Sot besimtarët ortodoksë e katolikë festojnë sot ditën e lindjes së Krishtit. Në këtë ditë të shënuar teologu, Dhimitër Qosja tha për Report Tv se së pari në këtë festë jemi përballë një fakti historik, që që do të thotë se historia e botës është e ndarë në dy pjesë, para dhe pas Krishtit.

“Tej simbolikave që janë të shumta në këtë festë madhështore ne jemi përballë një fakti historik: ardhja e Krishtit shënjon ndarjen e historisë: para dhe pas Krishtit. Domethënia e 25 dhjetorit na jep dy mesazhe të rëndësishme, e para që Perëndia bëhet si ne - njeri. Perëndia nga dashuria e uli veten e tij, dhe vjen ta takojë njeriun. Ky raport nuk është i huaj se vetë njeriu është krijuar nga Zoti. Ai vjen si dritë në botë për të ndriçuar çdo njeri”, u shpreh Qosja.

Ndër të tjera ai thekson se Zoti nuk imponon ai vjen me përulësi tek ne dhe kështu duket fuqia dhe dashuria e tij për njerëzit.

“Kur largohemi nga Zoti largohemi edhe nga njëri-tjetri, sepse humbja e dimensionit shpirtëror ka edhe humbjen e vlerave të tjera, siç është dashuria. Kjo datë na tregon se Perëndia është dashuri. Zoti nuk imponon ai vjen me përulësi dhe kështu duket fuqia dhe dashuria e tij”, tha ndër të tjera ai.

Festimi i Krishtlindjes nisi të marrë formë zyrtare në shekullin e IV, kur Kisha e Romës përcaktoi datën 25 dhjetor si ditën e përkujtimit të lindjes së Krishtit. Kjo datë u lidh edhe me festa më të hershme pagane që kremtonin dritën dhe rilindjen, duke i dhënë festës një kuptim të ri shpirtëror.

Me kalimin e shekujve, Krishtlindja u shndërrua në një festë jo vetëm fetare, por edhe kulturore. Tradita të ndryshme, si vendosja e bredhit, shkëmbimi i dhuratave dhe figurat simbolike si Babagjyshi i Vitit të Ri, u zhvilluan kryesisht në Evropë gjatë Mesjetës dhe u përhapën më pas në mbarë botën.