Për Gurban Gurbanovin (53 vjeç), stadiumi në kryqëzimin e rrugëve Tahir Baghirov dhe Jabir Aliyev nuk është thjesht një impiant sportiv. Për trajnerin 53-vjeçar, Qarabagu është shtëpi, një projekt jetësor i ndërtuar me durim, disiplinë dhe vizion të qartë.
Qarabagu nuk është vetëm klubi që ai drejton prej vitesh, por kuptimi i punës së tij dhe pasqyra më e pastër e filozofisë së tij në futboll. Sot, ajo që po bën ekipi azerbajxhanas në arenën evropiane konsiderohet si një nga historitë më të bukura të Champions League.
Nga fusha në stol, rrugëtimi i një legjende
Para se të bëhej trajner, Gurbanov ishte një nga futbollistët më të mirë në historinë e Azerbajxhanit. Ai zhvilloi pjesën më të madhe të karrierës në Rusi dhe mbetet një nga golashënuesit më të dalluar të kombëtares në periudhën post-sovjetike.
Në vitin 2006, në moshën 34-vjeçare, ai mori detyrën e trajnerit te Neftchi, por presioni i madh dhe mungesa e përvojës bënë që aventura të përfundonte pas vetëm një sezoni. Megjithatë, një telefonatë nga Qarabagu do të ndryshonte gjithçka.
Klubi, i zhvendosur nga Agdami në Baku që nga viti 1993 për shkak të luftës dhe me vështirësi të mëdha financiare, i besoi Gurbanovit ndërtimin e identitetit nga themelet.
Filozofia që ndërtoi një klub
Që në fillim, Gurbanov vendosi rregulla të qarta; disiplinë, punë dhe përkushtim maksimal. Ai u bë shembull për lojtarët, gjithmonë i pari në stërvitje dhe i fundit që largohej.
Trajneri ndërtoi një filozofi të qëndrueshme, duke kombinuar lojtarë vendas me përforcime të huaja dhe duke krijuar një sistem që nuk varej nga rastësia, por nga struktura dhe besimi afatgjatë.
“Që të mendosh për sukses në nivele më të larta, duhet të besosh te vetja dhe te ideja që ke. Ne po ndërtojmë një sistem që do të japë rezultate në planin afatgjatë”, shprehej Gurbanov vite më parë.
Nga dominimi vendas te suksesi evropian
Titulli i parë kampion për Qarabagun erdhi në vitin 2013. Me mbështetjen e Azersun Holding, klubi u shndërrua në forcën dominuese të futbollit azerbajxhanas, duke fituar gjithsej 11 tituj kampion.
Në vitin 2014, Qarabagu u kualifikua për herë të parë në fazën e grupeve të Europa League, ndërsa kulmi erdhi në vitin 2017, kur ekipi arriti historikisht fazën e grupeve të Champions League. Ishte një moment që vulosi punën shumë vjeçare të Gurbanov dhe vërtetoi se suksesi nuk ishte i rastësishëm.
“Fergusoni” i Qarabagut
Në Azerbajxhan, Gurbanov shpesh krahasohet me Sir Alex Ferguson. Ai nuk është vetëm trajner, por figura qëndrore e klubit, i përfshirë në çdo detaj, nga taktikat dhe përforcimet, deri te organizimi i udhëtimeve dhe jeta e përditshme e lojtarëve.
Ai ka refuzuar oferta nga klube të tjera dhe ka hequr dorë edhe nga drejtimi i kombëtares, duke zgjedhur të mbetet besnik vetëm një projekti, Qarabagut.
Një ëndërr që vazhdon
Sot, Qarabagu ka grumbulluar 10 pikë dhe gjendet në një pozitë shumë të favorshme për të synuar play-off-in e Champions League, edhe pse e pret një sfidë e madhe në ndeshjen e fundit kundër Liverpoolit në “Anfield”.
Për Gurban Gurbanov, çdo ditë është një mundësi për të ndërtuar diçka më të mirë. Çdo stërvitje, çdo vendim dhe çdo ndeshje është pjesë e vizionit të tij të madh, një Qarabag më i fortë, më konkurrues dhe më i respektuar në Evropë.
Komente







