Në prag të festës së Shna Ndout, e cila kremtohet më 12 dhe 13 qershor në Laç, institucionet përgjegjëse kanë marrë një sërë masash për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e pelegrinazhit, ku pritet të marrin pjesë mijëra besimtarë nga e gjithë Shqipëria dhe jashtë saj.

Policia e Shtetit do të jetë e angazhuar me efektivë shtesë për menaxhimin e qarkullimit rrugor, ruajtjen e rendit dhe orientimin e pelegrinëve, ndërsa shërbimet shëndetësore do të jenë në gatishmëri me ekipe mjekësore dhe autoambulanca pranë kishës.

Gjithashtu, në terren do të jenë të pranishme edhe shërbimet zjarrfikëse, strukturat e emergjencave civile dhe punonjës të bashkisë, tha kryetarja e bashkisë Kurbin, Majlinda Cara që u kërkoi qytetarëve që të respektojnë rregullat e përcaktuara.

Edhe kisha e Shna Ndout ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e pelegrinazhit, bën të ditur famullitari Dom Land Jaku.

“Në orën 4 të pasdites nisin kremtimet. Të nesërmen, mesha e parë mbahen në 5 të mëngjesit. Garantohen lutjet dhe bekimet për të gjithë besimtarët. Punonjësit janë gjithashtu të angazhuar. I lusim të jenë të veshur në mënyrë dinjitoze sepse me kanotierë dhe pantallona të shkurtra nuk vihet në këtë vend. Forcat e Policisë janë gjithnjë në dispozicion”, u shpreh ai.

Pelegrinazhi i 12 dhe 13 qershorit në kishën e Shna Ndout është një nga ngjarjet më të mëdha fetare në Shqipëri, ndaj dhe autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të bashkëpunojnë me strukturat e angazhuara dhe të respektojnë udhëzimet e përcaktuara.