Dhjetëra qytetarë u mblodhën këtë të enjte në Poliçan për të protestuar kundër planit për shkrirjen e bashkisë së tyre në kuadër të Reformës Territoriale 2.0.

“Fëmijët na i larguat, tani doni të na fshini nga harta”, shkruhej në një nga pankartat e mbajtura nga protestuesit, të cilët kërkojnë që Poliçani të mbetet bashki më vete.

Në shenjë proteste, kryetari i Partisë Socialiste në Poliçan, Erjon Zylyftari dha dorëheqjen dhe deklaroi se vendimi për prekjen e bashkisë përbën "një padrejtësi dhe një turp të madh".

Menjëherë pas kësaj disa qytetarë dogjën në shesh teserat e anëtarësisë së Partisë Socialiste.

Në përfundim të tubimit, banorët firmosën një peticion, përmes të cilit kërkojnë që Bashkia e Poliçanit të mos përfshihet në ndryshimet e propozuara nga Reforma Territoriale.

Sipas draftit për Reformën Territoriale 2.0, të dorëzuar në Kuvend nga Partia Socialiste, Bashkia e Poliçanit parashikohet të shkrihet dhe t’i bashkohet Bashkisë së Beratit.

Ky ndryshim është pjesë e planit për uljen e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46.

Kundër këtij propozimi ka shprehur rezerva më herët edhe kryebashkiaku i Poliçanit, i cili është shprehur se shkrirja e bashkive të vogla do të sjellë shpopullimin e qyteteve.

Banorët këmbëngulin se Poliçani duhet të vijojë të funksionojë si bashki më vete dhe kundërshtojnë përfshirjen e tij në Bashkinë e Beratit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:28
Protesta në Poliçan, banorët i vënë flakën teserave të PS-së dhe draftit socialist të Reformës Territoriale, kreu i PS-së së qytetit jep dorëheqjen(VIDEO)

Gjatë protestës në Poliçan kundër draftit të Reformës Territoriale, disa banorë të qytetit dogjën tesera të Partisë Socialiste, ndërsa kryetari i Partisë Socialiste në Poliçan, Erjon Zylyftari, dha dorëheqjen nga posti duke argumentuar se vendimi për prekjen e bashkisë  përbën "një padrejtësi dhe një turp të madh".

Në përfundim të tubimit, banorët firmosën edhe një peticion, përmes të cilit kërkojnë që Bashkia e Poliçanit të mos përfshihet në ndryshimet e propozuara nga Reforma Territoriale.