Festa e Verës në Tiranë,
të gjithë në bulevard

Festa e Verës në Tiranë,<br />të gjithë në bulevard
TIRANE- Kryeqyteti mëngjesin e djeshëm është zgjuar ndryshe, pa makina në Bulevard dhe me qindra mijëra qytetarë të cilët festonin Ditën e Verës. Të ardhur nga rrethet, periferia, por edhe qytetarë të Tiranës zgjodhën Bulevardin Dëshmorët e Kombit, Sheshin “Nënë Tereza” e “Skënderbej” si dhe Parkun Rinia, për të ndjekur festimet e shumta që kishin pushtuar kryeqytetin. Aktivitetet e ideuara për më të vegjlit deri tek të moshuarit, këngët e vallet tradicionale shqiptare nuk kanë munguar as këtë vit, duke e bërë edhe më madhështore, atmosferën e kësaj feste pagane që njofton ardhjen e stinës së luleve.

Festa ka nisur me bandën e qytetit, ndërkohë që kënde të shumta argëtimi ka pasur për fëmijët, dhe talentet e reja. Tetari i Kukullave i vendosur përballë galerisë së arteve ka argëtuar me qindra fëmijë, ndërsa trupa e animatorëve kanë performuar në parkun Rinia, i cili si çdo vit është mbipopulluar nga të gjitha grupmoshat, por edhe nga  tregtarët që nuk i kanë munguar kësaj dite, me ëmbëlsirën tradicionale, ballokumen. Por përveç ballokumes edhe të tjera ëmbëlsira tradicionale kanë tregtuar shitësit ambulatë siç janë mollët e sheqerit, gurabije, biskota susami si dhe shkopa sheqeri. këto ëmbëlsira tërhiqnin më shumë moshën e rritur duke u kujtuar edhe një herë fëmijërinë e tyre.

Por edhe më të rriturit të cilët shfrytëzuan këtë ditë pushimi për të shëtitur dhe shijuar një ditë ndryshe uruan për ditë sa më të ngrohta dhe më të mira. Morisë së aktiviteteve të organizuara në këtë ditë iu bashkua edhe Kryeministri Edi Rama, duke iu rikthyer pasionit të rinisë basketbollit. Kryeministri ka ndalur lojën për një moment duke dhënë këtë koment. “I uroj të gjithëve gëzuar Ditën e Verës, pa e fshehur dot gëzimin që ne një pjesë të bërthamës së skuadrës kombëtare të 30 viteve përpara mundëm dy skuadra rresht të ditëve tona. Besoj që ky është një ngushëllim fantastik për moshën që ikën në këtë Ditë Vere.

Besoj që ndërthurja e energjisë dhe e pasionit të më rinjve me eksperiencën tonë ju vlejti edhe atyre", tha Rama. Por pjesëmarrës në aktivitete kanë qenë edhe Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, si dhe Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla. Një tjetër aktivitet ka qenë ai i organizuar nga Bashkia e Tiranës në rrugën “Murat Toptani”, panairi “Bli shqip”. Produkte jo vetëm nga Shqipëria, por edhe Kosova e Maqedonia kanë qenë pjesë e 40 bizneseve, pjesë e këtij panairi. Në ceremoni ka qenë i pranishëm kryetari Bashkisë Lulëzim Basha si dhe autoritete të qeverisë kosovare.

“I japim më shumë kuptim përmes një aktiviteti i cili na kujton se çfarë potenciali kemi ne shqiptarët, në Shqipëri dhe kudo në trevat shqiptare për të prodhuar mallra cilësore, dhe për të garantuar shërbime cilësore, autentike mbi qytetarët e Tiranës. Të gjithë qytetarët e Shqipërisë ju urojë gëzuar Ditën e Verës”, tha Basha. Por këto nuk kanë qenë të vetmet aktivitete, të tjera koncerte kanë bërë që kryeqytetasit të kalojnë këtë fundjavë ndryshe, duke pritur pranverën me lule e ballokume.

Rama i rikthehet basketbollit
 Një fushë basketbolli e ndërtuar në Lulishten e “Vëllezërit Frashëri”, e ka tunduar kryeministrin Rama. I veshur sportiv, ai ka hyrë në fushën e lojës, ku në ekip kishte edhe të tjerë sportistë të vjetër, por edhe politikanë. kështu Blendi Klosi, Arbjan Mazniku, por edhe të tjerë i janë rikthyer edhe një herë pasionit të tyre, basketbollit. Loja e politikanëve kishte mbledhur rreth fushës me qindra qytetarë të cilët komentonin, por edhe duartrokisnin, në rastet kur kryeministri arrinte të fuste topin në kosh. Ndërkohë që “spektatore” e kësaj loje ka qenë edhe bashkëshortja e kryeministrit Linda Rama, e cila me një veshje pranverore uronte qytetarët që kjo verë t’i gjente të shëndetshëm dhe të gëzuar.


Shkrimi u publikua sot (15.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në SHBA, vriten me armë zjarri brenda shtëpisë çifti i shqiptarëve

E rëndë në SHBA, vriten me armë zjarri brenda shtëpisë çifti i shqiptarëve