FBI merr në dorë Byronë e
Hetimit, përzgjedh anëtarët
EURALIUS:Si do të bëhet vettingu

FBI merr në dorë Byronë e<br />Hetimit, përzgjedh anëtarët<br />EURALIUS:Si do të bëhet vettingu
Në 25 qershor, pasdite, Komisioni i Reformës në Drejtësi është mbledhur për një seancë të veçantë ku ekspertët e EURALIUS-it të BE-së dhe OPDAT-it të SHBA-së u janë përgjigjur rreth 50 pyetjeve të deputetëve mbi draftin kushtetues për reformën në drejtësi.

Shqiptarja.com sjell procesverbalin e zbardhur të kësaj mbledhjeje, kur dy ekspertët japin përfundime mbi procesin e reformës në drejtësi. Veç pyetjeve të karakterit teknik, vihet re konkluzioni i ekspertit të OPDAT, Jon Smibert i cili thotë se do të duhet shumë kohë për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, dhe të SPAK-ut, pasi filtrimi i anëtarëve të saj, dhe trajnimi nga FBI do të kërkojë kohë. 

Edhe eksperti i EURALIUS, Rainer Deville, thotë se vijimi i procesit, deri në vënien në jetë të saj, do të dojë 5-9 vjet. Ky ekspert i BE-së, shpjegon edhe se si do të bëhet vettingu (vlerësimi dhe hetimi i gjyqtarëve e prokurorëve) nga misioni ndërkombëtar, në përfshirje me avokatin e popullit. Pikë interesante e diskutimit është parashikimi në ndryshimet kushtetuese, që gjyqtarët e prokurorët që kanë ankesa ndaj Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, të shqyrtohen nga një komision hetimor parlamentar. Këtë e kundërshton Pandeli Majko, i cili thotë se eksperienca e deritanishme parlamentare, ka treguar se në këto komisione ka keqpërdorime të thella politike.  
 
Ja debatet në mbledhjen e komisionit:
Fatmir Xhafaj – Jam shumë i keqardhur për faktin se kolegët e opozitës, në vazhdim të një bojkoti politik të veprimtarisë parlamentare, nuk janë të pranishëm në këtë mbledhje të komisionit të posaçëm parlamentar, që ka të bëjë me një çështje që ka një pritshmëri të jashtëzakonshme nga qytetarët shqiptarë dhe nga partnerët ndërkombëtarë, siç është reforma në drejtësi. Natyrisht, kjo nuk i shërben procesit ashtu siç do të duhej të ishte, dhe këtu nuk dua ta zgjas më shumë me diskutimin politik të problemit, sepse do t’i qëndroj besnik asaj çfarë duhet të bëjë kjo tavolinë më shumë sesa të diskutoj dhe të prodhoj politikisht. Kjo tavolinë është për të diskutuar në këndvështrimin kushtetues dhe ligjor për të prodhuar një projekt kushtetues të qëndrueshëm. Shpresoj që në ditët në vijim kolegët e opozitës dhe ekspertët e tyre të vazhdojnë të jenë të përfshirë në këtë proces dhe në veprimtarinë e komisionit të posaçëm parlamentar, sepse ky nuk është një shërbim apo qëndrim ndaj maxhorancës, por duhet kuptuar si një shërbim dhe si një qëndrim ndaj pritshmërive që kanë qytetarët dhe partnerët në ushtrimin e përgjegjësisë politike, institucionale dhe qytetare të Kuvendit të Shqipërisë. Nuk janë të pranishme mediet dhe nuk do të jenë, sepse ne do të vazhdojmë normalisht punën siç kemi vepruar edhe në mbledhjet e mëparshme, jemi në vazhdimësi të procesit dhe rregullat e lojës janë po të njëjtat, siç thashë, pa dyshim me një mungesë të rëndësishme, siç është ajo e opozitës. Por, gjithsesi, përgjegjësia ndaj detyrës që kemi, përgjegjësia ndaj qytetarëve na obligon që ta vazhdojmë procesin më tej. Kështu që do të vazhdojmë pikërisht atje ku e kemi lënë dhe për të cilën jemi mbledhur: për të dëgjuar ekspertët e nderuar në paraqitjen e qëndrimeve të tyre.

