Gati gjysma e vajzave adoleshente dhe një e treta e djemve në Shqipëri përballen me problematika të shumta të shëndetit mendor, duke e kthyer një nga sfidat më të ndjeshme tek të rinjtë.
Të dhënat e fundit të publikuar në Raportin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tregojnë një realitet shqetësues: 47% e vajzave dhe 31% e djemve të moshës 11-15 vjeç raportojnë të paktën një herë në javë shqetësime si dhimbje koke, nervozizëm apo ndjesi mërzitjeje. Këto shifra janë tregues për nivelin e stresit, presionin social dhe mungesën e mbështetjes psikologjike te të rinjtë sot.
Raporti për Shqipërinë i përgatitur në kuadër të Strategjisë së OBSH-së për Shëndetin dhe Mirëqenien e Fëmijëve dhe Adoleshentëve 2026-2030, evidenton se vdekshmëria foshnjore mbetet shqetësuese: 9.4 për 1,000 lindje të gjalla për grupmoshën 0-4 vjeç, por edhe ajo te adoleshtentët, 2.4 për 1,000 banorë për adoleshentët 10-19 vjeç. Në Shqipëri thotë OBSH jetojnë 542 mijë e 174 fëmijë nën moshën 18 vjeç.
92% e fëmijëve në vend kanë marrë dozën e dytë të vaksinës kundër fruthit, një injeksion që shpesh ka ngjallur debate mes prindërve për shkak të teorive rreth lidhjes së saj me autizmin. Përqindja vijon tendin e lehtë rënës të viteve të fundit.
Raporti thekson mungesën e të dhënave mbi zhvillimin e fëmijëve të moshës 24-59 muaj, çka pengon një vlerësim të plotë të zhvillimit të hershëm.
Ajo që mbetet shqetësuese është konsumimi i duhanit, VAPE-ve dhe alkoolit që në moshë të vogël, përkatësisht grupmoshës nga 13-15 vjeç. Sipas të dhënave të OBSH-së, rreth 18% e adoleshentëve në këtë moshë përdorin e-cigarete, 15% pinë duhan, ndërsa 19% konsumojnë alkool.
Një tjetër sfidë mbetet financimi. Raporti tregon se 51.3% e shpenzimeve shëndetësore në Shqipëri përballohen nga “xhepi” i familjeve, duke e bërë sistemin më pak të përballueshëm për shtresat me të ardhura të ulta. Në Shqipëri, adoleshentët 16-vjeçarë kanë të drejtën të kërkojnë kujdes shëndetësor pa lejen e prindërve.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente











