së vet (sidomos nëse qëndron pa iu nënshtruar një testi të përsëritur zgjedhjesh brenda partisë) ose në krye të qeverisë aq gjatë sa ç’mund të dëshirojë. Ndryshe nga ç’ndodh në një diktaturë, në një teokraci, në një sulltanat apo në një oligarki, në demokraci politika nuk është një liqen me ujra të fjetura, por një sistem politik dinamik.

Domokracia nuk është si monarkitë absolute europiane të shekujve të 17-të dhe 18-të, as si regjimet despotike orientale, në të cilat, legjitimiteti i sunduesit, si rregull, besohej se buronte nga prejardhja e gjakut, e sanksionuar në mënyrë hyjnore, dhe nga një farë identifikimi i sunduesit me perëndinëm si zot i universit. Në demokraci nuk ka vend për liderë të përjetshëm.

Qëndrimi i gjatë në pushtet, veçanërisht në një demokraci të brishtë dhe me një opozitë të dobët, është një ogur i keq. Unë nuk do të dëshiroja që pas Ramës (ose për shkak të tij), Partia Socialiste të përjetonte një krizë të thellë lidershipi dhe një vakum politik, që mund ta çonte në një situatë të ngjashme me atë në të cilën ndodhet partia deri dje rivale kryesore e saj.

Këtij rreziku mund t’i dilet përpara sa s’është vonë. Veritas odit moras, thoshte Seneka (e vërteta e urren vonesën). Shkarkimi, me një të rënë të lapsit, nga detyra e tërë sekretariatit të PS-së, me kaq urgjencë në fund të korrikut, lë vend për shumë mënyra të lexuari.

Thirrja e një kongresi të jashtëzakonshëm të kësaj partie në fillim të vjeshtës mund të jetë e domosdoshme por, nëse ai kongres, pa i kërkuar llogari kreut aktual të PS-së dhe të qeverisë dhe pa i dhënë votëbesim, thjesht i mundëson këtij të fundit të vazhdojë të drejtojë e të qeverisë, mund të bëhemi dëshmitarë të një qeverisjeje me po ato gabime që kemi parë deri më sot dhe të një kryeministri që do të sillet me kabinetin e vet, me kuvendin dhe me qytetarët e këtij vendi po aq arrogant sa deri më sot.

Qofsha i gabuar!

M.Q./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • George: 31/07/2023 11:21

    Fatos Tarifa duhet te ngrihet kunder rrenjes se arrogances se Kryetareve te Partive Politike ne Shqiperi, e cila eshte marreveshja famekeqe Berisha-Rama e 21 prillit 2008. Po nuk u shkul ajo rrenje e keqe nga Kushtetua e Shqiperise, te gjitha kritikat jane fisheke manover.

    Përgjigju
  • Italia si moter: 28/07/2023 17:43

    O zoti Fatos mos u shqeteso se kete shqetesim nuk e ke pasur kur sala shkateroi Shqiperine ,apo ishe ambasador dhe nuk te plaste se cfar bente berisha , Edin ka kush e gjykon eshte nje popull qe i jep voten . Ri i qete se do te te bjere ndonje damlla ne tru ,he vella mos u shqeteso se na ben hatan po te ikesh .

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Ergys Mërtiri: Ç'na tregoi më 23 nëntor Altin Dumani?

Ergys Mërtiri: Ç'na tregoi më 23 nëntor Altin Dumani?