Dy të parët i kapa duke ikur mbi biçikleta drejt Divjakës.
-A jeni në Fejsbuk ?
-Po.
-Nga sa miq keni ?
-Unë kam pak, nja 400. Ky ka më tepër, mbi 700.
-A ka të tjerë që janë në Fejsbuk ?
-Të gjithë janë në Fejsbuk.
Në Dushk shitësi i sharqinjve, një karrocier, një djalosh me BMV, një tjetër që po ikën me vrap, mburren që janë në Fejsbuk ku kanë me qindra mikesha njëra më e bukur se tjetra.
Në një restorant në të dalë të Lushnjes shtatë a tetë myzeqarë hanë e pinë duke treguar hollësira nga fejsbuqet e tyre. Në një tavoline po shajnë qeverinë. Pranë pjatave male me 10 mijë lekësha lidhur me llastik.
-Hani e pini si derrat, keni pare, toka, prona, makina, udhëtoni, të gjithë në Fejsbuk, dhe shani qeverinë ?!
-Qeverinë e shajmë se ka filluar të mos na ngrihet, thotë me gojën plot me mish një barkderr, dhe qesh me të madhe duke përhapur gjithandej cikra mishi dhe pëahtyme.
Krutje, Zhym, Mërtish, Ngurrëz, Bubullimë, Goriçaj, Këmishtaj, të gjithë fshatrat kanë Internet Kafera me nga 6 deri në dhjetë kompjutera.
Ndanë një are një bujk me të birin nja 20 vjeç.
-A je në Fejsbuk ? i them të birit.
-Po, jam. Kam 594 miq, 375 të dashura, mbi 800 fotografi, 440 selfie, marr pjesë në 23 forume, 54 interesime, 37 aktivitete...
-Hë mo, i drejtohem të jatit, ç'ke që rri turivarur ? Shtëpi të re po, arë për të punuar po, djali në Fejsbuk po, ç'kërkon më nga jeta ti ?
-Halli im është që s'kam asnjë hall.
Diku afër Kolonjës, në një kioskë pranë një restoranti, një mesoburrë me kafe dhe raki përpara.
-Ç'më rri ashtu sikur të janë mbytur vaporrët o Lal Myzeqeje që s'kishe bukë të haje ?!
-Më ka zënë një taksirat. Nuk mund të fle më tepër se 3 orë në 24 orë. Dhe nuk do fle më tepër se aq deri sa të bëj milionin e parë të Euros.
Në një tjetër lokal një tip rreth të tridhjetave që s'duket si myzeqar, as si shqiptar, por si parizien, londinez, milanez, me kafe ujë përpara, thotë se ka mbaruar dy fakultete, bujqësor dhe juridik, dhe natyrisht është në Fejsbuk. Llafoset shtruar për Tiranën, Lushnjen, ekonominë, politikën, Fejsbukun, etj. I them milanezit myzeqar se mund ta kuptoj prezencën në Fejsbuk të ndonjë hallexhiu të ngeshëm në emigracion apo të një studenteje të vetmuar shqiptare në një vend skandinav. Mirkuptoj dhe mëshiroj edhe një emigrant që i shtyn ditët e netët në ndonjë bodrum, por s'mund ta kuptoj kurrsesi Fejsbukun e kaq shumë myzeqarëve.
Pak më tutje më ndal pronari i një restoranti ku veç mishit të derrit aq i preferuar në këto anë, ka dhe mish pate, rose, bibe, dhe mish zhabe. Ky, që me sa duket më pat' parë në distancë tek bëja muhabet me parizienin myzeqar, më thotë;
Ai me të cilin sapo u ndave ra në dashuri në Fejsbuk me një Fierake. Familja e saj nuk deshi. Ai lojti. Tani pi kafe dhe bën muhabet. I kanë ngritur këngë;
Ç'ësht ajo që rri te porta
E vështron e tërë bota
Po vajton të vetmin djalë
Që Fejsbuku ja ka marrë
Me rradhë disa zhabaxhinj anës kanaleve. Zhabat ua shesin restoranteve. Zhabaxhinjtë Ndoni, Mondi, Sergei, Sokoli, Fatmiri, Loni, Kristi, edhe ata janë në Fejsbuk. Më tregojnë me rradhë numurin e miqve, fotografive, dashnoreve.
Ku ta gjej një myzeqar pa Fejsbuk ?
Nisem drejt Divjakës.
Nja dhjetë a pesëmbëdhjetë që takova deri prapa kodrave ku nis e duket Karavastaja, të gjithë janë në Fejsbuk.
Një prift që e takova anës udhës kishte qënë 17 vite kuzhinier në diktaturë. Me urdhër të Perëndisë u dhashë për të ngrënë të internuarve dhe të uriturve, tha prifti.
Pak përtej kodrave rruga kalon përmes një fshati.
Si quhet ky fshat?
-Guri i Gomares.
-A ka te Guri i Gomares që janë në Fejsbuk ?
-Te Guri i Gomares të gjithë janë në Fejsbuk.
Në kafenenë e fshatit dy polica në një qoshe dhe ca djem pranë banakut me birra dhe kafe përpara. Vetëm unë dhe një i moshuar me qylaf, më këmbë. Djemtë, pasi rradhitën numrin e miqve, të dashnoreve, të fotografive, thanë edhe me se merren. Njëri tha se merrej me drogë, tjetri me trafik, tjetri me kurva, me hashash, me kanabis. Dy prej tyre treguan gjith qef raste kur djemtë venë foto vajzash në Fejsbuk dhe e kundërta, kur vajzat venë foto djemsh, si dhe ndërlikime të tjera me sfond seksual.
Një çapkën që sapo hyri dhe dëgjoi për çfarë po flitej, tha; Unë nuk e di se ku jam tjetër veçse në Fejsbuk.
Fejsbuku e kishte përdhunuar keqas Gurin e Gomares. U mbajta gurgomarasve një fjalim moralistik;
-Fshati juaj është i madh. Mos e bëni sa Fejsbuku. Ju jeni të shëndetshëm, mos u sëmurni. Ju jeni të pasur, mos u varfëroni. Duke shtuar numurin e miqve dhe mikeshave virtuale humbni miqtë dhe mikeshat reale. Shiheni fjalën Mik në fjalorin e Gjuhës së bukur Shqipe, dhe përmbajuni. Kalifornia nuk është më e bukur se Myzeqeja, Shqipëria aspak më e varfër se Amerika. Ju jeni shkaba që nuk duhet të lejoni të ktheheni në milingona. Dilni nga internet kafenetë. Mos e zëvendësoni perëndimin e magjishëm të diellit të Karavastasë me ngjyrat e rrejshme të kompjuterave.
Përtej Gurit të Gomares, tek Rrasa e Derrit, Plasa e Ariut, Kodra i Dhelprës, Çuka e Maçokut, nuk vajta të shoh ç'bëhet me Fejsbukun. Sa duket më zuri haku i tyre kur, duke u kthyer, në Maminas u përmbysa me gjithë makinë në një kanal
Komento