Jon Smibert OPDAT–Këtu janë disa pyetje të rëndësishme, të cilave u duhet dhënë përgjigje dhe shpresojmë që do t’u japim përgjigjet e duhura. E kuptojmë që roli ynë nga perspektiva ndërkombëtare është shumë i rëndësishëm për t’ju ndihmuar të merrni vendime, si një trup politik, ndaj disa nga pyetjet që kemi marrë, u jemi përgjigjur në mënyrë teknike, duke iu referuar Komisionit të Venecias ose edhe praktikave më të mira ndërkombëtare, por gjithashtu u jemi shmangur përgjigjeve të atyre pyetjeve që mund të kishin një këndvështrim paksa politik. Disa nga pyetjet na kanë mundësuar të ecim në diskutimet me ekspertët e opozitës. Ata me të vërtetë prisnin që ne do t’u përgjigjeshim atyre pyetjeve. Por çfarë pyetjesh ishin ato? Ato përfshinin tre pjesë të reformës, që ishte vetting, Byroja e Hetimit dhe SPAK-u, pa përmendur pjesët e tjera. Pra, kjo kishte pak a shumë një perspektivë politike. Dua të sqaroj fillimisht që edhe ne kemi pasur diskutimet tona me ekspertët e opozitës dhe kemi pasur diskutime edhe nga ekspertët e nivelit të lartë për të shqyrtuar pikëpamjet tona.

Nga këndvështrimi ndërkombëtar, përpiqemi të jemi neutralë dhe t’ju japim përgjigjet tona, në kuadër të praktikave më të mira ndërkombëtare. Fillimisht, duhet të themi dy gjëra: së pari, Shqipëria ka bërë përmirësime të rëndësishme, por përsëri këto përmirësime nuk kanë qenë të mjaftueshme për arritjen e qëllimit të kësaj reforme. Një tjetër pikë që duam të përmendim, është: A do të krijonim vetëm një SPAK dhe prokurorinë dhe të bëjmë vetëm vetting, pa pasur pjesët e tjera të sistemit, që të vendosin si pjesë e reformës? Përsëri ka nevojë të bëhen ndryshime të tjera për të siguruar që SPAK-u dhe BKH-ja janë vërtet të pavarura dhe mund ta bëjnë punën e tyre, si për shembull, ngritja e Këshillit të Prokurorisë dhe të sigurojmë që ka mënyra për t’i mbajtur këto inspektime jashtë kontrollit politik. Pra, janë bërë mjaft ndryshime, të cilat janë pjesë e një kuadri ligjor. A është e mundur të bëjmë vetëm SPAK-un, BKH-në dhe vetting-un me disa ndryshime të tjera? Po, është e mundur. Kjo do të kënaqë qëllimet e gjera dhe të përgjithshme të reformës dhe mendoj se thellësia apo shtrirja e ndryshimeve nënkupton që ka pasur vërtet probleme brenda sistemit gjyqësor, të cilat duhen adresuar. Gjithashtu, na u bë në disa mënyra edhe pyetja: Si duhet t’i zgjedhë parlamenti anëtarët e institucioneve si: anëtarët e KLD-së apo prokurorin e Përgjithshëm? Këto ishin pyetje të përgjithshme. Ne e debatuam dhe duam t’ju përgjigjemi në dy mënyra:

Njëra mënyrë është duke dhënë disa shembuj, të cilët mund të merren dhe të bëhen. Ne i kemi ndarë shpesh këta shembuj, të cilët mund të çojnë në një lloj zgjidhjeje, por këto gjëra janë diskutuar një herë dhe kanë të bëjnë më shumë me një vendim politik, i cili duhet t’i përshtatet sistemit tuaj dhe realitetit tuaj politik. Ne mund t’ju ofrojmë disa ide. Na është bërë një herë kjo pyetje dhe sigurisht ne përsëri mund t’ju japim mendimet tona për të, por përsëri duam të theksojmë që ky është një vendim politik dhe ne do të mbështesim negociatat që ju mund të bëni, por ne nuk mund t’i bëjmë ato. Sa gjyqtarë doni që të vijnë nga jashtë sistemit për t’u bërë pjesëtarë të gjykatave tuaja? Përsëri është një vendim politik të cilin mund ta bëni ju. Rekomandimi i BE-së ishte për një numër të vogël gjyqtarësh që vijnë nga jashtë sistemit, sepse shtetet që kanë qenë në tranzicion dhe kërkojnë të anëtarësohen në BE duan që ekspertizën ta bëjnë ata persona, që kanë njohuri veçanërisht në të Drejtën Europiane apo në fushat e tjera më të specializuara të ligjit, të cilat mund të jenë pjesë e gjyqësorit tuaj. Këta persona duhet të kenë shumë njohuri në këto fusha dhe të kenë një pozicion brenda Gjykatës së Lartë. Për sa i përket marrëdhënies midis policisë dhe prokurorisë te SPAK-u, ndoshta nuk do të duhet të përcaktohet me Kushtetutë por me ligj i cili është i zbatueshëm për BKH-në dhe SPAK-un.

Ne kemi një projektligj, i cili është hartuar dhe ndarë me ju dhe mund ta diskutojmë edhe më tej kur të flasim për ligjin. Gjithashtu, ne morëm parasysh disa modele që u diskutuan nga komisioni ad hoc dhe është rënë dakord që të ketë një Prokuror të Përgjithshëm, i cili mund të emërohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Kjo ishte për të garantuar pavarësinë më të madhe për SPAK-un. Prandaj ky person duhet të zgjidhet me shumicë të thjeshtë, por duhet të hiqet me shumicë të cilësuar. Kjo gjë mund të bëhet me të dyja mënyrat. Mund të hiqet me shumicë të thjeshtë ose me shumicë të cilësuar. Pra, të dyja mënyrat mund të funksionojnë. Përpara se t’ia jap fjalën zotit Rainer, dua të shtroj pyetjen se a mund të ngrihet SPAK dhe BKH-ja sa më shpejt të jetë e mundur? A mund të ngrihen ato nesër si institucione? Përgjigjja është jo, nuk mund të ngrihen.

Së pari, duhet të keni një trup që të kalojë nëpërmjet procesit të vlerësimit, me qëllim që të zgjidhni anëtarët e SPAK-ut. Pra, duhet të keni prokurorët që të verifikohen dhe të kontrollohen. Si pjesë e procesit të përzgjedhjes ky duhet të jetë një proces i pavarur. Gjithashtu, do të preferohej që ky proces të jepte mundësinë që në këto vende të mos vendosen ata persona, të cilët nuk do të përmbushin dot edhe detyrat e vetingut sapo të vihen në këto pozicione. Për sa i përket Byrosë Kombëtare të Hetimit, ajo duhet bërë në mënyrën e duhur, në mënyrë që këta persona të trajnohen nga FBI-ja jashtë Shqipërisë. Gjithashtu, ne duam t’ju ndihmojmë për trajnimin e tyre në akademinë e FBI-së, që është në Virxhinia. Ky proces kërkon 3 muaj për përzgjedhjet, kontrollet dhe verifikimet e tyre dhe të çdo lloj testi tjetër të rekomanduesh.

eksperti

Rainer Deville EURALIUS - Nuk duhet bërë gjithçka vetëm me ndjesi politike. Ne nuk kemi aftësinë të marrim vendime politike, por teknikisht ju mund të bazoheni në versionin e ardhshëm ose në atë aktualin, duke u mbështetur te Komisioni i Venecias, kurse pjesa tjetër që u takon përgjigjeve politike është juaja. Pra, përgjigjet që janë këtu, nuk janë gjithçka. Një pjesë e tyre kanë ngelur për hapat e tjerë në vijim. Ministri i Drejtësisë dhe Presidenti nuk kanë më rol në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Pyetja që lind këtu është: Çfarë do të bëjë Ministri i Drejtësisë në këtë sistem? A duhet përmendur diku roli i tij? Këto janë pyetje politike, prandaj duhet ta ndani mendjen. Kushtetuta nuk mund të parashikojë një ligj për të gjitha ministritë, por mund tëketë një listë të aktiviteteve në lidhje me rolin e Ministrit të Drejtësisë, në lidhje me vendimmarrjet kushtetuese, në lidhje me ndikimin e Ministrit të Drejtësisë në aspektin administrativ. Vetting si një instrument i ri, është miratuar që në fillim të herës nga Komisioni i Venecias.

