Tirane- Krerët më të lartë të Shtetit, presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, kryebashkiaku Erion Veliaj, kryeopozitarët Basha e Kryemadhi, por edhe figurua të tjera politike uruan sot gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit. Mesazhet e tyre ishin për harmoni e begati, për më shumë mirëkuptim mes njerëzve, por mbi të gjitha mes vetë politikanëve.

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka nisur i pari nga politika shqiptare urimet ndaj besimtarëve myslimanë për festën e Kurban Bajramit. Me anë të një videoje në Facebook, Rama tregon pamje nga kantieret e punës për rimëkëmbjen e xhamive në vend.

Pas Ramës, një urim ka ardhur edhe nga kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi i cili ka bërë thirrje që tolerancën si besimtarë, ta plotësojmë edhe me tolerancën si qytetarë. Edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha ka uruar besimtarët myslimanë duke u shprehur se lutjet e tij shkojnë për të pamundurit.

Në postimin e tij, ai shkruan se xhamitë janë pjesë e thesarit tonë të trashëgimisë historike e kulturore.

Ditën e sotme, mijëra besimtarë myslimanë falën Kurban Bajramin në sheshin Skëndërbej.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:42
Veliaj urim dhe mesazh politikës: Mos e nisni me sherre shtatori

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj sot me rastin e festës së Kurban Bajramit, zgjodhi të japë edhe një mesazh politik. Ai tha se politikanët duhet të jenë njësoj si në raste festash edhe në ditë pune, duke mos e fshehur frikën që në shtator do të ketë edhe nga ata që do kthehen në politikë për sherre e jo për punë.“Nuk jam naiv e di që mrekullitë rrallë ndodhin. E di që ka nga ata duan sherr, por pyetja ime është si do kthehemi në shtator? Për të lënduar apo shëruar? Për t’i vënë stërkëmbëshin apo për t’i dhënë dorën njëri-tjetrit. Duhet të mendojmë të gjithë njësoj për të mirën e vendit. Sa rikthehet sherri dhe rrëmuja jemi të parët për t’i vënë benzinë zjarrit. Unë them që  siç jemi në festa të jemi edhe në ditë pune",- tha ai.

Në krahë të myftiut të Tiranës, Ylli Gurra Veliaj tha se Bashkia do shpërndajë sërish sot ushqim falas në mensën numër 6 të kryeqytetit.

Ora 12:09
Balla: Të jemi të bashkuar në interes të shqiptarëve

Pranë Komunitetit Mysliman ishte sot edhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Ai nuk e kurseu një mesazh edhe për politikën.
Kurban Bajrami është festa simbol e vetëflijimit, prandaj edhe ne sot duhet të jemi më të bashkuar në interes të shqiptarëve. Gëzuar për shumë vite kurban Bajramin”,- tha Balla.

Ora 12:06
Meta: Tre mesazhet që na jep Kurban Bajrami

Kreu i Shtetit, Ilir Meta u bë sot pjesë e urimeve pranë Komunitetit Mysliman në kryeqytet. Ai tha se janë tre mesazhet që duhen nxjerrë nga kjo festë, mesazhi i solidaritetit, bashkëpunimit dhe vëmendjes për ata që kanë nevojë.“Mesazhi i solidaritetit, bashkëpunimit, vëmendjes sidomos për ata që kanë më shumë nevojë për tu përfshirë, përkrahur janë tre mesazhet që na sjell kjo ditë mjaft e rëndësishme e besimit islam. Kjo është një ditë që dëshmon bashkëjetesën tonë të shkëlqyer ndërfetare”,- tha ai.

Ora 11:25
Festa e Bajramit, Kryemadhi: Të largojmë urrejtjen, t’i dhurojmë njëri-tjetrit mirësi

Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI-së, ka vizituar Komunitetin Mysliman Shqiptar me rastin e festës së Kurban Bajramit.

E shoqëruar nga deputetit Edmond Panariti, Kryemadhi u ndal para kamerave për t’i uruar të gjithë besimtarëve festën.

Dua t’ju uroj paqe, begati, mirësi. Të vazhdojmë t’i dhurojmë njëri-tjetrit mirësi dhe të largojmë urrejtjen. Kjo ditë na kujton të gjithëve që të reflektojmë, të jemi të angazhuar për të bërë vepra më të mira.

Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së

Kryemadhi nuk ka harruar të urojë edhe gazetarët e pranishëm para KMSH.

Dua t’ju falënderoj edhe ju që në këtë ditë pushimi nuk ndaloni së punuari dhe vazhdoni informoni shqiptarët kudo që ndodhen.

Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së

Ora 10:06
Festa e Bajramit, Basha: Lutjet e mia shkojnë tek të pamundurit, të braktisurit, dhe të nëpërkëmburit

Kreu i PD, Lulzim Basha ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Me anë të një mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale Basha shprehet se lutjet e tij i dërgon për të pamundurit, të braktisurit, dhe të nëpërkëmburit.

Nga zemra ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë dhe shqiptarëve kudo ku janë, Gëzuar Kurban Bajramin! Sot në Festën e Flijimit që kremton mposhtjen e egos dhe forcën e besimit në Zot, mendimet dhe lutjet e mia shkojnë në veçanti tek të pamundurit, të braktisurit, dhe të nëpërkëmburit.

Mesazhi i kësaj feste dëshmon se nuk ka sprovë që nuk kalohet me besim tek Zoti dhe dashuri për Atdheun, familjen dhe njëri-tjetrin. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë!

Lulzim Basha, kryetar i PD-së

Ora 08:47
Festa e Kurban Bajramit, Ruçi: Ëmbëlsia e besimit, ushqim për një shoqëri humane

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, i ka uruar besimtarëve myslimanë festën e Kurban Bajramit.

Në urimin e tij, Ruçi shkruan se ëmbëlsia e besimit është ushqim për një shoqëri humane e mirëqenie për të gjithë.

Gjithashtu kryetari i Kuvendit shprehu nderimin e thellë edhe për pelegrinët nga vendi e Diaspora në malin e shenjtë të Tomorrit duke i vlerësuar ata si një model devotshmërie e përkushtimi.

Pelegrinët në Tomorrin e shenjtë, model devotshmërie përkujdesjes hyjnore t’i shtojmë dashurinë njerëzore. Tolerancën si besimtarë, ta plotësojmë me tolerancën edhe si qytetarë.

Gramoz Ruçi, kryetar i Kuvendit