Daily Mail i ka kushtuar një artikull festës së shqiptarëve mbrëmjen e djeshme në Londër për festimet mbi 110 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Në shkrimin e medias britanike bie në sy përqendimi në makinat e shtrenjta të shqiptarëve të cilët kanë bllokuar rrugët e Londrës duke krijuar një atmosferë fantastike festimesh.

“Pamjet video të shpërndara në internet tregojnë Audit, Range Rovers dhe Porsche 4x4 që të gjithë ndalojnë trafikun rreth Westminsterit ndërsa oficerët e Policisë Metropolitane përpiqen të lëvizin automjetet.

Në klipe të ndryshme, burra dhe gra mund të shihen duke valëvitur flamurin shqiptar ndërsa varen nga xhamat e makinave të tyre - duke përfshirë një Lamborghini Huracan ngjyrë vjollce dhe një Mercedes të klasës G, të cilat kushtojnë përkatësisht rreth 120,000 dhe 160,000 £”-shkruhet në artikull.

Gjatë festimeve pati fishekzjarrë të shumta të lëshuara nga shqiptarët. Ndërsa kjo gjë ka shfqur zemërim tek shoferët vendas të cilët e cilësuan këtë organizim si ‘egoist’ duke qenë se bllokonte qarkullimin.

Një prej përdoruesve të twitter-it shkroi: Shqiptarët në Londër që festonin Ditën e Pavarësisë, bllokuan me egoizëm sheshin Strand dhe Trafalgar, ndërsa njerëzit dilnin nga teatrot në orën 22:00.

Tema e shqiptarëve në Britani të Madhe është tepër e lakuar duke kujtuar këtu debatin që ka përfshirë vendin mbi numrin e emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë me varka nëpërmjet kanalit të ‘La Manshit’. Ka qenë ministrja e Brendshme, britanike, Suella Braverman ajo e cila ka etiketuar shumicën e emigrantëve shqiptarë si ‘kriminelë’. Kjo ka nxitur reagimin e madh nga ana e shqiptarëve në Britani të Madhe, të cilët organizuan edhe protestë të madhe në Londër, ku kërkuan që Braverman t’u kërkonte ndjesë.