Këtë javë nisën ndeshjet kualifikuese për Europianin 2024 i cili do zhvillohet në Gjermani. Një nga ekipet kombëtare që kërkon pjesëmarrjen në fazën finale është edhe Rumania. Herën e fundit që ata kanë arritur të futen në fazën finale ishte në vitin 2016 (kur i mundi Shqipëria), ndërsa sa i përket Kupës së Botës nuk janë kualifikuar që nga viti 1998. Për shumë vite ekipi ndoqi një rrugë në zbritje, por një njeri që e drejtoi atë lart në të shkuarën duket se është në gjendje të krijojë një të ardhme premtuese.
Gheorghe Hagi (shqipëruar: Gjergji Haxhi) është lojtari më i madh që ka nxjerrë vendi. “Maradona e Karpateve”, siç e quajti shtypi dhe bota, mund të futet lehtësisht në listën e futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave. Momenti i tij më i madh me kombëtaren rumune ishte Botërori i vitit 1994, kur i çoi në çerekfinale, aty ku u eliminuan me penallti nga Suedia.
Pavarësisht hidhërimit, në vendlindje slogani "Haxhi për president" u shkrua në shumë mure dhe edhe pas dy vitesh në zgjedhjet e 1996, emri i tij u shfaq në shumë fletë votimi, duke marrë më shumë vota edhe se shumë kandidatë të tjerë zyrtarë.
Ai goditi topin për 29 vjet dhe kishte të gjitha ato karakteristika të dhjetës së vjetër. Delikat, golashënues, por edhe “i pistë” sa herë që duhej. Në fund të fundit, ai ishte ballkanas dhe nuk bënte shaka. Ndër të tjera ai arriti të luante si për Real Madridin ashtu edhe për Barcelonën, ndërsa gjithashtu udhëhoqi Galatasaray në Kupën UEFA dhe Superkupën e Evropës në vitin 2000. Ai përfundoi i katërti për Topin e Artë në 1994 dhe u përfshi nga Pele në një listë të 125 nga lojtarët më të mëdhenj të gjallë në botë në 2004.
Me përfundimin e karrierës së tij futbollistike, ai vendosi të bëhej trajner, ku kombëtarja rumune ishte puna e tij e parë, por fillimi nuk ishte ashtu siç pritej dhe karriera erdhi në ulje, duke bërë që të zhdukej një pjesë e madhe e shkëlqimit që kishte në fushë. Pas kombëtares, ai shkoi në Turqi (Galata dhe Bursaspor), ndërsa u ul edhe në stolin e Steaua-s, duke konfirmuar pjesërisht rregullin që lojtarët shumë të mëdhenj të mos bëhen trajnerë të përmasave të ngjashme.
Në vitin 2009 ai mori vendimin e madh për t'u kthyer në qytetin e tij të lindjes, Konstancë, në bregun e Detit të Zi, me një ambicie të guximshme që përfshinte një rrezik të madh. Ai vendosi të formojë vetë të ardhmen e futbollit të vendit të tij, duke filluar nga e para, teksa krijoi një akademi futbolli. Ai do t'i formësonte lojtarët e së nesërmes, do t'i vinte në logjikën dhe këpucët e tij dhe më pas ata do të krijonin themelet për Rumaninë e re. Ai investoi nga xhepi shumë nga milionat që kishte arritur të mblidhte si lojtar dhe trajner, ndërsa gjeti edhe “shokët e tjerë të skuadrës” që donin të mbështesnin punën e tij. Shuma totale e investuar ishte mbi 10 milionë euro.
Në vitin e parë, më shumë se 200 fëmijë nga e gjithë Rumania kaluan nëpër dyert e saj, ndërsa rreth 100 persona janë stafi i akademisë. Në të njëjtën kohë ai mori edhe Vitorul Constanta, ekip i cili atëherë garonte në divizionin e 3-të të Rumanisë, për të aktivizuar fëmijët e akademisë. Mrekullia e parë nuk vonoi të ndodhte. Skuadra u ngjit në kategori dhe në vitin 2017 arriti të fitojë kampionatin në Rumani, duke lënë pas të gjitha fuqitë tradicionalisht të mëdha, ndërsa në vitin 2019 fitoi edhe Kupën. Hapi tjetër ishte në vitin 2021, bashkimi me Farul Constanta, ku Haxhi kishte hedhur hapat e tij të parë në futboll në moshën 10-vjeçare.
