FBI modeli për shqiptarët, po
në SHBA a u përfshi në politikë?

Prej muajsh, ne shqiptarët ëndërrojmë një Drejtësi të drejtë, që të jetë larg korrupsionit dhe politikës.
 
Për të realizuar këtë ëndërr, kemi vendosur të zgjedhim modelin që konsiderohet si më i miri nga të gjithë (tipike kjo, për çdo ëndërrimtar shqiptar: the best or nothing!), pra modelin amerikan.
 
Krahas një Drejtësie të drejtë, ëndërrojmë edhe hetime të drejta, me hetues dhe prokurorë që të qendrojnë larg korrupsionit dhe politikës.
 
Edhe këtë herë, kemi zgjedhur modelin e konsideruar si më të mirë nga të gjithë, FBI-në amerikane, nga e cila frymëzohemi për të krijuar Byronë tonë të Hetimit për të luftuar të këqijtë dhe të korruptuarit pa ndërhyrje të politikës.
 
Por në kohët moderne nuk ka vend për ëndrrat; edhe heronjtë e mëdhenj e kanë jetën të shkurtër.
 
Kështu, ditët e fundit, në fushatën elektorale në Shtetet e Bashkuara doli në pah një ndërhyrje, për të cilën nuk dyshonte njeri: drejtori i FBI-së vendos të njoftojë Kongresin amerikan (pra, të gjithë zgjedhësit) se ka hapur përsëri hetimet e vjetra mbi Hillary Clintonin për një skandal të supozuar e-mail-esh sekrete dhe të paruajtura mirë, të cilin vetë FBI-ja pak muaj më parë e kishte arkivuar.
 
Njoftimi i FBI-së bëri që Hillary Clinton të rrëzohet në sondazhe dhe, ndërkohë që pak ditë më parë parashikohej si fituese e garës presidenciale në SHBA, tani, pikërisht për faj të këtij njoftimi kurioz të FBI-së, rrezikon ta humbasë në favor të të paimagjinueshmit Donald Trump.
 
Partia Demokrate e presidentit Obama dhe e kandidates Hillary Clinton akuzojnë hapur drejtorin e FBI-së për një qendrim të papërgjegjshëm, edhe për faktin se nuk është e qartë nëse hetimi i ri bazohet apo jo në të vërtetë mbi prova të padiskutueshme, apo përsëri vetëm mbi thashetheme.
 
Por tashmë dëmi është bërë, fushata elektorale e Clintonit është komprometuar, po ashtu si dhe imazhi i pavarësisë së FBI-së, të paraqitur si një instrument politik, i përdorur nga e djathta amerikane për t’i hapur rrugën zgjedhjes së Donald Trumpit në postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara.
 
Mësimi për ne shqiptarët duhet të jetë i qartë. Është pa vlerë të ndiqen siglat dhe modelet, sepse askush (as në Amerikë) nuk është i përsosur dhe në fund drejtësia mbetet në duart e njerëzve. Dhe janë vetëm njerëzit, ne njerëzit, që bëjmë diferencën.     

d.b/shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Efektivi bie nga lartësia e pallatit në Tiranë, dërgohet te Trauma! Nuk dihen shkaqet

Efektivi bie nga lartësia e pallatit në Tiranë, dërgohet te Trauma! Nuk dihen shkaqet