Feja në shkolla, VU: Iniciativa është
e duhura, por ja çfarë ne sygjerojmë

Feja në shkolla, VU: Iniciativa është<br />e duhura, por ja çfarë ne sygjerojmë
Vëllazëria Ungjillore ka përkrahur iniciativën e qeverisë shqiptare për përfshirjen e edukimit fetar në shkolla, por ka thënë se ajo ka disa sugjerime të cilat mund t’ia bëjë qeverisë për një implementim sa më efektiv.
 
Sipas Vëllazërisë Ungjillore, nxënësit duhet të mesojnë që të analizojnë tiparet e besimeve, duke e parë në kontekstin e jetës së praktikantëve të tyre, përgjithësimeve universale për fenë dhe diskutimeve me botëkuptimet e tjera jofetare.
 
Vëllazëria Ungjillore në një deklaratë të shpërndarë për mediat, thekson se, mendimet më specifike do t’i bëjë të ditura më vonë, por parimi i tyre për mbarëvajtjen e kësaj punë mbetet ai i Jezus Krishtit “bëj për tjetrin atë që do të doje të bëhej për ty”.

 
Deklaratë për Shtyp nga Kryetari i VUSH
Të shtunën e kaluar, (tri ditë më parë) Kryeministri i Shqipërisë bëri publike iniciativën për mësimin e fesë në sistemin arsimor shqiptar. 
Dukshëm nga diskutimet që kam vënë re në mediat e ndryshme, kjo ka hapur debate të shumta, por unë mendoj se kjo iniciativë për të diskutuar fenë në shkollë është në drejtimin e duhur.
Kryeministri ka qenë transparent me ne,  5 komunitetet e zyrtarizuara fetare, (Ungjillorët, Ortodoksët, Katolikët, Muslimanët dhe Bektashinjtë), duke na njoftuar më herët për këtë iniciativë dhe duke na ftuar në procesin e përgatitjes së zbatimit të kësaj iniciative.  Në takimin e parë të gjithë jemi shprehur pozitivë për këtë iniciativë.
Ne si ungjillore, mendojmë se ky hap i rëndësishëm duhet të jetë i mirëpritur nga gjithë shoqëria shqiptare, sepse bën transparent një diskutim të feve që deri tani është bërë kryesisht nëpër “shtëpitë” e feve të ndryshme dhe jo në “sheshin” e gjithë shqiptarëve si një bashkëbisedim.
Informacioni i gjithanshëm në një shoqëri pluraliste e bën të pashmangshëm përballjen me ide të ndryshme, prandaj nuk ka vlerë përpjekja e shmangies nga përballja me idetë e ndryshme, por duhet të përgatitemi si të diskutojmë në mënyrë të informuar për to.       
Shkolla është vendi më i mirë për të filluar diskutimin e feve të ndryshme, duke organizuar një informim të mirë e të ekuilibruar me argumente të përgatitura nga palë të ndryshme, dhe për të ditur ku mund të drejtohemi  për më shumë informacion më vonë sipas preferencave dhe bindjeve të secilit.
Arsyet tona si ungjillorë për të qenë pozitivë ndaj kësaj iniciative përfshijnë:
1)   Ne si të krishterë ungjillorë kemi qenë në krye të iniciativës për alfabetin e sotëm të shqipes, dhe për të hapur shkolla shqipe qysh në fillimet e Rilindjes kombëtare me familjen Qiriazi dhe shohim një lidhje të ngushtë të shkollës me fenë sepse shkolla është një instrument i dijes për të vërtetën.
2)    “E vërteta i bën njerëzit të lirë.” E vërteta nuk është monopoli i askujt dhe i asnjë feje ,shkolla është institucioni i përkushtuar për të aftësuar nxënësit të kuptojnë dijen e të vërtetës së realitetit.
3)   Kjo iniciativë e qeverisë bën dallimin e dimensionit fetar të shoqërisë, si nje dimension  i rëndësishëm i jetës për t’u studjuar nga një institucion i dijes së përgjithshme.
4)   Kjo iniciativë gjithashtu tregon besim tek shqiptarët që nuk duhet të kenë frikë nga feja, por janë gati t’a diskutojnë hapur në “sofrën” e tyre që i ka të gjithë të barabartë.
5)   Një garanci e kësaj iniciative për sukses është përfshirja e gjithë komuniteteve fetare. Asnjë nga pëfaqësuesit e feve shqiptare nuk ka mundësinë që t’a bëjë shkollën vend indoktrinimi, sepse ne jemi ftuar të gjithë në këtë tryezë dhe media ka një rol të rëndësishëm për të ruajtur në prezantimet e veta këtë pluralitet të ideve në “tryezën”  shqiptare të feve.
6)   Fatmirësisht ekzistojnë përvoja të shumta nga vende të ndryshme në këtë drejtim dhe nuk do kemi nevojë të krijojmë çudira, por sigurisht do kërkohej një diskutim i përshtatur ndaj situatës shqiptare ku asnjë nga fetë nuk ka monopolin e Shqiptarisë që konsiston në bazën e bashkëjetesës sonë vëllazërore.
 Sugjerimi ynë si ungjillorë është:
Mësimi për fenë duhet të synojë (1) që nxënësit të mësojnë të analizojnë tiparet e besimeve specifike, parë në kontekstin e (2) jetës së praktikantëve të tyre, (3) përgjithësimeve universale për fenë, dhe (4) në diskutim me botëkuptimet e tjera jofetare.
Mendimet tona më specifike do të kemi rast t’i bëjmë të ditura më vonë, por parimi ynë për mbarëvajtjen e kësaj punë mbetet ai i Jezus Krishtit “bëj për tjetrin atë që do të doje të bëhej për ty”. Kështu që, kam besim se bashkë me komunitetet e tjera do të farkëtojmë një strukturë tolerante për të dëgjuar qartë të gjithë zërat fetarë dhe jofetarë të shqiptarëve për realitetin përfundimtar të supozuar nga feja.
Edhe një herë, ne jemi optimistë për iniciativën e Kryeministrit dhe qeverisë së tij, për t’a bërë objekt studimi serioz besimin fetar duke vlerësuar kështu një fakt të rëndësishëm të jetës, “faktin fetar.”
Tani, mbetet vetëm të punojmë që të kemi diskutime serioze për të kuptuar sa më mirë mendimet e njeri- tjetrit me synim aftësimin e nxënësve dhe studentëve të dallojnë dhe vlerësojnë format e ndryshme të kuptimeve fetare për jetën dhe botën ku jetojmë.
 
Ylli Doçi
Kryetar
Vëllazëria Ungjillore e Shipërisë

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

'Prokurori', sjell aktorin hollivudian në Tiranë, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, më 10 tetor premiera e madhe në kinema

'Prokurori', sjell aktorin hollivudian në Tiranë, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, më 10 tetor premiera e madhe në kinema