Fëmija shqiptar që lindi në det, ja kush është! Esencë-Report Tv

7 shkurt 1983 – Lind një foshnje në bordin e Katrit Silurues KS-512, sipas ditarit të Artur Meçollarit, Ish Zëvendës Komandant i Flotës Detare Shqiptare, i ftuar në Esencë-Report Tv.

Datë në historinë e Forcës Detare:

Në historinë e Flotës Luftarake Detare, një histori mbi 96-vjeçare, ka shumë ngjarje, aktivitete, akte heroike, veprimtari opereacionale, personazhe, etj. që kanë lënë gjurmën e tyre. Por, lindja e një foshnje mesnatën midis datave 6 dhe 7 shkurt 1983 në bordin e një katri silurues në lundrim është një nga historitë më të veçanta.

Mesnatën e datës 6 dhe 7 shkurtit 1983 zonja Suzana Peshtanaku (Halilaj), bashkëshortja e oficerit Agron Peshtanaku, me banim në Sazan, duhet të nisej urgjent për në Vlorë. Suzana ishte shtatzënë dhe priste një foshnje. Sazani kishte një spital, por jo me kapacitete si maternitet. Në këtë spital shërbente edhe një mami, zonja Tefta Ago. Por, Suzana kishte nevoj për asistencë të specializuar mjeksore. Komanda e Ishullit caktoi Katër Silurues, KS-512, për të transportuar Suzanën drejt maternitetit të Vlorës.

Ishte nje mbrëmje me det dhe stuhi. Komandant i Katrit Silurues KS-512 Anastas Goga u nis në drejtim të Portit të Vlorës. Në port e priste një ambulancë e spitalit. Në bord ishte e imbarkuar, si gjithmonë, edhe mamia Tefta Ago, punonjëse e spitalit të Sazanit.

Për shkak të kohës së keqe, mbas disa tentativave, KS-512 nuk mundi të bregëzohet në Portin e Vlorës. Komandant Anastas Goga u urdherua të lundronte drejt Bazës Detare të Pashalimanit. Gjatë lundrimit për në Pashaliman, zonja Suzana Peshtanaku, nën kujdesin e mamisë Tefta, lindi në bordin e KS-512 foshnjen. Foshnja lindi rreth ores 01:00 të dates 7 shkurt 1983 dhe KS-512 gjendej duke lundruar në afërsi të Zhironit, rreth 3 milje në jug të Portit të Vlorës. Kërthizën foshnjes ia preu mami Tefta me një pale gërshërë mekaniku, të siguruara nga kryemekaniku I KS-512 nënoficer Rrapo Rrapaj.

Foshnja ishte djalë. Lindja u bë në kushte të jashtëzakonshme. Pavarësisht detit të keq, Komandant Anastas Goga uli shpejtësinë e Katrit Silurues. Siç është shprehur zonja Tefta Ago, në një intervistë të mëparshme “Ju kërkova marinarëve një mushama që të na mbulonin dhe vetë të qëndronin jashtë që të mos shikonin”. Lindja ishte e sukseshme dhe më pas me foshnjen në jetë KS-512 mbërriti në Bazën e Pashalimanit rreth ores 04:30 ku u prit nga oficeri mjek roje Kujtim Alimeri dhe Oficeri I Drejtimit Gëzim Dyrmish. KS-512 u bregëzua tek bankina e KRAFD në Pashaliman. Suzana dhe foshnja u vendosën nën kujdesin e mjekëve dhe u transportuan për në maternitetin e Vlorës. Nënë e birë do të gëzonin mbas kësaj shëndet të mire. Djalit me pas do t’ia vinin emrin Mariglen.

Zonja Suzana Peshtanaku (Halilaj), vajza e një ish-ushtaraku, Halil Hallaj dhe Mahmude Halilaj, kishte vite që jetonte në Sazan me familjen e saj. Në 15 prill 1982 ajo u martua me oficerin Agron Peshtanaku. Çifti Peshtanaku dasmën e bëri në Sazan, dasma e parë në ishull, ku të ftuar ishin kolegët. Më pas, në vitin 1986 çifti Peshtanaku patën edhe një vajzë, Glerona.

Familja Peshtanaku në vitin 1996 do të pësonte një tragjedi të rëndë. Suzana dhe Agroni u përfshinë në një aksident automobilistik në Turqi ku humbën jetën duke lënë jetim Maringlenin 13 vjeç dhe Gleronën 10 vjeç.

Në vitin 1983 ishulli i Sazanit ishte një strukturë ushtarake e rëndësisë së veçantë, ku shërbenin mbi 5000 ushtarakë, por edhe civilë. Në Sazan shërbenin reparte të këmbësorisë, të flotës, artilerisë bregdetare, artilerisë kundërajrore, si dhe funksiononin ekonomi ndihmuese, spital, shkollë 8-vjeçare, kinema, klub oficerësh, punëtori ushtarake, etj. Si një mjedis gjeografikisht i izoluar nga toka kontinentale ai kishte një organizim me një pavarësi logjistike të kufizuar. Në ishull gjendej një komunitet me rreth 200 familje ushtarakësh. Në atë periudhë nuk lejoheshin të afërmit e familjarëve të shkonin në Sazan.

Zonja Tefta Ago, shërbeu si mami në ishullin e Sazanit për 14 vjet, pasi ishte vendosur aty së bashku me familjen, si bashkëshorte e një ish-ushtaraku. Tefta, ishte e vetmja mami që asistonte çdo lindje në ishull dhe shërbimi kryhej në shtëpi. Në shumë raste, sipas situatës, ajo i shoqëronte edhe për në maternitetin e Vlorës. Në këto raste, Komanda e Ishullit vendoste në dispozicion një Katër Silurues, i cili e përshkruante distancën nga Sazani për në Vlole për 10-15 milnuta. Por, lindja e Mariglen Peshtanakut në mesnatën e dates 6 dhe 7 shkuar 1983 është një rast i veçantë në kujtesën e zonjës Tefta Ago.

Kapiten i rangut të dytë (R) Anastas Gogo është diplomuar nga Akademia e Detarisë në vitin 1980. Ai shërbeu fillimisht si komandant i Katrit Silurues KS-512 në ishullin e Sazanit. Më pas shërbeu si komandant i anijes “Patosi”, në detyra të ndryshme në Grupin e Anijeve Mbiujse në Pashaliman dhe më pas në Kapitenerinë e Portit, Vlorë. Në vitin 1998, me rigorganizimin e Kapitenerive të Porteve, vijoi në këtë strukturë si Kapiten i Portit të Vlorës, në vartësi të Ministrisë së Transporteve, deri në vitin 2014.

B.K/E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sati: 30/03/2024 09:25

    Jeni shumë i sakt. Ajo ka qéné vërtet ngjarie e rrallè. Ne e njifnim mirë njëri tietrin , dhe e pêrjetuam atë natë të gjithë me shqetësim , sepse edhe informacioni ishte zero. Në méngjes u muar vesh gjithçka.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit