Rreziku online për fëmijët ishte në fokus të një trajnimi ndërkombëtar të FBI-së, ku morën pjesë gjyqtarë, prokurorë dhe hetues nga Shqipëria.
Lajmi u bë i ditur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë e cila ka mbështetur pjesëmarrjen e përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë shqiptare në trajnimin e specializuar mbi krimin kibernetik dhe shfrytëzimin e fëmijëve në internet në Akademinë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit të Shteteve të Bashkuara në Budapest.
Sipas njoftimit, zyrtarët shqiptarë iu bashkuan ekspertëve nga vende të ndryshme të Europës për të diskutuar përhapjen e materialeve të shfrytëzimit të fëmijëve online, mënyrat e shpërndarjes së përmbajtjes së dëmshme dhe teknikat për identifikimin e zhvillimeve të reja në ndjekjen kibernetike.
Trajnimi u fokusua edhe në identifikimin e viktimave, hetimin e rasteve të shfrytëzimit kibernetik dhe ndjekjen penale të autorëve që përdorin internetin për të dëmtuar fëmijët.
Në reagimin e saj, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë thekson se mbrojtja e fëmijëve nga kërcënimet online është një nga përgjegjësitë më të mëdha, në një kohë kur rreziqet në internet janë në rritje.
Sipas ambasadës, aftësitë e fituara në këtë trajnim do të ndihmojnë autoritetet shqiptare të identifikojnë, hetojnë dhe ndjekin penalisht rastet e shfrytëzimit të fëmijëve në hapësirën digjitale.
Njoftimi i plotë i Ambasadës Amerikane
"Nuk ka përgjegjësi më të madhe sesa t’i mbajmë fëmijët tanë të sigurt. Megjithatë, sot më shumë se kurrë fëmijët janë të ekspozuar ndaj shfrytëzimit dhe kërcënimeve kibernetike në internet. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë është krenare që mbështeti pjesëmarrjen e gjyqtarëve, prokurorëve, hetuesve dhe policisë gjyqësore të Shqipërisë në një trajnim të udhëhequr nga FBI-ja mbi Krimin Kibernetik dhe Hetimet e Shfrytëzimit të Fëmijëve në Akademinë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit të Shteteve të Bashkuara në Budapest. Këta zyrtarë iu bashkuan ekspertëve të tjerë nga e gjithë Europa për të diskutuar përhapjen e materialeve të shfrytëzimit të fëmijëve në internet, për të mësuar se si shpërndahet materiali i dëmshëm dhe si të identifikohen zhvillimet në internet në ndjekjen kibernetike, identifikimin e viktimave, shfrytëzimin kibernetik dhe shkelje të tjera. Këto aftësi do të ndihmojnë në përgatitjen e ekspertëve të zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit në Shqipëri për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht ata që do të përdorin internetin për të dëmtuar fëmijët tanë"
Komente