 Ka pasur një sërë pyetjesh, edhe nga BE-ja, sepse me misionet e tyre monitoruese edhe ata përfshihen aty. Komisioni Europian në Bruksel e ka kqyrur këtë gjë. Ata e kanë diskutuar dhe po përgatisin atë çka do të vijë më vonë për financat, që mund të fillojë menjëherë sapo të miratohen financat për projektin. Kjo gjë është e nevojshme, sepse Komisioni Monitorues Ndërkombëtar mund të ketë një rol në ndërtimin e komisioneve për të monitoruar se cili është përzgjedhur për të qenë pjesë e komisioneve dhe e niveleve të tyre. Komisioni i Monitorimit Ndërkombëtar nuk është i pranishëm vetëm në procesin e Vetting-ut, por edhe në ngritjen e komisioneve, duke përfshirë elemente ndërkombëtare në të gjithë këtë sistem zinxhir. Kjo është e mundshme. KE-ja është e gatshme ta bëjë këtë gjë dhe do të mobilizohet për ta realizuar atë. Në procesin e përzgjedhjes ishte një pyetje në lidhje me Avokatin e Popullit. U diskutua nëse ky është i duhuri dhe nëse monitorimi ndërkombëtar do të ishte i domosdoshëm, por gjithsesi edhe kjo është një vendimmarrje politike. Faza e aplikimit duhet udhëhequr nga një organ neutral, përtej BE-së, i cili ka një ndikim administrativ që ndikon në ndërtimin e të gjithë sistemit. Mund të jetë dikush tjetër në vend të Avokatit të Popullit. Mund të jetë presidenti i shtetit, gjithkush, por pjesa e Avokatit të Popullit gjithsesi është miratuar si opsion. Mund të realizoni shumë gjëra në 5 vjet, për shembull? Gjithashtu, pjesa e mandateve për 9 vjet, apo më gjatë, duke përfshirë në këtë moment edhe garantimet kushtetuese që të gjithë kanë të drejta kushtetuese, kërkon një krijim të ri. Si do t’i lidhim të gjitha këto elemente së bashku dhe t’i realizojmë në 5 vjet?

Më pas, si do ta vazhdojmë më tej të gjithë procesin? Sigurisht, ka një sërë mundësish, që gjithsesi mbeten për t’u diskutuar dhe për t’u vendosur. Për shembull, Gjykata Kushtetuese mund të përfshijë procesin e shpejtë dhe kontrollin kushtetues, siç është propozuar. Gjithashtu, a mund të bëhet procesi i vlerësimit pak më shpejt? Kjo është një sfidë, sepse gjithçka duhet filluar dhe ndoshta nuk është një pyetje e amendamenteve kushtetuese, por ka të bëjë edhe me implementimin se si realizohet procesi, si mund ta përgatisim atë e kështu me radhë. Pra, i gjithë procesi i vlerësimit ose i gjithë aspekti kushtetues kërkon një draft të ri, ku mund të shikojmë si reflektohen këto gjëra për të dhënë një imazh të ri, si mund të shfaqen ndryshimet, sepse patjetër që do të ndodhin një sërë ndryshimesh thelbësore, është e pashmangshme.

Pandeli Majko – Unë kam një shqetësim. Po ndaj një opinion që ka të bëjë me diskutimin e fundit, së bashku me kolegët e opozitës, për mënyrën si do të trajtohet Inspektori i Lartë i Drejtësisë në marrëdhënie me parlamentin. Ju keni vënë si mundësi që ideja e një komisioni hetimor mund të jetë e vlefshme për të trajtuar problemet që mund të ketë Inspektori i Lartë i Drejtësisë me gjyqtarë të ndryshëm. Po flas në vija të trasha, nuk po futem në specifika juridike dhe po e bëj këtë për një arsye shumë të thjeshtë. Së pari, më mirëkuptoni! Specialistët besoj më mirëkuptojnë, sepse do t’u drejtohesha përfaqësuesve të opozitës, por nuk janë këtu. Ne ndodhemi përballë një situate të tillë në Kuvend, ku koncepti i komisioneve hetimore ka qenë absolutisht jo produktiv.

