Për natën e ndërrimit të viteve, 50 familje kuksiane në nevojë dhe fëmijë me aftësi ndryshe të Qendrës Ditore të Shërbimeve Sociale morën pako ushqimore dhe dhurata. Drejtori i Shërbimeve Sociale Bashkim Guri, tha se falë kontributit të biznesit vendas familjet dhe fëmijët do të përjetojnë më shumë gëzim në këto ditë festash.

“Falënderojmë një biznes vendas në Kukës që është vetëofruar me 50 pako ushqime për kategoritë në nevojë, veçanërisht për familjet në nevojë. Falë këtij biznesi këto fëmijë përjetojnë gëzim dhe mbështetje gjithmonë. Me këtë rast i bëjmë thirrje dhe bizneseve të tjera për të marrë pjesë në këtë nismë”, tha Bashkim Guri.

Ndërkohë, dhuruesi i pakove dhe lodrave, Astrit Cubi, theksoi se këto ndihma janë një simbolikë e respektit dhe përkujdesjes që komuniteti duhet të ketë ndaj fëmijëve me aftësi ndryshe dhe familjeve të tyre.

“Ne si kompani nuk jemi thjeshtë për të shpërndarë disa dhurata për fëmijët me aftësi ndryshe të qytetit të Kukësit, por jemi për të shprehur kujdesin dhe dashurinë tonë që kemi për ta. Këto janë një dhuratë simbolike, por me zemër të madhe. Shpresojmë që këto të sjellin sado harmoni dhe buzëqeshje në familjet e këtyre fëmijëve me aftësi ndryshe”, tha Cubi.

Ndarja e dhuratave është kthyer tashmë në traditë në qytetin e Kukësit, duke sjellë pak më shumë ngrohtësi për ata që kanë më shumë nevojë, në kohën kur festat afrojnë njerëzit dhe solidariteti merr kuptim të veçantë.