Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është shprehur pas përfundimit të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve se nuk arriti ta kuptonte qëndrimin e PD-së për fazën e dytë të Reformës Territoriale.
Sipas Ballës, përfaqësuesit e opozitës u larguan nga salla pa dëgjuar asgjë. Ai kërkoi reflektim nga deputetët e opozitës dhe e ftoi PD-në që të bëhet pjesë e Komisionit të Posaçëm për fazën e dytë të Reformës Territoriale.
“Nuk e kuptova qëndrimin e PD-së. Ishte një deputete aty që parashtroi qëndrimin e PD-së. Uroj që deri të enjten të ketë reflektim. Kolegia iku pa dëgjuar përgjigjen për diskutimin që është bërë në korrik. Në korrik kërkesa u parashtrua gabim, pasi nuk u parashtrua në momentin e duhur. Edhe në 2014-ën në fillim kemi votuar hartën, pastaj kemi punuar për 4 shtyllat e tjera, përfshi kuadrin ligjor dhe financat vendore. Kur këta të PD-së nuk kanë qenë në Parlament në vitin 2020, ne kemi votuar një ligj për rajonet dhe në bazë të atij ligji kemi ngritur edhe shërbimet për rajonet. Ka pasur propozime nga deputetë që kjo nuk ka qenë produktive, hajde ta diskutojmë. Opozita, edhe për të qenë koherente me ato që kanë kërkuar e propozuar, duhet ta vazhdojë. Që ditë më parë, në emër të mazhorancës, si kryetar i Grupit unë u kam thënë që ‘ne do të vijmë me propozimin për të vijuar punën. Bujrum, hajdeni, mos e lini karrigen bosh’”, tha mes të tjerash Balla.
Lajmi kryesor:
Faza e dytë e Territoriales, PD drejt bojkotit të komisionit për kompetencat e bashkive? Balla: Reflektoni! Mos mbani peng as ‘Zgjedhoren’