Paratë që ai investoi janë kthyer pas disa fish, pasi shumë lojtarë janë transferuar në klube jashtë vendit, ndërkohë që Faroul, ndonëse një nga skuadrat me moshën mesatare më të ulët në Europë, aktualisht po kryeson garën në kampionat. Megjithatë, Haxhi nuk hezitoi t'i jepte mundësinë një lojtari që nuk i kishte mbushur as pesëmbëdhjetë vjeç të luante në ligën e madhe. Ky është Alexandru Stoian i cili ishte 14 vjeç e 10 muaj kur debutoi kundër Craiova.
Adoleshentët që formoi Haxhi u bënë burra dhe ndoqën rrugën e tyre drejt Ajax-it, Fiorentinës, Brighton dhe Rangers, ku luan edhe djali i tij Ianis, ndërsa pothuajse gjysma e skuadrës së Rumanisë ka ardhur nga skuadra e Haxhit. Përqindjet në kombëtaret e vogla janë edhe më mbresëlënëse.
Atë që ka arritur e ka shkruar edhe në një libër: “Në të kam vendosur gjithçka për taktikat, filozofinë time, se si e shoh futbollin. Ju duhet të filloni nga bazat, të bëni fillimisht gjërat e thjeshta dhe më pas të shkoni hap pas hapi tek ato më komplekset. Motoja ime është: Unë kam lindur për të fituar, jo vetëm për të ekzistuar. Kështu që unë përpiqem ta zbatoj këtë në çdo gjë që bëj dhe dua të frymëzoj ata me të cilët punoj të bëjnë të njëjtën gjë”, thotë Haxhi, duke shtuar: “Cruyff është frymëzimi im. Mënyra se si ai i bëri gjërat ishte thjesht e mahnitshme. Kam mësuar shumë prej tij, nga metodat dhe idetë e tij”. Akademia e Haxhit synon të promovojë të paktën dy lojtarë në ekipin e parë çdo sezon. “Kam pasur fatin që kam mësues të mirë që më kanë përshpejtuar ecjen përpara. Këtë dua të bëj vetë”, shton ai.
Akademia ndodhet pak jashtë Konstancës, një qytet me rreth 300,000 banorë që ndodhet në bregun e Detit të Zi. Siç thuhet në faqen e saj zyrtare: “Është një punë falënderimi nga Haxhi për të gjithë ata që i besuan dhe e mbështetën që nga hapat e tij të parë në futboll e deri në daljen në pension”. Ajo përfshin fusha loje dhe trajnimi (tetë në numër, me bar natyral dhe artificial), palestër, ndërsa siç theksohet qëllimi kryesor i Akademisë është inicimi, edukimi, zhvillimi dhe përgatitja e fëmijëve dhe të rinjve për performancë në nivelet e larta, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë, synime të tjera të Akademisë janë zbatimi i veprimeve që synojnë komunitetin, përmirësimin e jetës së fëmijëve përmes futbollit dhe promovimin e sportit si një mënyrë jetese të shëndetshme. Në Akademi marrin pjesë rreth 250 sportistë, të ndarë në 13 kategori moshash, nga 6 deri në 19 vjeç. Fëmijët e vegjël deri në moshën 12 vjeç vijnë nga provinca e Konstancës, ndërsa pas moshës 13 vjeçare ka edhe nga pjesë të tjera të Rumanisë ku jetojnë brenda ambienteve, ku përveç akomodimit dhe trajnimit ndjekin edhe mësimet në shkollë.
“U ktheva në Konstancë sepse aty kam lindur”, thotë Haxhi. “Ky është vendi im. Unë punoj për të krijuar kampionë. Unë dua të krijoj kampionë bote. Unë besoj në këtë. Unë besoj në punën që bëj dhe talentin e lojtarëve rumunë. Duhet të vendosni qëllimet më të mëdha dhe të besoni pa u lodhur. Përndryshe, nuk do të bëni shumë”.
Nëse fëmijët e “Drakulës” do ta arrijnë objektivin e kualifikimit në fazën finale të Euro 2024, do të shihet në fushë dhe sigurisht në duartrokitjet e tifozëve...