Vetëm pak ditë na ndajnë nga festat e fundvitit, një periudhë gëzimi, bashkimi dhe tryezash të mbushura plot me ushqime tradicionale e moderne, shije të larmishme dhe aroma festive. Por krahas atmosferës së bukur, kjo periudhë shoqërohet edhe me rritje të ndjeshme të urgjencave dhe komplikacioneve shëndetësore, kryesisht si pasojë e teprimit me ushqimin dhe pijet alkoolike.
Cilat janë rreziqet që vijnë nga mbingrënia? Cilat janë gabimet më të shpeshta që bëjmë gjatë festave? Dhe cilat ushqime apo bimë ndihmojnë organizmin të përballojë më lehtë këtë “ngarkesë”? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, specialisti i njohur i bimëve mjekësore, Ylli Merja, ndau në "Rreze Dielli" në Report TV këshilla të vlefshme për festa jo vetëm të shijshme, por edhe më të shëndetshme.
“Kjo mbrëmje është e ngarkuar me kalori, ndaj duhet të bëjmë një lloj bilanci. Në atë natë mund të marrim dyfishin e kalorive që konsumojmë zakonisht gjatë ditës. Duke ditur se 1 gram karbohidrat përmban 4 kcal, 1 gram proteinë 4 kcal, 1 gram yndyrë 9 kcal dhe 1 ml alkool 7 kcal, është e rëndësishme të kemi një plan ushqimor dhe ta shtrijmë ngrënien në kohë”, thekson Merja.
Kaloritë për 100 g produkt
* Perime jeshile: ~10 kcal (sallatë) – 45 kcal (karrota)
* Mish viçi: 200–220 kcal deri në 250–280 kcal
* Mish pule: 180–200 kcal
* Peshk: 110–200 kcal
* Djathë i bardhë: 250–290 kcal
* Djathë kaçkavall: 350–400 kcal
* Fruta të thata (bajame, arra): 570–650 kcal
* Fruta të thata të ëmbla (rrush i thatë, fiq): 230–280 kcal
“Gjatë darkës festive nuk duhet të mungojë uji detoks, i cili përgatitet fare thjeshtë duke shtuar pak uthull molle, limon të shtrydhur dhe të prerë në feta, pak finok ose majdanoz, pasi ndihmon në tretje dhe në djegien më të shpejtë të kalorive”, këshillon Merja.
Kujdes i shtuar për personat me tension dhe diabet
Një tryezë e rëndë mund të përkeqësojë ndjeshëm gjendjen shëndetësore, veçanërisht tek personat që vuajnë nga tensioni i lartë, diabeti apo kolesteroli. Megjithatë, sipas specialistit, edhe këta persona mund ta shijojnë mbrëmjen festive, nëse tregojnë kujdes.
“Një person me sëmundje kronike mund të pijë edhe një gotë verë apo të hajë një ëmbëlsirë, por me masë. Duhet shmangur teprimi, sidomos me pijet alkoolike”, shprehet Merja.
Ai rekomandon për personat që vujanë nga hipertensioni, që gjatë darkës të konsumojnë 2–3 thelpinj hudhër, si dhe të ndihmohet organizmi me ujë detoks me uthull molle, çaj kolestomer apo çaj boronice, të cilët ndihmojnë në qetësimin e organizmit. Për personat me tension të lartë, diabet apo dhjamosje të mëlçisë, sugjerohet një menu me pak sheqer, pak kripë dhe më pak produkte shtazore. Sa i përket alkoolit, Merja këshillon që një pjesë e alkoolit të largohet duke e ngrohur pijen.
“Personat me diabet apo kolesterol të lartë mund të konsumojnë një verë të ngrohtë, ku shtohen mollë të grira, kanellë dhe karafil”, rekomandon ai.
Po ëmbëlsirat?
Përsa i përket ëmbëlsirave, të pashmangshme gjatë festave, Merja sugjeron që edhe bakllavaja apo ëmbëlsira të tjera të përgatiten me stevia, një ëmbëlsues natyral shumë i përshtatshëm sidomos për personat me diabet.
Në rast se është tepruar me ëmbëlsirat, uji detoks me uthull molle apo turshitë e përgatitura në shtëpi ndihmojnë ndjeshëm në ekuilibrimin e organizmit dhe në përmirësimin e tretjes.
Shembull i shpërndarjes së kalorive në darkën e Vitit të Ri
- * Perime të gjelbra: 100 g → ~30 kcal
- * Turshi: 30–40 g → ~15 kcal
- * Mish viçi: 150–180 g → ~400 kcal
- * Verë (13% alkool): 150–200 ml → ~200 kcal
- * Fruta stine: 200–250 g → ~100 kcal
- * Fruta të thata (bajame, arra): ~50 g → 250–300 kcal
- * Fruta të thata të ëmbla: ~50 g → 100–120 kcal
- Totali: rreth 1100 kcal
“Duke respektuar masën dhe zgjedhjet e duhura ushqimore, festat mund të jenë jo vetëm të shijshme, por edhe një fillim i shëndetshëm për Vitin e Ri", theksoi Merja në fund të bisedës.
Komente












