TIRANE - Policia Rrugore e Tiranës ka marrë masa për mbarëvajtjen e sigurisë në rrugë gjatë natës së ndërrimit të viteve. Gjatë një deklarate për mediat nga sheshi "Nënë Tereza" Shefi i Policisë Rrugore të Tiranës, Erion Ahmeti këshilloi qytetarët që mos drejtojnë automjetet në gjendje të dehur. 

"Policia rrugore ka përforcuar shërbimet natën e ndërrimit të viteve për të mos pasur probleme dhe për të parandaluar ngjarjet rrugore. Gjatë kësaj kohe të gjtihë insitucionet, organizatat organizojnë darkat e fundvitit ku konsumohet edhe alkool. Mesazhi është festoni, konsumoni alkool por mos drejtoni mjetin në efektin e alkoolin. Përdorni mjetet e transportit publik. Apeli është që të mos konsumoni shkelje rrugore gjatë këtyre ditëve festive. Policia Rrugore e Tiranës do jetë në gatishmëri për të garantuar sigurinë në rrugë", u shpreh Ahmeti. 

Ai theksoi gjithashtu se Policia Rrugore e Tiranës do kalojë në gjendje të përforcuar gjatë ndërrimit të viteve por edhe orët në vazhdim. "Policia Rrugore do jetë prezente në të gjitha akset rrugore natën e ndërrimit të viteve. Si çdo herë policia rrugore do këshillojë, monitorojë, por nuk do lejojë shkelje në rrugët e Tiranës", tha Shefi i Policisë Rrugore të Tiranës, Erion Ahmeti. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com