Ferid Duka: Peticioni? Është
një reagim i zmadhua

Ferid Duka: Peticioni? Është<br />një reagim i zmadhua
TIRANE - Historiani Ferid Duka e vlerëson si një reagim të zmadhuar,  debatin e fundit shkaktuar nga peticioni kundër rishkrimit të historisë nën mbikëqyrjen e autoriteteve turke. Ai thekson se rishikimi i historisë është i nevojshëm për ta zhveshur historiografinë nga gjuha e propagandës dhe e urrejtjes, tipar ky i historiografisë së kohës së komunizmit.

Sa i takon termit pushtues, Duka thotë se ky term vlen vetëm për momentin e parë,  por s’mund të  përdoret fjala pushtues për periudhën e shekujve, XVII, XVIII apo më vonë. Sa i takon përfshirjes së shkrimtarit Ismail Kadare në këtë debat publik, Duka thotë se bashkohet me të në pikën që s’duhen lejuar ndërhyrjet e jashtme  politike në procesin e rishkrimit të historisë, por thotë se ka mendime të tjera për thelbin e debatit.

z.Duka, si e komentoni hartimin e këtij peticioni dhe firmosjen e  tij nga një varg intelektualësh në një moment të tillë. Është një debat që rikthehet apo jo?
Mua  më duket pak i zmadhuar reagimi që ngjalli ky peticion, në një kohë që  këto çështje u ngritën njëherë  u diskutuan dhe bënë pjesë e debatit publik, para dy vjetësh. Sigurisht është një temë që ngjall reagime, kur mendojmë specifikën e rajonit tonë. Por ka edhe të tjera vende si Japonia, Koreja apo Kina që kanë zhvilluar debate të kësaj natyre.

Madje atje kishte probleme më të mprehta midis tyre për tajtimin e problematikave të caktuara që kanë të bëjnë me të kaluarën në këto vende. Edhe në Ballkan është një situatë e tillë. Dua të përmend këtu një porosi që ka ardhur nga Këshilli i Europës vite e vite më parë, për rishikimin e tekteve të historisë në Ballkan për zhveshjen nga epiteteve fyese dhe gjuha propagandistike, nga elementë që ngjallin urrejtje, e rëndojnë situatën në Ballkan dhe pengojnë krijimin e një klime paqësore, bashkëpunimi dhe integrimi. Kjo gjuhë propagandistike nuk ka të bëjë me historiografinë. Mund të ketë të bëjë me politikën por jo me historiografinë.

Pra debati i rishikimit të periudhës osmane vjen si vazhdim i një debati të nisur më herët për të spastruar historinë tonë sidomos nga ideologjia komuniste. Por nxitja këtë herë erdhi nga faktorë jashtë historiografisë nga faktorë politikë.

Kthehemi tek periudha osmane, ku janë cilësuar shumë terma si të papërshtatshëm, si hordhitë osmane, etj, por edhe termi pushtim. A ishin ata administrues apo pushtues?
Këtu nuk bëhet fjalë për përmbysje themelore të koncepteve të metodologjisë së studimit të periudhës osmane, nuk bëhet fjalë për nëvleftësimin e aspekteve parësore apo dytësore në historinë e Shqipërisë, bëhet fjalë që periudha osmane të shihet në mënyrë objektive.

Nuk mund të shihet çdo gjë me syze të zeza. Ne duhet që termilogjinë ta përdorim saktë. Nuk ka diskutim që osmantë ishin pushtues të Shqipërisë. Nuk ka diskutim që përkundër pushtimit u ngrit një rezistencë që  udhëhoqi Skënderbeu, nuk ka dyshim që në vitet ‘900 forcat progresive që ishin brenda kësaj perandorie ditën të edukojnë dhe udhëhoqën reformat duke përfunduar me ngritjen e flamurit në Vlorë dhe Shqipëria u bë shtet i pavarur.

Ne mund të themi se Shqipëria u pushtua nga osmanët në shekujt XV-XVI, por pas këtij momenti ne nuk mund të flasim vetëm për pushtim, por edhe për zhvillim ekonomik, shoqëror, kulturor të popullit në kuadër të perandorisë osmane, ashtu siç duhet të flasim edhe për rolin që luajtën shqiptarët në historinë e kësaj perandorie, mënyrat e integrimit në sistemin osman.

Si e vlerësoni përfshirjen e shkrimtarit Ismail Kadare në këtë debat?
Si shumë të tjerë kam  nderim të veçantë për Kadarenë dhe veprën e tij. Ndërhyrja e tij lidhur me këtë temë, është gjykuar si e drejtë nga vetë Kadare, duke u shperehur i shqetësuar për një ndërhyrje të jashtme në këtë çështje. Sigurisht në këtë pikë bashkohem  me të. Por sa i takon analizës së problemit seicili ka mendimin e tij.

AKADEMIK FETI MEDIU

Pushtuesit osmanë nuk krahasohen me serbët


Akademiku, Feti Mediu është shprehur kundër formulimeve ‘rishkrim dhe ndryshim i historisë’, por sipas tij, historia e popullit shqiptar ka nevojë vetëm të korrigjohet. Por Profesor Mediu thekson se historinë duhet ta korrigjojnë intelektualët. “Historia e shqiptarëve duhet të korrigjohet e jo të ndryshohet.

Fatkeqësisht edhe në periudhat më të hershme edhe tash në këtë periudhë ka ende keqpërdorime dhe shtrembërime të fakteve historike”, tha ai. Sipas tij, qasja ndaj historisë duhet të jetë e ftohtë dhe jo të bazohet mbi paragjykime.

Ai tha se për historinë e shqiptarëve të Kosovës në periudhën e Perandorisë Osmane, ka mjaft argumente të cilat janë në arkivat e botës, veçanërisht në atë të Stambollit dhe Ankarasë. “Historia e popullit shqiptar në përgjithësi duhet të kërkohet në arkivat e Sulltanatit Osman, duke pasur parasysh që ka shumë materiale të cilat pak janë shfrytëzuar”, shprehet Mediu.

Ai konsideron se krahasimi i perandorisë osmane me pushtimin serb nuk është i drejtë. “Sulltanati Osman, ardhja e osmaneve në Ballkan, respektivisht tek shqiptaret është e ngjashme me NATO-n dhe forcat e paktit veri-atlantik. Se sulltanati osman ka qenë i egër dhe i ashpër ndaj shqiptarëve është njëjtë sikur të thuash që NATO ka qenë i agresor ndaj popullit të Kosovës”, thotë Mediu.

Akademiku vlerëson se termi pushtues dhe çlirues janë relativë. “Relativiteti qëndron sepse faktet flasin se Sulltanati Osman i çliroi shqiptarët, duke qenë ata nën zgjedhën dhe dhunën e kishës, e cila ishte e orientuar nga kisha lindore”.

MININSTRI I ARSIMIT BUJA: JAM ME ATA QË FIRMOSËN PETICIONIN

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja ka komentuar peticionin e nënshkruar nga 127 intelektualët shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, kundër rishikimit të historisë nën mbikëqyrjen e autoriteteve shtetërore turke. “Askush nuk mund ta ndërrojë historinë.

Kjo është një nisëm e Komisionit Evropian që nga viti 2004 që të rishikohen shprehjet e vrazhda të historisë por jo të ndërrohet historia”, thotë Buja duke argumentuar se “është bërë zhurmë e madhe pa pasur nevojë sepse sipas tij nuk ka forcë asnjë Qeveri dhe asnjë ministri ta ndërrojë historinë siç po interpretohet.”

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve