Festa e Krrabës, panair agroushqimor dhe shumë aktivitete për promovimin turistik të zonës

Një fundjavë ndryshe, afër natyrës dhe ushqimit bio të zonës, por jo larg kryeqytetit! Krraba mikpriti sot dhjetëra qytetarë të ardhur nga Tirana dhe zonat përreth për të festuar ardhjen e pranverës, përmes një sërë aktivitetesh që promovojnë natyrën, vlerat agroturistike të zonës, si dhe nxisin qytetarët që të konsumojnë sa më shumë prodhime të vendit, si mënyrë e mirë për të ndihmuar ekonominë lokale. Për këtë qëllim, Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit kishin organizuar aktivitete për çdo moshë nën ritmet e muzikës folklorike, piknik, hiking, sporte të ndryshme, panair – agroushqimor dhe shumë argëtim.

Festës iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili falenderoi Krrabën për mikpritjen dhe u shpreh se ky është një ogur i mirë edhe për zgjedhjet e ardhshme vendore të 30 qershorit. “Është gjithmonë kënaqësi të vij në Krrabë. E para, se fushata më ecën mbarë. Kështu, e nisa dhe herën e fundit dhe shkoi perfekt. Jam i bindur se kështu do shkojë edhe kësaj here. Kush ka ardhur nga njësitë e tjera, duhet ta dijë se ka ardhur në një nga zonat më mikpritëse, me traditat më të forta, me rrënjë në familje, me kulturë, me njerëz që e duan këtë vend. E filluam me “Dajti n’Fest”, para dy ditësh kishim festën e Farkës, sot festën e Krrabës; ajo që duam të bëjmë është t’i nxjerrim ata që janë në mes të Tiranës, t’u themi dilni, shihni natyrën, takoni njerëz të mirë, konsumoni produkte bio, harxhoni pak lekë, që të fuqizoni komunitetin tonë. Kur dikush blen një produkt lokal, qoftë një kavanoz mjaltë, një shishe raki, pak vaj, nuk është duke blerë vetëm produkte për kuzhinën, por është duke ndihmuar ditë të çojë fëmijën në shkollë, t’i blejë rroba dhe libra. Ndaj kush konsumon produkte lokale, ka konsumuar aktin më të madh të patriotizmit ekonomik që kemi nevojë sot”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se reforma territoriale ishte një nga reformat më pozitive dhe që ndihmoi më së shumti njësitë e vogla, të cilat me të ardhurat e tyre nuk kishin mundësi të bënin investime të mëdha. Ndaj, pas përfundimit të rrugës ku nuk ishte vënë dorë prej gati gjysmë shekulli, Veliaj theksoi se është e nevojshme që të bëhet edhe lidhja me autostradën.

“Reforma që na bashkoi me Tiranën ishte gjë e mirë; na dha mundësinë që të bënim rrugën, në të cilën nuk ishte vënë dorë që nga vitet ’60-’70. Si vend i vogël që është Krrab nuk i kishte mundësitë ta bënte vetë. Por, oreksi vjen duke ngrënë, u bë rruga, tani duhet të bëjmë lidhjen me autostadën. Rruga është shumë e mirë, por lidhja me autostradën është jetike. Kjo është arsyeja pse edhe në Këshillin e ri Bashkiak kemi afruar njerëz që të na ndihmojnë t’i bëjmë këto punë. Kjo është arsyeja pse në Këshillin Bashkiak do të kemi Sonila Qaton, drejtoreshën e rrugëve të të gjithë Shqipërisë, që si anëtare e re e Këshillit Bashkiak, ka një mundësi fantastike të na ndihmojë që ky komunitet të lidhet me zhvillimin, me rrugën, me gjithë ekonominë”, shtoi Veliaj.

Ai u shpreh se veç organizimit të festave të tilla, e rëndësishme për të zhvilluar turizmin në këto zona është edhe zhvillimi i infrastrukturës. “Sot kemi filluar të promovojmë pak zonën. Jo vetëm qendrën e Krrabës, por edhe Syrin e Ciklopit. Ama, edhe aty duhet një rrugë, se nuk mund të shkojnë turistët vetëm nga monopati. Besoj se këto dy projekte kryesore janë edhe vëmendja jonë më e madhë për 4 vitet e tjera për Krrabën. Mezi pres që secili prej jush sot të bëjë një fotografi në Krrabë, ata që kanë ardhur nga zona të tjera, dhe ta postojnë atë. T’ju tregojnë të tjerëve sa bukuri ka zona, sa traditë ka zona. Ata që kanë ardhur nga zona të tjera të blejnë dhe të konsumojnë diçka nga artizanët tanë. Vetëm nëse e promovojnë ekonominë lokale, do t’i shohim hajrin se çfarë do të thotë të bashkohesh me Tiranën”, tha Veliaj.

Në fund, ai ftoi banorët e Krrabës që t’i bashkohen sprintit të këtyre 100 ditëve për të bërë të mundur me votën e tyre vazhdimin e zhvillimit të Tiranës dhe të ekonomive të tyre rurale. “Fillojmë me këtë takim madhështor 100 ditë sprint, deri në datën 30 qershor. Nuk i bëjmë gjërat për inatin e të tjerëve, i bëjmë për dashurinë tonë. Për dashurinë me njëri-tjetrin. Ndaj, edhe gjithë vëllezërit dhe motrat që janë demokratë apo kanë bindje të tjera, duam t’ju themi që ne ju duam shumë, do t’ju shërbejmë njësoj, sepse besoj që Tirana është vend për të gjithë. Ka vend për të gjithë. Jo për dhunë, jo për inat, jo për pengesa, por për dashuri, për pasion, edhe për punë non stop”, shtoi Veliaj.

G.M.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Krraba: 24/03/2019 17:28

    O Erion pse nuk e ftove edhe presidentin andej nga Krraba se ai I njeh mire ato vise

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë