Policia rumune ka arrestuar Aurel Hoxhallarin, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e Devi Kasmit në janar 2018. Ai e organizoi vrasjen me grupin dhe vrasësin grek me pagesë Efthimios Efthimiu, ish-polic special në vendin fqinj. Kasmi u qëllua disa herë me pistoletë në kokë e trup.
Vrasja ndodhi për prishje të pazareve të kokainës në Francë dhe Spanjë. Edhe gjatë kontrollit të banesës së Kasmit u gjetën 3 kilogramë kokainë, 300 gramë drogë LSD, dhe një armë automatike. Për krimin u arrestuan Efthimios Efthimiu, tanimë i dënuar me burg përjetë, Elton Halipaj , Malvin Dinellari, Elton Hoxhallari dhe Mario Meshini, që më pas u la i lirë. Identifikimi i Efthimiut dhe pjesëtarëve të tjerë u bë nga kamerat e sigurisë dhe një furgon i bardhë me të cilin ata u afruan pak momente para se të vritej Kasmi e më pas u larguan me të njëjtin mjet.
GJKKO e dënoi Hoxhallarin me burg përjetë dhe i konfiskoi 4 pasuri. Besohet se Kasmi e mori porosinë nga Burgu i Koridhalosit, nga një prej shqiptarëve që drejton kartelin më të madh shqipfolës të drogës. Ndaj tij rëndojnë 5 akuza që nga vrasje me paramendim te trafiku i drogës.
Njoftimi i policisë:
Në Rumani, autoritetet rumune kanë bërë arrestimin, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar A. H., 49 vjeç, lindur në Tiranë.
Shtetasi A. H. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në prill të vitit 2018, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Vrasje me paramendim”, “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Më datë 29.01.2018, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, Tiranë, dyshohet se shtetasi A. H., në bashkëpunim me një shtetas grek dhe shtetas të tjerë, të organizuar në formën e një grupi të strukturuar kriminal, kanë vrarë me armë zjarri shtetasin shqiptar D. K.
Në banesat e tyre, Policia sekuestroi 9 armë zjarri, 130 kg lëndë narkotike (kanabis), si dhe një numër të madh bimësh kanabisi.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët spanjollë dhe rumunë, vijon veprimet për finalizimin e procedurave për ekstradimin e këtyre shtetasve.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.












Komente
Komento