Sot në parlament ne kemi më shumë komisione hetimore të propozuara, sesa interpelanca, që do të thotë se komisioni hetimor në Shqipëri nuk ka një eksperiencë, apo një background, apo nuk ka krijuar një precedent të hetimit të vërtetë parlamentar, pra, mund të konsiderohet si një mekanizëm tejet i keqpërdorur deri më sot. Prandaj, unë do të isha shumë kundër, e theksoj fjalën “shumë kundër”, futjes së një marrëdhënieje të tillë, ku një grup gjyqtarësh, për problemet që do të kenë me inspektorin e drejtësisë, t’i drejtohen parlamentit për ankesa, sepse vërtet parlamenti mund të mos ketë të drejtë ta heqë inspektorin, por mund ta diskreditojë atë në një mënyrë të tillë që të fusë në kauzë marrëdhëniet e sistemit të drejtësisë dhe kjo mund të jetë një krizë edhe më e rëndë sesa vetë largimi ose jo i inspektorit të lartë të drejtësisë, sepse goditja e tij nëpërmjet një komisioni hetimor në thelb do të jetë edhe një hetim për tribunalin disiplinor. Prandaj do të thosha se ne duhet ta shmangim absolutisht. Ju kërkoj ndjesë për përdorimin e fjalës “absolute”, sepse nuk përdoret një term i tillë në diskutimin e kësaj natyre, por mendoj se, bazuar mbi eksperiencat që ne kemi në Shqipëri, komisionet hetimore janë mekanizmi më i keqpërdorur politikisht, që do të na krijojë shumë probleme. Prandaj jam kundër përdorimit të këtij mekanizmi si mekanizëm i kontrollit, apo i krijimit të një balance midis pushtetit legjislativ dhe pushtetit të sistemit të drejtësisë.

Rainer Deville – Sigurisht, e kuptoj shqetësimin tuaj për të pasur një organ legjislativ, i cili do të kontrollohet nga dikush tjetër. Ne në fakt kemi pasur komisione hetimore legjislative dhe shpeshherë ato mund të mos japin ndonjë vendim, mund të shpenzojnë shumë kohë, të dëgjojnë dëshmi për orë të tëra dhe përsëri nuk janë frytdhënëse. Në fakt, ky është një shqetësim i vërtetë, të cilin ne e kemi diskutuar. Gjithashtu dhe çështja që ne kishim me çdonjërën prej këtyre nuk ka një vend aq të madh më institucionet e kufizuara. Nëse ju e shihni se cilat institucione të tjera mund ta thyejnë dhe ta prishin këtë rreth vicioz, nëse ofroni Avokatin e Popullit si një vvatchdog potencial të sistemit, që të kryejë hetimet dhe të ketë një inspektor dytësor të gjyqësorit, atëherë ju filloni në këtë mënyrë të keni gjithnjë më shumë kontrollues që kontrollojnë kontrolluesit.

Pra, i bie që pastaj do të kemi se kush kontrollon kë dhe kush e kontrollon kontrolluesin. Ky është një shqetësim që qëndron dhe unë e kuptoj atë se çfarë ti do të thuash me këtë. Kjo është historia e parlamentit këtu, që komisionet hetimore kanë qenë gjithmonë një përvojë e vështirë dhe sigurisht që është diçka, të cilën ne e marrim parasysh në përgjigjet tona.

Jon Smibert OPDAT– Siç duket në Shqipëri tani është nevoja për të rregulluar disa gjëra. Nëse i lëmë gjërat kështu siç janë, do të ishte e vështirë ta quanin këtë një reformë. Megjithatë në varësi sesa e madhe, se çfarë përmasash doni t’i jepni ju fjalës reformë, nuk do të thotë se nëse bëni diçka të vogël nuk është e mirë, atëherë na duhet një sistem i plotë.

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Barcelona pëson humbjen e parë sezonale, Osasuna e turpëron 4-2 në 'Pamplona'

Barcelona pëson humbjen e parë sezonale, Osasuna e turpëron 4-2 në 'Pamplona'