Për tre ditë me radhë, në Lezhë dhe Mirditë u mbajt Parlamenti i Katërt Kombëtar Rural, ku fermerë dhe prodhues nga i gjithë vendi në prani të përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë dhe BE-së, diskutuan për sfidat e zhvillimit rural. 

Preng Doda, fermer nga Mirdita tha se “ne kemi nevojë për mbështetje. Jemi me shpresë se do jemi përfitues të granteve të vogla.

Prek Vushaj, fermer nga Vermoshi theksoi se “zona jonë kryesisht Kelmendi dhe Vermoshi ka nevojë për përkrahje. Në Vermosh janë tre çështje kryesore dhe jetike: bujqësi, blegtori dhe turizëm. Kërkohet një vëmendje më e madhe. 

“Ka shumë për të bërë mes një koordinimi me Ministrinë e Bujqësisë dhe aktorë të tjerë për të parandaluar disa fenomeneve pavarësisht përpjekjeve tona nuk adresojnë krijimin e kushteve të nevojshme për bujqësinë. Si fusha e Torovicës, ku hidrovori ka dalë nga funksioni për shkak se ka rënë niveli i tokës”, tha kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu.

Ndërsa, Eranda Selmani, zyrtare e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kërkoi bashkëpunim mes të gjithë aktorëve për zhvillimin e qëndrueshëm rural.

“Me specialistët tanë dhe ekspertë ndërkombëtarë, të japim informacion mbi standardin, të japim financimin sesi këto standarde të arrihen. Aktualisht ne kemi 6 grupe veprimi të regjistruara, shikojmë që ka bashki kryesisht në pjesën jugore e Shqipërisë. Nuk ka asnjë grup lokal veprimi në pjesën veriore të Shqipërisë. Do ngelet një sfidë”, tha ajo.   

Në fokus të Parlamentit Kombëtar Rural ishin reformat, partneriteti dhe zhvillimi territorial, si shtylla kyçe për një Shqipëri rurale më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.