/ATSH/- Filmi me metrazh të gjatë nga Çekia 'In Silence', i regjisorit Zdenek Jirasky ka fituar tre çmime në ceremoninë përmbyllëse të Festivalit pesë ditor të filmit "Fest Film Kosova Hyjnesha në Fron".

Nga filmat e metrazhit të gjatë, juria në përbërje të Enver Petrovcit, Moni Damevskit dhe Alfred Trebicka kanë shpallur çmimet e fituesve, ku filmi "In Silence" i regjisorit Jirasky u nderua me çmimin "Filmi më i Mirë i Festivalit", çmimin 'Regjia më e Mirë' dhe çmimin 'Skenari më i Mirë'.

Çmimin për 'Rolin Kryesor - Aktorja më e Mirë' e ka fituar Njomëza Fetiu për rolin e saj në filmin 'Babai im', kurse Çmimin 'Roli Kryesor - Aktori më i Mirë', e ka fituar Simon Berger, që luajti rolin kryesor në filmin e regjisorit suedez, Mikael Marcimain, 'Call Girl' .

Nga filmat e metrazhit të shkurtër , Çmimin 'Filmi më i Mirë' iu dha filmit të regjisores Una Gunjak, 'The Chicken'.

Çmimi 'Kinemaja e së Ardhmes', iu dha filmit kosovar 'Pandora' , film ky i realizuar nga Arlinda Morina, kurse 'Çmimin Special' e fitoi filmi nga Shqipëria 'Vrasësit' , i regjisorit Ergys Meta.

Fest Film Kosova 'Hyjnesha në Fron' dha edhe Çmimin Special për Vepër Jetësore', me të cilin këtë vit u nderua aktorja nga Shqipëria, Marjeta Larja.
Gjatë Festivalit ndërkombëtar të filmit 'Hyjnesha në Fron' janë shfaqur 16 filma të metrazhit të shkurtër dhe 5 të metrazhit të gjatë.

Festivali pesë ditorë është mbajtur në Stacionin Hekurudhor në Fushë Kosovë, ku për herë të parë filmat janë shfaqur edhe në tren, e jo vetëm në ambiente klasike siç janë sallat e teatrove apo sallat kinematografike.